Arben Meksi
Një pjesë e njerëzve, në jetën e përditëshme, lëvizin me maska edhe kur nuk ka pandemi.
Maska që tek këta persona, me kalimin e kohës, bëhet aq njësh me fytyrën, saqë është e vështirë ta dallosh origjinalen mes tyre. Kush e njeh Faten, e kupton menjëherë që ai është vetvetja. Nga pamja, zëri, lëvizjet, veshja tipike dhe shumë e veçantë që luhat midis vjenezes dhe londinezes por, dhe i drejtpërdrejtë e i natyrshëm, i lexueshëm dhe origjinal dhe mbi të gjitha, i pa ndryshueshëm: Fate – fizik dhe metafizik.
Ai nuk shtiret e nuk tjetërsohet. As nuk luan ndonjë rol dhe as interpreton dikë tjetër.
Ndonjëherë, kur të duket i shpërqëndruar, sikur s’të dëgjon, sikur s’të shikon, me vështrimin diku tjetër humbur, ai po regjistron dhe paralelisht , po shijon tingujt, po shikon imazhet, ngjyrat duke zipuar kohën gjatë së cilës, biseda u krye.
Sepse ai nuk dyzohet, është i lirë, i rrjedhë mendimi si dhe fjalia kur shkruan e kur fletë. Të gjitha këto zhvillohen në harmoni, madje, shpeshherë, në konflikt me atë që ndodh.
Sado që puna më ka sjellë pranë shumë njerëzve, qofshin ata vendas apo të huaj, unë e kam të veshtirë të gjej një Fate të dytë.
Pasi të kesh lexuar trilogjinë e tij “Kreuztanne” dhe veçanërisht pjesën e tretë të saj, ITAKA, mund ta quash veten se je me fat. Leximi për vetëm disa orë i të 265 faqeve të këtij libri, të bënë të fitosh një përvojë 22 vjeçare nga jeta e një autori që ka ndërtuar një rrugë edhe atje ku rruga nuk mendohej se mund të ndërtohej.
Por, në fund të faqes së fundit, kjo experiencë e ngjeshur nga jeta e tij nëpër kohë, bëhet pronë e jotja . Dhe kjo nuk është pak, aq më tepër kur kjo dhuratë, të vjenë në këto ditë të çuditëshme karantine ku sejcilin prej nesh, brenda dhe jashtë kufijve, e ka pushtuar mërzia.
Për ta kuptuar dhe shijuar më të plotë këtë libër, duhet rilexuar poezia “ITAKA” e poetit grek Kostandinos Kavafis, gjetur me aq mjeshtëri si titull. Të lexosh, do të thotë të udhëtosh në kohë. Të udhëtosh në kohë karantine, është një mision që i tejkalon kufijtë e imagjinatës sepse, të ndjekësh hap pas hapi a “vozitje pas vozitje” udhëtimin për në Itakën e tij, bëhet një mision më shumë se kureshtar.
Duke lexuar librin, njeriu, në formë virtuale, bënë dhe udhëtimin e tij imagjinar e që të çonë në gati të gjitha vendet ku autori ka lundruar.
Ndonjë tjetër, akoma dhe më kurioz se unë, për ta zhbiruar edhe më tej natyren e tij njerëzore e lëvizuar në po të njejtat vende ku autori ka lëvizur, duke lexuar librin, hynë në internet dhe ndjek hap pas hapi udhëtimin e tij, shikon peisazhet, arkitekturën, njerëzit si dhe historinë e tyre.
Duke lundruar me të virtualisht, çdo lexues, do të pyeste veten: Ç’do të bëja unë në këto kushte e këto rethana? Si do t’i përjetoja, zgjidhja dhe përshkruaja gjithë këto ngjarje?!
Rrëfimi i Fates rrjedh si një ditar për çdo gjë që jeton, por me pak ndryshim se, duke ndjekur ditët njëra pas tjetrës, njëkohësisht, ndjen edhe kohën e motin kur ato zhvillohen dhe, njëherë të bëhet se ke ftohtë dhe herën tjetër, po pëlcet vape. Njëherë ndjen një fllad të lehtë, dhe herën tjetër kërkon çadër. Këtë aftësi të shkruari, e kanë vetëm artistët tridimensional. Ata dinë të orientohen, sepse ata e njohin mirë realitetin nëpërmjet ngjyrave, nëpërmjet imazheve dhe fjalëve.
Fate Velaj di të kalojë lehtë nga një gjendje artistike në një tjetër. Ai orientohet si në koordinatat reale (natyrale) ashtu dhe në ato imagjinare (abstrakte). Ai ka aftësinë ta bëj Komisar Miklovanin të qaj (aktorin rumun tek filmi “Me duar të pastra” e “Fisheku i fundit”), si dhe Afron, (nënën e tij) të qesh.
Kjo mjeshtëri është e lindur, është talent që e kanë disa njerëz që natyra enkas i zgjedh, ashtu siç thotë me plotë të drejtë fotografi i famshëm Italian, Ferdinando Scianna,: ”Talenti është dhuratë që e kanë disa njerëz të veçantë, që i dallon nga të tjerët, ashtu siç dallohet nga të tjerët një njeri me sy bojqielli, apo me hundë të madhe, me gishta të gjate, apo me flokë të kuq”
Jo më kotë Kadare shkruan për Fate Velaj’n se ”Kemi të bëjmë me një autor tejet të veçantë, ndryshe në gjithçka, me një gamë të gjerë larushmërie përthithëse, plot freski dhe stil rrëfimtar të magjishëm”
Habitesh se sa intesivisht e jeton Fate Velaj jetën, sa bukur i kthen imazhet, njerëzit, përjetimet në fjalë. Kur lexoj librat e Fates, më kujtohet shprehja e njeriut të mençur, Petro Zheji që thoshte, ”Fjala, është ambalazh i imazhit “
Në të përjetuarën dhe imagjinatën e tij, lëvizin qindra personazhe të cilët ai, i zgjon pa i trembur kur i duhen, apo i çonë të flenë gjumin e shkurtër të pasdites, për t’i patur më të shlodhur kur t’i duhen.
Në shikimin e parë, Fate të duket një natyrë e rëndë, i ashper, serioz më shumë seç duhet, me tipare karakteriale midis shqiptarit dhe austriakut por që në brendesi, është tjetër gjë.
I butë, i ndjeshëm, i dhembsur si dhe me shumë humor. Kjo ndihet shumë në të tre librat e trilogjisë Kreuztanne . Ai nuk fletë me dashuri vetëm për prindërit e tij, për Melon a për Afron. Për familjen, Klarën, Helenën e Romelin, për motrat apo njerëzit që kanë qenë pjesë e gjithë rrugëtimit të tij.
Ja një pasazh nga libri: “Një pikë loti na rrodhi të dyve nga sytë. Mua, nga dhimbja tek shihja nënën time ta ushqeja si femijë dhe asaj nga kujtimet kur më ushqente mua, kur isha fëmijë” (nëna e tij ishte në shtratin e vdekjes) dhe pas disa kapitujsh: “Për 22 vite radhazi, të parën gjë që bëja ditën që ajo kishte ditëlindjen, merrja telefonin në dorë dhe e telefonoja…por përsëri, sot, e formova numrin. Zilja binte, binte, binte dhe asnjë nuk po e ngrinte. Nëna ime që çdo 17 prill, qysh orët e para të mëngjesit këtë zile priste, nuk po e ngrinte. Dhe unë, sado që e dija, prisja. Ndoshta të dilte operatori telefonik e të më thoshte: prisni në linjë, ju lutem! Jemi duke ju lidhur me varrezat e qytetit.”
Edhe pse në libër mungon linja e dashurisë erotike, ajo ndihet në menyrë të terthortë, edhe kur autori përshkruan trupin, linjat, sytë, lëvizjet, pozat e personazheve të tij femërore, ai është tepër i kujdesshëm. Vini re pershkrimin: “Në buzët e sekretares së zonjës Petrescu, vihej re një i kuq ngjyrë shege, nëpër faqe një pudër ngjyrë rozë purpuri, si lengu i shtrydhur i saj “
Ajo që bie në sy gjatë gjithë takimeve nëpër udhëtimin e tij jetësor 22 vjeçar, shkruar në libër, i gjendur përballë personazheve të ndryshme, qofshin ata njerëz të thjeshtë, artist apo politikan europian, ai ndihet i barabartë, madje, ndonjëherë dhe superior, duke u bërë qendra e tavolines nëpër biseda serioze apo te lira, mbi të ardhmen e artit, politikës apo rolin që mund të luaj artisti në të ardhmen e njerëzimit.
Përshkrimet e dhimbjeve të tija trupore, si operacioni veshit e mosdëgjimi pas tij, treguar me aq hollësi dhe vërtetësi të natyrshme, të sjellin ndërmend vuajtjet dhe dhimbjet e Tolstoit, dhimbjet e kokës së Friedrich Nitzsche’s, shurdhinë e Beethoven’it, verbërinë e Borgesi’t apo turbekulozin e Migjeni’t.
Mesa duket, natyra e “dënon, me dhimbje këtë specie njerëzore duke ditur se vetëm në këtë mënyrë, mund t’jua vjelë më të mirat e talentit të tyre. Udhëtimi i Fates vazhdon drejt asaj që kurrë nuk arrihet, ITAKËS iluzive të artistit. Ai e kupton se sa më shpejtë të ecë përpara, aq më parë do të jetë tek ajo që dëshiron, sado që e di se gjatë këtij rrugëtimi, do ndaloj, do ecë përsëri por kurrë s’ka për të arritur e kurre s’ka për ti prekur brigjet e ITAKËS.
Prandaj, krijimtaria të lumturon, sepse, ajo është njësoj si lumturia që i mungon stacioni i fundit . Kur je në fund të librit, ndihesh i plotë, i sigurt, i orientuar, më i pasur shpirtërisht për të përballuar hallet dhe problemet me të cilat jeta, na mundon të gjithëve.
Si për çdonjerin nga ne, edhe për Faten, opinionet janë të ndryshme. Për të, e rëndësishme është ajo që ai ndjenë e bënë dhe jo ajo që mendojnë të tjerët. Ai e kishte të qartë rrugën që kryeu dhe atë që ka përpara. Ai jo pa qëllim ja shfaq publikut hapat e tij, veprat e tij si dhe vlerësimet që ka marrë mbarë botës për këtë rrugë të kryer. Por mbi të gjitha, e di se vepra e tij, do të mbeten pronë e të gjithëve.
Jo më kot Balzaku shkruan: “Gjithçka të mirë që shihni tek unë, ja dedikoj energjisë dhe veprimit pozitiv brenda meje”
Unë jam mëse i bindur se mos ky libër në veçanti, një ditë, e gjithë trilogjia, do të bëhet film.