Nga Izet Duraku
Këngët popullore të dashurisë përbëjnë një nga kapitujt më emocionalë të lirikës sonë popullore, ndoshta pjesën më të ndriçuar të saj, më të nxehtën, më përvëluesen. E lidhur ngushtë me përtëritjen njerëzore, dashuria shfaqet me një dinamikë të fuqishme, e krahasuar me rrebeshet e me tërmetet që tundin dheun. Në stinën e ftohtë ajo tulatet, pothuajse ngrin. Në ditën e shkurtër të dimrit me borë dhe akull, ritmi i jetës ngadalësohet dhe dashurisë i duhet të presë një mot më të ngrohtë për t’u shfaqur. Po të shprehemi me gjuhën e saj, të presë, të durojë siç duron mali borën dhe siç duron fusha shiun. Dashuria vjen bashkë me pranverën, me shkrirjen e akujve, me largimin e mjegullave dhe të territ.
1. Po qaj verën si po shkon, / vjen vjeshta na vorfnon.
2. Kur t’ shpaloje gjethi, / me gjethin shpaloj.
3. Shkon furtuna duke klarë/ qish kërkon? Kërkon behar/ kërkon prill e kërkon maj,/ djalë për veten e saj.
Dashuria shfaqet me portretin e femrës së animizuar shpesh si nepërkë, vitë, xhinde e xhindosur, zanë etj., gjithnjë me fuqi të mbinatyrshme. Që të helmon, të shtangë a të gurëzon me frymën e saj. Sytë e dashurisë si dy diej shkaktojnë ngado zjarre, të cilët nuk trembin askënd, përkundrazi grishin secilin, që me flakët e tyre të pranojnë magjinë e djegies. Të krijohet përshtypja se kjo dashuri flakësh zgjat aq sa vazhdon të digjet zjarri dhe të brafullojnë flakët, shuarja e të cilave shënon fundin e dashurisë dhe të jetës. Po a ka kuptim jeta pa ekzistencën e saj?
Në këtë aspekt dashuria dhe dhimbja shpeshherë shihen si bashkëudhëtarë të natyrshëm në këngët popullore të dashurisë. Edhe në pamjet më të kthjellëta ndihet një tis i lehtë ankthi, që ashtu i pezullt e gati i padukshëm, nuk e pakëson aspak, përkundrazi e shton dramaticitetin e ndjenjës. Dhimbja nuk paraqitet si një ndjenjë qaramane. Klithmat e britmat janë të huaja për të. Më shumë e fshehtë, e nënkuptuar se sa e shprehur haptas, ajo të trondit me thellësinë dhe vërtetësinë e saj. Edhe kur në rrethana të skajshme, shpërthen përmes betimesh e mallkimesh, është po ajo, krejt e besueshme në fjalët e saj.
Ndjenja e dhimbjes si dukuri e shprehur në forma të ndryshme nuk kufizohet në zona dhe krahina të caktuara, por është e pranishme në krejt lirikën e krijuar si në Jug dhe në Veri të vendit.
Në këtë trajtesë të shkurtër unë kam marrë në shqyrtim vetëm një pjesë të kësaj krijimtarie në Lumë, Has, Opojë, Dibër dhe Çamëri, ku vërehen ngjashmëri të shumta, por edhe ndryshime që nuk prekin karakterin e përbashkët. Ndryshon peisazhi natyror, ndryshojnë mjediset që, bie fjala, në Çamëri duken më të urbanizuara, por relievi shpirtëror që përfshin karakterin e mentalitetin mbeten pothuajse të njejtë.
Dashuria është një ndër brengat më të mëdha të njeriut, ndaj dhe pengesat ndaj saj janë arsye të mjaftueshme për të shtuar gërryerjen, vlimin e brendshëm, si shenja të sigurta të shpërthimit të dhimbjes.
“Në jetë dashuria ishte në përgjithësi një dramë”, shkruan Ismail Kadare. Kjo dramë shpesh ishte me të shtira armësh dhe shpesh e brendshme. Dashuri donte të thoshte konflikt me shoqërinë, me familjen, me zakonet, me pronën, me gjithçka. Dashuria ishte një rrebesh i paligjshëm, por i tmerrshëm. Në jetën e tij populli në shumicën e rasteve nuk e ka pranuar dashurinë, kurse në artin e tij nuk e ka dënuar kurrë.”
Janë të dëshmuara barrierat e shumta midis sekseve për shkak të mënyrës së jetesës, të zakoneve dhe mentalitetit të kohës. Por dashuria gjen shtegun e duhur për të mberritur cakun e saj. Natyrisht shpejt e pa u hamendur. Në rrethanat reale, kur ishte vendosur edhe një lloj karantine midis të dashuruarve, koha që mund të përfitohej për njohje ishte shumë e pakët dhe si e tillë e çmuar. Çasti i pikëpjekjes së dëshiruar fillimisht është paraprirë i përjetuar në ëndërr, ndërsa realisht për të ndodhur kontakti ka mjaftuar një hapje porte, një shfaqje e beftë pas qelqeve të dritares, një udhë e shkurtër për te kroi i fshatit, një dalje në shpatin përballë, një prani e shkurtër në mjediset e kishës, etj. Do të mjaftonte që largësia mos të bëhej pengesë, që vështrimet e tyre të mund të kryqëzoheshin. Për t’u krijuar ajo urë ajrore që do të lidhte shpirtrat. Nisur nga shkreptima e syve, dashuria vjen si një goditje rrufeje.
1. U dolla, doli dielli, / doli nepërka nga dheu…
2. Del në derë apo s’të lënë, / mos je yll a mos je hënë…
3. Ne porta për nën hje, / dil o moj manushaqe.
4. Të pashë një ditë me tesha në dorë, / si arusha nëpër borë.
Momenti i njohjes dhe i rënies në dashuri bashkohen në një të vetëm. Vibrimet që shkakton goditja e syrit e mbajnë frymën pezull. Dhimbja përzjehet e tretet me nostalgjinë e një tërheqje të dyanshme, përpirëse. Një tërheqje që të shtang me bukurinë e saj. Pastërtia, sinqiriteti i dhembshur, rrëfimi lakonik dhe dendësia figurative janë tiparet e saj të përhershme, të buruara nga një shpirtë i dlirë, i kristaltë. Përvëlimi i çastit, hutimi dhe marramendja do të kujtohen gjatë.
1. Siri i zi, vetulla gramë, / iknë mendtë e mia, vanë.
2. Synin me lara, / oj syzezë synin me lara, / dogje fusha, dogje ara.
3. T’i flas mu muar goja, / ta ngas, se ç’m’u tha dora.
Në situatat e kundërvënieve dhe të konflikteve me dashurinë hapësirat e komunikimit zvogëlohen. Miqtë dhe aleatët gjithashtu të pakët largohen të trembur. Çfarë i mbetet në dispozicion jetës, pra dashurisë, për të përtërirë veten e saj. Ndoshta vetëm vetvetja, fjala e saj e mishëruar tek besa. E mbetur si mjet i fundit, e barazuar me vetveten, tek besa përqëndrohet gjithë shpirti i qëendresës dhe kjo i jep asaj një madhështi sublime.
1. A m’ke dhanë besën / na të di do t’desëm
2. T’paçë dhanë besën ene dorën/ n’kofsh i zoti djalë luj pishtolen/ luj pishtolen ene thikën/ s’asht kollaj me grabit çikën.
Armiqtë e dashurisë janë të shumtë dhe të kudogjendshëm. Në këtë qerthull rreziqesh mbrojtja shpeshherë është e pamundur. Për të mbajtur jetën djalit i duhet të punojë duke kapërcyer vende të njohura e të panjohura në dimër e në verë, bjeshkë e vërri, përmes shirave e rrebesheve të motit. Vajza vështron në ethe pas xhamave të dritares e shqetësuar për fatin e të dashurit, por edhe djali nga ana e tij trembet, madje duke mos rënë më poshtë në shqetësimin e tij, droja e tij ngjan të jetë edhe më ngjethëse.
1. Kur dole në Bakull, me dadën,/ xhamadanin akull, me dadën,/ ruju se po t’vrasin, me dadën,/ se kemi shumë hasëm, me dadën.
2. Moj e mira në breg të Drinit/ ma ke nda trupin prej shpirtit/ mos më dil në bjeshkë sivjet/ se kam frikë dikush po të vret.
Lirika e dashurisë me mjete të kursyera vizaton tablo të përgithësuara dhe me një dinamikë të qartë të dhimbjes, që shkaktojnë konfliktet, përplasjet, largimet dhe ndarjet midis të dashuruarve. Krijohet kështu një varg antonimesh me vendet që përfaqësojnë djalin dhe vajzën. Vajza gjendet pothuajse gjithnjë brenda shtëpisë, mëhallës, katundit, ndërsa djali është më shumë përjashtë kullës së tij, larg në dhera të tjera. Vajza është në fushë, djali në mal. Vajza gjendet në vërri, djali endet në bjeshkë, etj.
1. Unë në bjeshkë e ti në vërri/ he m’u thaftë bjeshka pa ty/ he m’u thaftë e bardha bjeshkë/ si nuk erdhe një natë me fjetë.
2. Marak i djalit/ kur po mo merr merak i djalit/ po dal pi kqyri udhot e malit/ marak i cucos/ kur po më merr marak i cucos/ po dal pi kqyri udhot e fushës.
“Në këngët lirike të dashurisë metaforat ndihmojnë për të depërtuar në botën e brendshme të personazheve lirikë, që përjetojnë ndjenjën e bukur, nenvizon studjuesja Mijaser Dibra. Ka një numër shumë të vogël këngësh dashurie, që trajtojnë rite të ndaluara, marrëdhënie jashtë martesore, të cilat kanë inspiruar një metaforikë, e cila në thellësi mendimi shpreh tronditje, dëshpërim, pendesë për shkuarjen kundër rrymës psikologjike mbizotëruese, në pamundësi për të mundur vetveten.”
1. Ani kto plakat ngjesin e ngjesin, / si nuk kujtojnë orlet se do t’ desin, / ani prej vorreve do t’i qesim.
2. Moj mike pse s’i ngre sitë/ sitë e tu dhe të mitë/ janë kushëri të ditë.
Gjithashtu, marrëdhëniet e të dashuruarve i pengon edhe pabarazia shoqërore, shtrëngesat ekonomike dhe një kapitull i veçantë i dhimbjes mund të konsiderohet detyrimi i përhershëm për t’u larguar në kërkim të sigurimit të jetesës larg vendlindjes, largimi si detyrim ushtarak ose për shkak të ndonjë dhune tjetër të shfaqur në mënyra të ndryshme.
Literatura:
1. Ismail Kadare, “Autobiografia e popullit tonë në vargje”, Tiranë 1980, fq.71-72.
2. Mijaser Dibra, “Metaforat në këngët popullore shqiptare”, Tiranë 2007, fq.195-196.
3. Mijaser Dibra, “Ceremoniali i dasmës në qytetin e Shkodrës”.
4. Mbledhës të folklorit, 2 ,“Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit”
5. Mbledhës të folklorit 3,“Këngë popullore nga Çamëria”
6. Naim Plaku, “Krojet e Zanave”, Folklor nga viset e Dibrës, Tiranë 2010.
7. Yrjet Berisha, “Lirika popullore e Opojës”, Prishtinë 1977.
ObserverKult
Lexo edhe: