Ja çka mendonte dhe thoshte Federiko Garsia Lorka për Pablo Nerudën

Federico Garcia Lorka
Federiko Garsia Lorka

Neruda, sipas Federiko Garsia Lorka-s

Kjo që po bëj tani, quhet prezantim, në protokollin konvencional të konferencave dhe leximeve; por unë nuk prezantoj, sepse një poet me cilësinë e kilianit Pablo Neruda nuk mund të prezantohet veçse me të gjithë thjeshtësinë dhe, mbuluar nga historia ime e vogël prej poeti, po shënoj, po bëj një tërheqje vëmendjeje të ëmbël por të thellë.

Dhe po ju them të viheni e të dëgjoni një poet autentik, prej atyre që i kanë ndijimet e stërvitura në një botë që nuk është e jona dhe që pak njerëz e perceptojnë. Një poet më i afërt me vdekjen se me filozofinë; më i afërt me dhimbjen se me inteligjencën; më i afërt me gjakun se me bojën e shkrimit.

Një poet plot zëra të mistershëm, që për fat të mirë, vetë ai nuk di t’i deshifrojë; një njeri i vërtetë, që tashmë e di se xunkthi dhe dallëndyshja janë më të përjetshme se faqja e fortë e statujës.

Amerika spanjolle na sjell rregullisht poetë të frymëzimeve të ndryshme, të kapaciteteve e teknikave të larmishme. Poetë të ëmbël të tropikut, të rrafshnaltave, të maleve; ritme e tone të ndryshme, që i japin gjuhës spanjolle një pasuri të veçantë. Gjuhë tashmë familjare për gjarprin e dehur dhe për pinguinin e këndshëm të kollarisur.

Por jo të gjithë këta poetë kanë tonin e Amerikës. Shumë duken gadishullorë, të tjerë theksojnë në zërin e tyre vrulle të huaja, sidomos franceze. Por tek të mëdhenjtë, jo. Tek të mëdhenjtë brambullin drita e gjerë, romantike, e egër, e bollshme, e mistershme e Amerikës. Blloqe që janë gati të fundosen, poema të mbajtura mbi humnerë me fijen e një merimange, buzëqeshur me një mimikë të lehtë jaguari, dora e madhe e mbuluar nga veli që luan me delikatesë me një shami të qëndisur.

Këta poetë japin tonin e pacipë të gjuhës së madhe spanjolle të amerikanëve, kaq e bashkuar me burimet e klasikëve tanë; poezi që nuk ka turp të thyejë modelet, që nuk i trembet qesharakes dhe që zë të qajë befas në mes të rrugës.

Përbri zërit të mrekullueshëm të mjeshtrit Rubén Darfo dhe të zërit ekstravagant, të adhurueshëm, ëmbëlsisht të ngathët e fosforeshent të Herrera y Reissig e të ofshamës së uruguajanit dhe kurrë francez Conte Lautremont, kënga e të cilit mbush me tmerr agun e adoleshentit, poezia e Pablo Nerudës ngrihet me një ton të pangjashëm kurrë në Amerikë, me pasion, me butësi dhe sinqeritet.

Reziston përballë botës, përplot mahnitje të sinqertë dhe i mungojnë dy elementë me të cilët kanë jetuar shumë poetë të rremë: urrejtja dhe ironia. Kur do të ndëshkojë dhe ngre lart shpatën, gjendet befas me një pëllumbeshë të plagosur mes gishtave.

Unë ju këshilloj ta dëgjoni me vëmendje këtë poet të madh e të ngashëreheni me të; secili sipas mënyrës së vet. Poezia kërkon një nxemje të gjatë, si disa sporte, por ka në poezinë e vërtetë një aromë, një theks, një çast drite, që të gjitha krijesat mund ta perceptojnë. E dhëntë Zoti që t’ju shërbejë për të ushqyer atë pikël marrëzie që të gjithë mbartim brenda, që shumë e vrasin për të vënë dylbinë e urryer të pedantizmit libresk pa të cilin është mendjelehtësi të jetosh.

Shqipëroi: Zija Vukaj

ObserverKult

Federico Garcia Lorka
Federiko Garsia Lorka

Lexo edhe:

CAN YÜCEL: JETA ZGJAT AQ SA KE DASHURUAR