Iu dha lamtumira e fundit, Bahri Becit: Miqtë e vlerësojnë kontributin e tij

Gjuhëtari e akademiku, Bahri Beci, “u kthye” dje për herë të fundit në Akademinë e shkencave, në një ceremoni homazhesh ku miq, të afërm, kolegë e politikanë u përulën para arkëmortit për ta nderuar.

Do ta mbajnë mend të qeshur, fisnik e qytetar siç qe në të gjallë me fytyrën e imët e botëkuptimin e gjerë të një njeriu që kërkon përtej.

Profesor Seit Mansaku përmbledhi kontributet e tij kryesore në dialektologji e në drejtshkrim duke risqaruar pozicionin e Becit.

“Beci është marrë me problemin e gjuhës letrare, ka qenë në Kongresin e drejtshkrimit, ka bërë disa sugjerime e vërejtje për përmirësimin e standardit por ndonjëherë është komentuar se e ka kundërshtuar standardin, nuk është e vërtetë.

Çdo komb i qytetëruar ka nevojë për një gjuhë standarde, edhe shqipja kishte ardhur koha të kishte gjuhë standarde”.

Profesori Beci u nda nga jeta në moshën 87-vjeccare në spital ku ishte shtruar pas ndërlikimeve shëndetësore nga të cilat vuante prej pothuaj dy vitesh, kohë kur ai pothuaj ishte tërhequr.

Në përcjelljen e mbramë jeta e tij shënohet prej dy kohësh, gjatë dhe pas komunizmit, sepse sistemi shënjoi këdo. Studiuesi Ardian Marashi, profesor i Shqipes në INALCO (Paris) dallon vetitë e Becit, i cili shprehej se pas kërbaçit i dhanë kulaçin.

“Njeriu është kërkues ndaj vetes kur je kërkues shkencor dhe më pas je kërkues ndaj shkencës, dhe në momentin e mungesës së lirisë të dyja këto kërkimet, ai për t’u përsosur vetë dhe ai për të përsosur punën janë tepër të vështira. Ai pati maturinë e duhur dhe ndershmërinë e duhur ndaj vetes e kolegëve për të ecur në ato punë që mund t’i bënte më mirë”.

Beci studioi e punoi në Shqipëri dhe në Francë. Kërkimet e tij shkencore u morën me dialektologjinë, historinë e formimit të shqipes së njësuar, ligjësitë që ndikuan procesin si edhe në gjuhësinë ballkanologjike dhe pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike./balkanweb

ObserverKult


bahri beci
Bahri Beci

Lexo edhe:

BAHRI BECI FESTON 85-VJETORIN E LINDJES/GJUHËTARI: E VËRTETA IME PËR SHQIPEN NË NJË BOTIM

Akademiku dhe gjuhëtari Bahri Beci festoi 85-vjetorin e lindjes. Ndërsa, promovoi edhe librin e tij më të fundit, “Përjetimet 1936-2021”. Në këtë libër ndalet edhe për zhvillimin e gjuhës shqipe nga Kongresi i Manastirit deri në ditët e sotme

Udhëtimi jetësor dhe profesional i gjuhëtarit edhe akademikut Bahri Beci vjen në këtë 85-vjetor të lindjes. Kjo, përmes botimit të tij më të fundit “Përjetimet 1936-2021”. Në këtë libër Beci sjell jo vetëm të vërtetën e tij. Por atë të një kohe, që shënjoi psikologjinë e individit. Duke krijuar kështu njeriun ideologjik.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult