Ja kush janë 10 kandidatët për Poetin Laureat shqiptar

laureat

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë publik 10 kandidatët për titullin e Poetit Laureat shqiptar 2023-2025.

Komisioni për titullin “Poeti Laureat” i kryesuar nga poetja Sibel Halimi dhe anëtarë të tjerë; Poeti i parë Laureat Rudolf Marku, botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e kulturës Arta Marku dhe shkrimtari Ylljet Aliçkaj përzgjodhi 10 kandidatët për titullin “Poet Laureat” për dy vjeçarin 2023-2025.

Kandidatët janë:

Luljeta Lleshanaku,
Ervin Hatibi,
Natasha Lako,
Flutura Açka,
Sadik Bejko,
Rita Petro,
Arian Leka,
Preç Zogaj,
Ilirian Zhupa
dhe Entela Tabaku.

“Po jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po e zëvendëson njeriun, duke e shndërruar mbase edhe vet këtë të fundit në një makineri që njeh veç iluzionin virtual, larg realitetit, shpirtërores. Në këtë rend të ri shoqëror e kulturor, letërsia është shpëtimi i vetëm. “Poeti Laureat” do të shërbejë jo veç si promotor i poezisë si zhanër letrar por edhe si urë lidhëse e letërsisë me gjeneratat e reja”, u shpreh drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.

Ndërsa Sibel Halimi nën cilësinë e Kryetares së Jurisë së “Poetit Laureat”, tha se ishte kënaqësi që njoftuan adhuruesit e poezisë për parimet bazë, që do të ndiqen gjatë procesit për ndarjen e këtij titulli, më të rëndësishmit në fushën e poezisë “Poeti Laureat”.

Poeti Laureat shqiptar duhet të jetë një personalitet me ndikim në fushën e poezisë, ndërsa për herë të parë këtë vit 10 kandidatët do ti nënshtrohen verifikimit të pastërtisë së figurës.

Titulli i Poetit Laureat i jepet një emri të konfirmuar dhe ndërsa bart përgjegjësi e vlerësim, përbën edhe sfidë për shkak të buxheteve dhe perceptimit të braktisjes së librit nga Lexuesi.

Poeti i parë Laureat shqiptar është Rudolf Marku.

ObserverKult

Kliko edhe:

I NOMINUAR PËR “POETIN LAUREAT”, VISAR ZHITI LETËR TË HAPUR QENDRËS KOMBËTARE TË LIBRIT DHE LEXIMIT: JU LUTEM HIQNI EMRIN TIM!

Duke u dëshiruar mbarëvajtje librit dhe lexuesit, një marrëdhënie të pandarë midis tyre, të dashur dhe të bukur, i drejtohem Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Arsyeja është se kjo qendër në Facebook po nxjerr radhazi emrat e kandidatëve për poetin laureat të vitit.

Sot pashë emrin tim. Nuk e di a ka juri të caktuar për përzgjedhjen, që t’i drejtohesha dhe nëse vetë autorët e kërkojnë këtë  titull a duhet të paralajmërohen.

Unë kërkoj që emri im të mos jetë në këtë konkurim, duke falënderuar për konsideratën.

Arsyeja nuk është vetëm pse tani nuk jam në atdhe dhe largësia duket se do të krijonte pengesa, edhe pse të tejkalueshme për botën moderne sot. Por dhe nëse do të emërohesha vërtet, sepse më thonë që kështu veprohet, unë nuk e di se cila është detyra, të paktën në Shqipëri.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult