Ismail Syla: Toka, dheu, balta

ismail syla

(Reflektim personal mbi metafizikën e tyre)

I. Përkufizimi protokollar i fjalëve të gjuhës

Përkufizimi leksikografik i fjalëve në fjalorë, më duket shpesh si proces i mortifikimit të tyre zyrtarë. Vetëm kur fillojnë njësitë frazeologjike, ose përdorimi brenda proverbave më duket se dalin nga akullsia solemne, protokollare. Këtë ndjenjë e përforcova gjatë ditëve të karantinës që e shkaktoi epidemia e Covid-19, në pranverë dhe verë të vitit 2020. Tërë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, versionin elektronik me 42 mijë fjalë e shprusha në kërkim të perlave frazeologjike, që më ndihmuan për ta letrarizuar atdheun tim individual me antologjinë e frazeologjive të zgjedhura. Në disa raste hasa në gabime teknike, dhe për të qenë i saktë, më duhej të shfletoja versionin e shtypur në dy vëllime: A-M dhe N-ZH. Në raste të tjera, kur kisha kohë me bollëk, gjeja fjalë të cilat mund të përmirësoheshin, të konceptoheshin më mirë. Pasionin për të kundruar me kujdes të shtuar mbi disa fjalë ma kishte nxitur leximi i filozofit kroat Gajo Petroviq, sidomos libri i tij “Mendimi i revolucionit”. Ky filozof i përkiste shkollës filozofike që kishte tejkaluar dogmatizmin e marksizmit zyrtar të kohës së tij.

Në FGJSSH fjalët që janë subjekt i kësaj eseje përkufizohen mes tjerash kështu: Tokë, planeti ynë, rruzulli i këtij planeti… pjesa e fortë e rruzullit tonë… korja e rruzullit tonë etj. Fjala dhé përkufizohet: korja e rruzullit tokësor… shtresa e sipërme… lëndë e fortë a e shkrifët… tokë etj. E, fjala baltë ka këtë shpjegim: dhé i përzier me ujë, tokë e qullët zakonisht në fushë, nëpër udhë etj.

II. Përkufizime individuale

Në kuptimin tim individual, kur thuhet fjalo tokë për mua ajo përfaqëson një gjendje lëndore fisnike, materie të fortë, bazament, themel qëndrese. Fjala dhé paraqet një materie të zhgufët, lavrën, ugarin, hullinë ku brenda tyre futet fara për t’u bërë bimë. Dheu është lëndë që mbulon edhe trupin e vdekur të njeriut. Është materie prodhuese dhe tretëse. Kurse balta është sinonim i llucës, zhveshjes së tokës dhe dheut, është qull i përbaltjes, spërkatjes por edhe brumë argjilor  i skulptorit. Po i harmanizuam këto tri nocione del ky baravlerës sinonimik: toka=dinjitet, dheu=përkohshmëri, balta= korruptueshmëri.

1. Toka – fisnikëria e qëndrimit

Toka është përmasa më e hershme dhe më e qartë e materies. Ajo mishëron idenë e qëndrueshmërisë: çdo trup, çdo lëvizje, çdo gjë që ekziston, ka nevojë për një mbështetje që nuk lëviz. Në këtë kuptim, toka është kushti i ekzistencës, si në kuptimin k osmologjik, ashtu edhe atë fenomenologjik

Në pikë vështrimin simbolike dhe filozofike, toka është ontologjia e të qëndruarit. Në të, pesha dhe koha përputhen: çdo trup pushon, çdo kujtesë arkivohet, çdo gjë shuhet për t’u ruajtur.

Me këtë ontologji, toka bëhet hapësirë, e bota mbi të e gjen ekuilibrin.

Toka në metafizikën e saj në fakt është trupi moral i botës, vendi ku njeriu qëndron pa u zhytur. Ajo nuk është thjesht sipërfaqe, por është karakteri i qëndrueshmërisë, bazamenti ku këmbët marrin peshën e vetes sonë dhe fryma gjen qetësi. Toka është fisnike, jo për nga madhështia, por nga durimi. Ajo nuk gjykon, nuk ndëshkon, nuk përkulet, por qëndron.

Në çdo kohë përmbytjesh morale e shpirtërore, toka është vend që e mban peshën e njeriut pa e rrëzuar. Në këtë kuptim, toka është karakteri i qetësisë, – e fortë, e përmbajtur, e heshtur, sepse fisnikëria e saj qëndron në heshtjen e saj rrezatuese. Ajo pranon gjithçka, por asgjë nuk përzien:- i mban peshat pa u ankuar. Në një botë që lëviz, toka është e vetmja që qëndron. Kush ka tokë nën këmbë, ka bazament të qenies. Prej saj nis çdo gjë që ka dinjitet: ndërtimi, fjala, trupi, besimi. Ajo është rrënjë, jo varr; bazë, jo kufi.

Në dimensionin filozofik, toka është identiteti vertikal i njeriut: ajo e lidh me poshtë, që të mund të ngrihet lart. Mençuria shqiptare këtë relacion e shndërroi në fjali proverbiale. Mbahu për toke, çohu për toke. Pra, fisnikëria e saj të grishë, të joshë që të jesh i lidhur me të, por të mos mbetesh peng i saj. Në të gjallon ajo pjesë e njeriut që nuk lëkundet nga koha, as nga uji, as nga era.

2. Dheu – prodhimi dhe tretja e kujtesës

Krahas tokës, njeriu njeh edhe dheun -një formë më e butë, më organike, që mban në vete gjurmët e jetës dhe të kalbëzimit, procesin e dekompozimit dhe të rigjenerimit: ajo që vdes bëhet ushqim për atë që lind. Ky ritëm e bën dheun metaforë të durimit dhe të vazhdimësisë.

Për dallim nga toka statike, dheu është i gjallë, biografi e jetës, materie që qarkullon, që prodhon, që përthith. Ai është i butë si kujtesa: pranon farën, e ushqen, e nxjerr në dritë, dhe pastaj e merr sërish brenda. Në të, jeta nuk pushon, por qarkullon.

Dheu është prodhues dhe tretës: dy fytyra të së njëjtës dashuri. Ai jep dhe merr, krijon dhe shuan, por gjithmonë me një qetësi të thellë. Nga gjiri i tij lind gjelbërimi. Është edhe gëlltitës i madh, në të shtrihet trupi që ka përfunduar udhëtimin. Prandaj për të vdekurin thuhet “i lehtë i qoftë dheu”. Kështu, njeriu i kthehet asaj pjese të tij që nuk e gjykon, por e ruan.

Në përvojën njerëzore, dheu është elementi i përkatësisë. Ai përfaqëson afërsinë me trupin, me aromën, me frymën. Prekja e dheut është përvoja më e drejtpërdrejtë e marrëdhënies midis trupit dhe botës-,ajo është një kujtesë e përbashkët midis mishit dhe materies. Në këtë mënyrë, njeriu, përmes kontaktit me dheun, rikujton origjinën e vet trupore dhe ciklike.

3. Balta – përzierja dhe njollosja

Balta është përmasa më dinamike e materies. Ajo lind nga bashkimi i tokës me ujin, -pra, nga takimi i qëndrueshmërisë me rrjedhjen. Balta është gjendja e ndërmjetme, kur as toka nuk është më e fortë, as dheu i shenjtë. Është materia e turbullt, e përzierjes, e rrëshqitjes. Në të njeriu humbet formën, përlyhet, sprovohet. Është forma e humbjes së qëndrueshmërisë, kur qartësia përzihet me turbullimin, kur drita përzihet me hijen. Balta është lluca morale, përzierja e trupit me dështimin e tij. Në të, njeriu nuk qëndron dot, rrëshqet, përlyhet, ngjitet. Ajo është kujtesë e rënies, e gabimit, e kompromisit që nuk ka rrënjë.

Por, të mos teprohet: balta ka një dinjitet të fshehtë. Njeriu është argjila që s’u tha dot, dëshmi e asaj që rri midis Zotit dhe pluhurit. Është kujtesa e ndërmjetme, e atyre që nuk e mbërrijnë dritën, por as nuk e braktisin jetën.

Balta është edhe kujtesa e mundësisë për t’u larë; sepse balta është gjendje, jo dënim përfundimtar. Në baltë njeriu mund të përkulet pa u zhdukur. Ajo e teston përulësinë, e kujton kufirin. Në rrëfimet biblike, prej baltës u krijua njeriu. Në përvojën njerëzore, në të nis rrëzimi, por prej saj mund të rilindë pendesa, sepse balta është rënia që ende kujton dritën.

Balta është kujtesë në lëvizje: ajo nuk mban, por rikrijon. Çdo shenjë që i lë, ajo e kthen në pyetje. Kur thahet, bëhet mur. Kur laget, bëhet pasqyrë. Kur digjet, bëhet enë. Kur preket, bëhet kujtim.

Kur thahet, balta humbet lirinë e saj, por fiton qëndrueshmëri formale, njësoj si mendimi që, në momentin që artikulohet, humbet rrjedhshmërinë, por fiton kuptim. Kështu, balta mund të kuptohet si figura materiale e mendimit: ajo është kujtesë që mban formën e përvojës dhe e kthen në objekt.

Në këtë proces, materia e tejkalon veten. Ajo bëhet kujtesë që reflekton.

Post scriptum për tri mënyra të të qenit

Toka, dheu dhe balta përfaqësojnë tri mënyra të të qenit të materies: Toka si substancë që mban dhe qëndron: është karakteri që e ngre. Dheu si substancë që përthith dhe transformon, kujtesa që e mban. Balta si substancë që kujton dhe formëson, përvoja që provon.

Në tri këto gjendje, njeriu lëviz si trup që kërkon formën e vet të qëndrueshme.

Kështu, jeta bëhet një udhëtim midis tokës që nuk lëkundet, dheut që të thërret, dhe baltës që të teston, – tri mënyra për ta kujtuar se çdo qëndrim, çdo krijim, çdo falje, fillon dhe mbaron në materien nga e cila jemi bërë.

Në tri këto dimensione, njeriu e njeh veten si substancë morale. Toka i jep qëndrueshmëri, dheu i jep qarkullim, balta i jep provë. Prej tyre ai mëson tri mënyra për të ekzistuar: të qëndrojë, të japë, të përkulet.

Në këtë rend, toka i jep botës vend, dheu i jep kohë, balta i jep kuptim. Ato përbëjnë një proces të vazhdueshëm të kalimit nga substanca në formë, nga pesha në kujtesë, nga heshtja në vetëdije.

Në fund, njeriu është produkt i këtij procesi: ai është krijesë që ecën mbi tokë, ushqehet nga dheu, dhe e njeh veten përmes baltës, -përmes materies që mban shenjën e duarve të tij.

III. TOKA, DHEU DHE BALTA NË EPET E HOMERIT DHE NË LIBRAT BIBLIKË – TRI FORMA TË KUJTESËS SË MATERIES

TOKA

Toka homerike – dëshmitare e betimit dhe e kujtesës

Në botën e poemave epike të Homerit, toka është dëshmitare morale e çdo fjale dhe gjaku. Në Iliadë (libri III, vargjet 276-279), para betejës mes Menelaut dhe Paridit, betimi bëhet edhe me tokën: “Diell, që gjithçka shikon dhe gjithçka dëgjon, dhe Lumenj e Tokë e ju të nëndheshmit që të vdekurit njerëz ndëshkoni,

cilindo që shkel betimet, ju qofshi dëshmitarë dhe ruani betimet me besë.” (Kënga III,276-277, përkthyer nga Spiro Çomora).

Toka këtu është forcë që dëgjon dhe ruan kujtesën e së vërtetës. Ajo është jo vetëm trualli mbi të cilin njerëzit luftojnë, por edhe vëzhguese morale. Ajo mban shenjën e çdo faji e gjaku të derdhur. Kur heronjtë bien, si Hektori, toka i përthith: “E përplasi në pluhur dhe toka e zezë e mbuloi.” (Iliada, XXII, 362). Kështu, toka homerike është arkivi i kujtesës njerëzore, jo pronë, por vetëdije e heshtur e botës.

Toka biblike – truall i besëlidhjes dhe i mëshirës

Sipas Biblës toka lind bashkë me krijimin: “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën. Dhe toka ishte e shkretë, e zbrazët, dhe errësira mbulonte humnerën…” (Zanafilla 1:1-2). Kështu, që në fillim Toka është përmasë e rendit: kalim nga kaosi në strukturë, nga errësira në jetë. Ndërsa në librin Levitiku 25:23, Zoti përcakton marrëdhënien morale me të: “Toka nuk do të shitet përgjithmonë, sepse toka është imja; kurse tek unë  ju jeni vetëm të ardhur pendarë.”

Ndryshe nga epet e Homerit, ku toka është dëshmitare e njeriut, në Bibël ajo është pronë e Zotit dhe mjet i besëlidhjes. Toka bekon të drejtin dhe mallkon të pabesin. Ajo është pasqyrë morale e gjallë: “Nëse do të jetoni sipas ligjeve të mia dhe nëse do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i shtini në veprim ato, do t’iu jap shira në kohën e tyre.” (Levitiku 26:3-4)..

Pra, te Homeri toka dëgjon njeriun, ndërsa në Bibël toka i përgjigjet Zotit.

DHEU

Dheu homerik – kujtesa e trupit dhe e vdekjes

Te Homeridheuështë sinonim i vdekjes, por edhe i kthimit në origjinë. Kur Patrokli bie, thuhet: “Ai ra në pluhurin e dheut, dhe toka e zezë e mbuloi.” (Iliada, XVI, 776). Ky “pluhur i zi” është trupi i tokës që përthith trupin e njeriut. Tek Odisea (XI, 36-50), Uliksi, para se të thërrasë shpirtrat e të vdekurve, bën një akt të shenjtë: “Preva me shpatë shtratin e dheut, derdha gjak për të vdekurit që të vinin.”

Kështu, dheu homerik është porta e kujtesës midis botës së gjallë dhe asaj të të vdekurve. Ai nuk është varr, por urë që e lidh kujtesën e trupit me kujtesën e shpirtit. Në të, çdo hero pushon, por nuk harrohet. Në këtë mënyrë, dheu homerik është kujtesë e lavdisë që hesht.

Dheu biblik – përkohshmëri dhe mëshirë

Në Zanafillë 2:7, akti i krijimit ndodh përmes dheut: “Zoti Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të dheut dhe i fryu në hundë frymën e jetës; dhe njeriu u bë shpirt i gjallë.” Këtu, dheu nuk është fund, por fillim, nuk është harresë, por kujtesë e frymës. E, pak më vonë po në Zanafillë 3:19, ai bëhet kujtesë e rënies: “Me djersën e ballit do ta hash bukën, deri sa të kthehesh në dhé, sepse prej tij je marrë; sepse je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh. Kurse në Psalmin 103:14, ndjenja bëhet më e butë, njerëzore: “Ai e di se ç’ përbërje kemi; kujton se jemi dhé.”

Siç shihet, dheu biblik është trupi i mëshirës, kujtesë e përkohshmërisë që ruan dinjitetin e krijesës. Në librin për profetin Isaia 26:19, dheu fiton përmasë të ringjalljes: “Toka do të japë të vdekurit e vet.” Në këtë mënyrë, dheu është trupi i kujtesës së Zotit, e jo i harresës njerëzore.

BALTA

Balta homerike – përzierje e trupit me fatin

Në Iliadë (XVII, 597-599), kur Akili ngre trupin e Patroklit, thuhet: “Pluhuri i lagësht i ngjitej flokëve, dhe fytyra e tij u mbulua nga balta.” Këtu balta është gjendja e përzierjes, midis tokës dhe trupit, midis lavdisë dhe vdekjes. Ajo është materiae transformimit, ku trupi kthehet në tokë dhe kujtesa në materie. Tek Odisea (V, 456-457), kur Uliksi shpëton nga deti dhe bie në breg, thuhet: “Ai ra mbi tokën e lagësht dhe i ngjitej balta si jetë e re.” Këtu, balta është materie e ringjalljes pas rrezikut: përzierje e shpëtimit dhe e poshtërimit. Te Homeri, ajo shënon rënien që rilind.

Balta biblike – krijim dhe shëlbim

Në librin e Isaisë në pragrafin 64:7 balta (argjila, sipas përkthimit të S. Filipajt) del të jetë materie e varësisë dhe e dashurisë. Ajo i përket Zotit që e formon. “…ati ynë je, ti o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve te tua.“, ndërsa në librin e Jobit (10:9) lutja e Jobit është e përulje: “Kujtohu se më ke bërë prej baltës; dhe do të më kthesh prapë në pluhur.” Në Ungjillin sipasGjonit ( 9:6-7), akti i Jezusit merr dimension të ri: “Ai pështyu në tokë, bëri baltë me pështymën dhe ia vuri mbi sytë të verbrit, e i tha: Shko, lahu në pellgun e Siloamit.”

Kështu, në “Besëlidhjen e Re, balta është mjet i dritës, materie përmes së cilës shërohet verbëria. Ajo që në Zanafille krijon trupin, tani krijon pamjen, balta bëhet mjet i shëlbimit.

Përmbyllje

Në epet e Homerit materia është rrjedhje e jetës, në Bibël, është kujtesë e shëlbimit. Për përvojën njerëzore, është përpjekje për qëndrim dhe dritë. Pra, toka e Homerit dëshmon, ndërsa toka e Biblës fal. Dheu i Homerit përthith, ai i Biblës ruan. Balta e Homerit rrëzon, balta e Biblës shëron.

Në këtë trekëndësh të përhershëm, njeriu kupton se nuk është as vetëm prej pluhuri, e as vetëm prej dritës, por edhe prej kujtesës që rri mes tyre. Sepse në çdo rënie, ai ruan shenjën e krijimit, dhe në çdo kthim në dhé, ruan frymën e Zotit që i fryu (i vuri frymën) për herë të parë.

P.S.

Si përfundim i përfundimit: toka dëgjon, dheu kujton, balta hesht, sepse nga balta nis kujtesa e mëkatit dhe e mallkimit universal, betejë e papërfunduar ende e historisë së njerëzimit.

Prishtinë, 8 nëntor 2025

ObserverKult