
Koha e aventurave linguistike
Nga Ismail Syla
Truri ynë e lexon bukurinë e fjalës edhe përmes simetrisë, rezonancës – tingëllimit që të dridh brenda dhe të zgjon – harkut zanor, butësisë së fillimit dhe mënyrës së mbylljes së asaj fjale. Shqipja është gjuhë ku bashkëtingëlloret janë skelet, kocka, ndërsa zanoret janë frymë. Njësitë gjuhësore të trajtuara në këtë ese nuk kanë brenda akribinë shkencore, por interpretim të natyrës së estetikës linguistike.
TARAVOL
Në fjalorin e shqipes standarde, fjala “taravol” shpjegohet si mbiemër i diskursit bisedor pët njeriun “që ka karakter rë fortë, që është i zoti të kapërcejë çdo vështirësi; që s’di ç’është frika.” Si përkufizim ky shpjegim nuk lë kuptim të dytë të këtij mbiemri. Ndërkaq, në “Fjalorin etimologjik” të KolecTopallit, kjo fjalë shpjegohet si “TARAVEL mb. “mendjelehtë, budalla”. Fjalë e dialektit verior. Huazim prej turq. ta-rāvel “i ri, rini”. Me këtë mund te lidhen tara-vol e torovol “guximtar, trim” (Cordignano), në Shestan “gë nuk e vret mendjen, që ecën kot në jetë” me sinonimin torohuq me zëvendësim të rrokjes -vol me huq “bosh, kot”.
Shpjegimi i Kolec Topallit hap mundësinë e interpretimit eseistik të fjalës, një lloj aventure linguistike, jashtë akribisë shkencore. Bazuar në këtë parim interpretimi mbiemri “taravol” nuk është thjesht fjalë, po energji tingullore. Kjo fjalë nuk tingëllon si shprehje për njeriun guximtar me fat tragjik, për trimin e vërtetë, por për “trimin” e fryrë. TA-RA-VOL. Tri rrokje. E para e hapur, e dyta e rrëshqitshme, e treta e rëndë. Ta – shpërthim i lehtë, ra – rënie, vol – fryrje, zgjerim, diçka që rrotullohet. Vetë fjala ka lëvizje të çuditshme: niset lart, fryhet, pastaj bie. Si një njeri që del me gjoks përpara, pastaj rrëshqet, pastaj rrotullohet në fjalë.
Fjala “taravol” nuk tingëllon si shprehje heroike. Heroi epik shqiptar ka emra të prerë, Gjergj, (trim mbi trima ai. Gjergj Elez…) Lekë, Çun, Zhuj et. Të shkurtër, me kockë. Derisa mbiemri trim është i shpejtë dhe i prerë si me teh shpate, mbiemri taravol është i zgjatur, pak teatral dhe ka shumë ajër brenda. Nëse heroi i vërtetë është lis, taravoli është tullumbace.Të vërehet struktura e fryrjes Ta-ra-VOL. Theksi në fund. Si dikush që mban fjalimin deri në fund për t’u dukur. Nuk është shpërthim i drejtë. Është lëvizje që kërkon vëmendje. Prandaj e ndjen se një njeri i tillë është mendjemadh, pak budalla, gjithsesi arrogant, por jo tragjik.Nga pikë shikimi psikologjik si fjalë, nuk e ka ashpërsinë e mbiemrit “trim”. As thellësinë e mbiemrit “guximtar”, por një thjeshtësi folklorike, pothuaj komike. Është si ai që bërtet shumë në turmë, në odë, por kur vjen puna – lëkundet. Gjergj Elez Alia – i plagosur, por rri i heshtur. Taravoli – i shëndoshë në fjalë, por i zbrazët në brendi. Taravoli është hero i zhurmës, jo i heshtjes, çon pluhur dhe nuk ka rëndesë. Pra, taravoli është ai që flet para se të veprojë, fryhet para se të përballet, e do lavdinë para sakrificës. Ai nuk është personi i çartur tragjikisht. Është i fryrë si gjeli i detit, kaposhi.
Përfundim: Fjala “taravol” nuk prodhon respekt epik, por një lloj nënqeshje ironike. Është fjala e njeriut që do të duket lis, por tingëllon si daulle. Dhe ndoshta për këtë arsye shqipja e ka lënë si fjalë me pak humor brenda saj. Nëse fjala “lis” është vertikale, fjala “taravol” është rrotulluese. Njëra qëndron. Tjetra fryhet.
GRUA
Kundruar sipas parimit të estetikës së pastër të tingullit, fjala “grua” për një qenie të bekuar njerëzore, sociale dhe familjare del e cungët, e mangët, jo bukurtingëlluese në shqip. GRU-A. Dy rrokje të shkurtra. Ndryshe nga fjala “mo-tër” apo “në-në”, këtu kemi germat fillestare “Gr”-një grumbullim i fortë, i ashpër, pothuaj gërvishtës dhe diftongun pasues –ua – një hapje e papritur, e rrëshqitshme, që ikën menjëherë, si frymë. Si e tillë, fjala nuk rrjedh, ajo përplaset dhe shpërndahet, sepse struktura e saj është ngurtësim -tretje. Nuk ka hark dhe as përkëdhelje zanore. Është si: një gur që rrëshqet. Jo si lis. Jo si trup. Në shqip, bashkëtingëlloret “gr” të pranëvëna në fillim të fjalës shpesh kanë konotacion të fortë ose të ashpër, si: grindje, grusht, grimë, gropë. Është një fillim fonetik me tension. Përkundër kësaj, figurat femërore: nënë, motër, vajzë kanë fillime më të buta: (n-m-v-) të rrjedhshme, të përkëdhelshme. Fjala NËNË, bie fjala, ka simetri, përsëritje, rezonancë nazale të butë, rrokje që rrinë në gojë. Edhe fjala MOTËR ka hapje të rrumbullakët “mo”, mbyllje elegante me “tër”. Si njëra si tjetra janë fjalë që qëndrojnë vertikalisht, sepse kanë shtylla zanore.
Te fjala GRU-A theksi bie në rrokjen e parë. E dyta është pothuaj shtojcë. Fjala duket si një trung i shkurtër, plus një bisht zanor. Nuk ka thellësi rezonance si “nënë”. Nuk ka hark si “vajzë”. Nuk ka lidhje – relacion si “motër”. Është biologjike. Jo melodike. Në këtë këndvështrim nuk refuzohet koncepti, por ndodh reagimi ndaj tingëllimit. Fjala “grua” nuk prodhon imazh poetik automatik, sepse nuk ka muzikë brenda saj. Është fjalë që qëndron si term, jo si figurë. Ndërsa fjala “nënë” sugjestionon përqafim, ajo “motër” nënkupton relacion familjar, e fjala vajzë ka dritë, emri “grua” është kategori. Dhe kategoria zakonisht është më e ftohtë. Pra, shqipja që i ka dhënë madhështi figurës së nënës, butësi motrës, freski vajzës, “gruan” përmes germave e ka zhveshur nga metafora. Ajo nuk është figurë poetike – është term civilizues. Ndoshta kjo e bën të thatë në vesh.
NJERKË
Diferenca subtile. Është Interesante se si fjala “njerkë” fillon me “njer-”, që duket se shkon në drejtim të fjalë “njeri”, por pas i vjen “-kë-ja ” me një fund të thatë, të shkurtër, të ftohtë. Te krijohet ndjenja sikur fjala të afrohet, pastaj ajo të tërhiqet NJER-KË Dy rrokje. “Nje” – fillim i ngjeshur, i mbyllur, pothuaj i turbullt, “rkë” – prerje e thatë, mbyllje e shkurtër. Fjala nuk rrjedh. Ajo këputet. Struktura e saj është asimetrike, me konsonante të forta, fund të thatë ngurtësim, prerje. Nuk ka hark. “Njerkë” është kënd, nuk është qendër, nuk përqafon, por ndalon, dëbon. Është në kontrast të thellë me fjalën NËNË, që ka simetri, përsëritje, butësi nazale, përqafim zanor, formë që mbyllet dhe rikthehet. Nuk ka rezonancë të butë si “nënë” prandaj shqiptimi i fjalës NJERKË prodhon efekt të caktuar psikologjik fonetik. Në shqip, kombinimi i bashkëtingëlloreve “rk” shpesh është i ashpër, si te fjalët çark, bark, park, hark, monark. “Njerkë” mbaron me këtë thyerje. Vetë fjala mbaron si një derë që mbyllet fort.
Arketipi i “nënës së keqe” në folklor kërkon fjalë që nuk përqafojnë. Me një mbyllje të prerë fjala “njerkë” i përshtatet arketipit të asaj “nëne” si personazh negativ. Jo sepse realisht domosdo është e tillë, por ngase tingëllimi nuk është përqafues. Në përralla shqiptare (si në shumë kultura) njerka është figura e kontrollit, e xhelozisë, e rendit të ashpër. Pra, fjala “njerkë”, në fonetikë, nuk përqafon, sepse nuk ka muzikalitet përkëdhelës. Ka thatësi. Dhe thatësia krijon distancë.
Përfundim estetik. Nëse fjala nënë ka epiqendër të ngrohtë, njerka shkon në skaje të ftohta. Nëna tingëlluese ka përsëritje, njerka ndërprerje. Fjala “njerkë” duket si një gur i vogël me cepa. Nuk është e rrumbullakët. Nuk është e butë. Nuk ka përsëritje. Nuk ka hark. Nuk ka rezonancë të gjatë. Ajo ndalon. Dhe ndalimi është thelbësor për arketipin. Jo sepse njerka është e keqe, por ngaqë përralla ka nevojë për kontrast. Nëse “nënë” është frymë, “njerkë” është mur.
VJEHËRR
Fjala “vjehërr”, në gjininë femërore, këtu trajtohet në suaza të analizës estetike dhe folklorike, jo si gjykim real ndaj një figure njerëzore. Në jetë, një vjehërr mund të jetë e mrekullueshme. Por në humorin popullor dhe në mit, figura e saj kryesisht errësohet. Fjala VJE-HËRR ka dy rrokje. Rrokja e parë “vje”– shënon fillim të rrëshqitshëm, pak të ngatërruar. Ndërsa pjesa “hërr” është një zgjatim i ashpër, me “rr” të fortë, që e forcon rezonancën. Struktura e saj sugjestionon rrëshqitjen dhe gërryerjen. Fjala nuk hapet si “nënë”, nuk fryhet si “taravol”, nuk prenë si “njerkë”. Ajo ka përbrenda estetikë të rrudhur, sepse ka shumë bashkëtingëllore të afërta: vj-hë-rr. Pra, ajo rrudhet dhe shtrëngohet.
Fjala “vjehërr” është kompakte, e rrastë, e ngjeshur. Ngjeshja e saj krijon ndjesi presioni. Në shqip, bashkëtingëllorja “rr” është një nga tingujt më të fortë, si te fjalët burrë, ferr, varr, barrë, te folja “korrë” etj. Kjo bashkëtingëllore ka dridhje, ka tension, jehonë të përputhshme, rezonancë ontologjike. Fjala “vjehërr” mbaron pikërisht aty. Jo në një zanore të butë, as në një nazale të përkëdhelshme, por në një dridhje të fortë alveolare (fërkimi i gjuhës për kreshtë të dhëmbëve). Është mbyllje me dhëmbë. Fundi i fjalës “hërr” ka efekt pezullues. Nuk është rrokje e ngrohtë, por aso që e ndalon frymën. Në “vjehërr” ajo qëndron mes rrëshqitjes dhe goditjes. Si një frymë e mbajtur.
Në shumë kultura, sidomos në humor popullor vjehrra është figurë tensioni: kontroll, ndërhyrje, autoritet paralel. Vetë fjala nuk ka muzikë përkëdhelëse. Ajo nuk është qendër si “nënë”. Nuk është hark si “motër”. Është tingull që mbyllet me forcë. “Vjehrra “nuk ka butësi zanore. Ka dridhje fundore. Dhe truri ynë shpesh e lexon dridhjen si forcë ose ashpërsi.
Përfundim
Këto fjalë të përzgjedhura japin mundësi për lexime estetike dhe kulturore. Tingulli mund të përçojë ashpërsi, por realiteti njerëzor është shumë më i pasur. Në çdo hapësirë ka pika ku zëri përplaset fort, si te fjalët vjehërr dhe njerkë. Këto fjalë kanë cepa akustikë. Mbarojnë me dridhje, me prerje. Janë si qoshe ku tingulli thyhet. Nuk janë medoemos negative, por janë pika tensioni. Dhe tensioni e bën jehonën më të gjallë.
ObserverKult
Lexo edhe:






