Protesta për shembjen e Teatrit Kombëtar ka arritur deri në Padova të Italisë. Disa qytetarë italianë dhe shqiptarë u mblodhën bashkë para Pallatit Moroni për të protestuar për shembjen e Teatrit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Tashmë kanë kaluar 2 javë të plota që nga 17 maji, ndaj qytetarët italianë së bashku me ata shqiptarë kanë organizuar një protestë paqësore në formën e “flash mob”. Me disa pankarta në duar që lexonin “Unë jam kultura që bashkon” dhe “Unë jam Teatri Kombëtar i Tiranës”, ata kanë protestuar me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Dy javë më parë në 4:30 të mëngjesit në Tiranë, një vend pranë Padovas, pranë Italisë u shkatërrua një simbol kulturor që duhet të bashkonte këto vende. Ne kemi nevojë për kulturën, për urat që lidhin dy anët sepse është e shkuara jonë prezentë dhe e ardhmja. Trashëgimia kulturore duhet t’iu përcillet brezave të rinj. Për këtë arsye ne dënojmë shembjen e Teatrit Kombëtar të ndërtuar nga italianët dhe dënojmë edhe dhunën e përdorur nga policia kundër intelektualëve, kundër popullsisë civile”, tha arkeologia dhe historiania e artit, Elda Omari, transmeton ‘shekulli’.
Ndërsa presidenti i shoqatës pulieze në Padova, Donato Coluccia, tha se qytetarët italianë iu bashkuan protestës paqësore për t’u solidarizuar me miqtë shqiptarë në këtë kauzë.