Zona e Mesdheut Lindor, është veçanërisht e prirur për tërmete dhe rrëshqitje nëndetare të afta për të gjeneruar cunami. Është hipotezuar se në 6.000 vitet e fundit, në rajon kanë ndodhur shumë tërmete shkatërruese, sa për të lënë pas depozitat tipike të një cunami për çdo 160 vjet.
Pra po flasim për fenomene deri diku mjaft të shpeshta, të afta për të shkuar deri edhe disa qindra metra në brendësi të brigjeve, të cilat në Mesdhe, janë kryesisht të populluara dendur. Tani një studim i botuar në “PLoS ONE”, spekulon se një cunami edhe më i madh goditi rajonin midis 9.910 dhe 9.290 vjet më parë në bregdetin veriperëndimor të Izraelit.
Guackat në thellësi të Tokës
Ndërsa po përpiqeshin të rindërtonin ndryshimet klimatike që kanë ndodhur në bregdetin izraelit gjatë 12.000 viteve të fundit, antropologët e Universitetin e Kalifornisë në San Diego gjetën gjurmë të sedimenteve detare – rërë dhe guacka– në brendësi të Tel Dor, në jug të Haifas, midis 1.5 dhe 3.5 km nga vija bregdetare antike.
Depozitat detare ishin derdhur kaq shumë në brendësi të tokës, saqë kishin pushtuar një moçal antik me ujëra të ëmbla. Sipas autorëve të studimit, e vetmja ngjarje natyrore e aftë të shkaktojë një gjë të tillë mund të ketë qenë një cunami me dallgë 16–40 metra të larta.
“Një lartësi e këtij lloji, është e mundur në këtë rajon”- shpjegon Luixhi Binjami, gjeolog dhe shkrues i materialeve shkencore. Sipas tij, në Detin Mesdhe ka pasur cunami edhe me dallgë 50 metra të larta.
Por a është kjo e mundur, në një pellg relativisht të mbyllur dhe të vogël si ai i Mare Nostrum? “Madhësia e detit nuk ka asnjë lidhje me cunamin. Dallgët e larta varen mbi të gjitha nga lloji i bregdetit që ndesh vala e gjatë kur arrin në tokë pas një tërmeti të fortë.
Nëse pjerrësia e shtratit të detit është shumë e butë, vala depërton shumë thellë, por nuk ngrihet shumë. Nëse, nga ana tjetër, shtrati i detit afër bregut është mjaft i ngritur, dhe tërmeti ka qenë mjaftueshëm i fortë për të dërguar shumë dallgë njëra pas tjetrës, mund të formohen një ose dy dallgë me një lartësi prej dhjetëra metrash.
Mjafton të mendoni se një rrëshqitje dheu në një nga fjordet në Norvegji, shkaktoi një dallgë 150 metra të lartë! Dhe po të flasim vetëm për një fjord. Tërmeti në Katanias në vitin 1908, që shkaktoi mijëra të vdekur, u shoqërua me një cunami me një dallgë rreth 10 metra të lartë”- thotë Binjami.
Po si shkaktohet një cunam?
Gjeofizikantët bien dakord mes tyre se për të pasur një cunami duhet të ketë një tërmet të paktën me magnidutë 7.0. Përndryshe, shtrati i detit nuk mund të lëvizë lart e poshtë për të krijuar këtë lloj dallge. Gjithashtu, që të ndodhë ky fenomen, tërmeti duhet të jetë shumë afër sipërfaqes. Pra, jo më poshtë se 20-30 kilometra nga shtrati i detit”.
Shkaku që i nxit ato?
Në fakt, analiza e stalaktiteve në një shpellë në afërsi të malit Karmel (Har ha Karmell, në Galile të Izraelit), zbuloi shenja që përputhen me një tërmet të fortë që ndodhi rreth 10.000 vjet më parë. Mbetjet e dy rrëshqitjeve nënujore, të afta për të gjeneruar cunami të kësaj shkalle, janë zbuluar nga hartëzimi i shtratit të detit.
Por këtu kronologjia është më e pasigurt. Gjithsesi, ai duhet të ketë ndodhur 17.000 vitet e fundit. Me siguri që një ngjarje e këtij lloji, arriti të zhdukë çdo shenjë të vendbanimeve njerëzore në atë pjesë të bregdetit. Por duke konfirmuar frymën e adaptimit të njeriut, të aftë që të rimëkëmbet edhe nga ngjarjet më shkatërruese natyrore, në zonë kanë dalë në dritë edhe gjurmët e banimit të mëvonshëm të qëndrueshëm, duke filluar nga të paktën 8.000 vjet më parë./Focus-Bota.al