Lis në pikë të verës, u fala me diellin. Kocat e shpirtit krisën kadal
E sytë e dhimbjes m’plasën si kripa në zjarrm. Prajshëm rashë mbi hijen time,
Mbi gjumin e grigjës në zhegun e jetës, jonet e fyellit që dridhën bar e gjethe,
Mbi vajin e Ajkunës që thau gurë e dru për shtatë Omerat e vramë në shtatë net me hanë,
Në shtatë bjeshkë me orë të shitueme, mbi gjamën e Mujit që pa zemër mallkoi
Lugjet me ortiqe ushtuese që ushqejnë gurra krojesh të cemta.
Rashë trushull. Lapë gjethi nuk lujti. Era fshehu faqen e përlotur, lisat e rij
Nuk i ranë gjoksit, as u grrithën sysh. Veç pak e marrtë mu duk dreka
E livadheve që u erdhi bota rrotull si me pasë ba be rrejshëm.
Nuk po i binin në fije ku shkoi gjithë ai mal degësh grremça- grremça,
Ai trung nyje-nyje ku ruhej shpresa e vjetër e barit që vjet për vjet duronte
Kosën mbi krye, si u rropos ai qiell degzash, gembash e gjethesh.
Prajshëm u shemba shpinës së tokës. Bleta gjeti zgjue të ri, flatrimi i zogjve
sakaq u strukë në degë të reja. Bishtgërshanat vjetin tjetër kanë me mu sjellë
Mbi krye. Prej vorri kam me u çue t’i shoh çerdhet e reja të lodrimeve ku lindin
Agimet e ditëve të reja, t’i shoh thneglat që mbledhin verën në zemër të dheut,
Të dëgjoj cinkthin e natës, gjinkallat që shurdhojnë vapën, të ndjej si rreh zemra e vashës
Kur puthet për herë të parë me djalin. Në sy të zi le të kallet pastaj bota,
Tymi t’i dalë prej gjijve të borës, vetimës së verdhë të flokëve. Në sy të kaltër
Të tranden kodrat. Edhe shtatë pash thellë qofsha, kam me u çue
Para ditës së kjametit, të shoh ulurimën e ujkut që ruan andrrën e malit të vet,
Tu dalë para lisave që kanë me le nesër, të shoh dimnin e zi edhe njiherë
Si kërleshet mbas degësh, stuhinë si përplaset për drrasë t’krahnorit,
Kobe e korba të zateten, të thejnë qafën.