Jaime Sabines: Të dua dhe të urrej…

Nga Jaime Sabines

Të dua në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë, edhe në dymbëdhjetë të ditës.
Të dua me gjithë shpirtin dhe trupin tim, nganjëherë, edhe pasditeve me shi.

Por në dy pasdite, apo në tre, kur vihem e mendoj për ne të dy, ndërsa ti mendon për të gatuar apo për punët e ditës, ose edhe për argëtimet që të mungojnë, vihem të të urrej shurdhërisht, me gjysmën e urrejtjes që kam për veten time.

Pastaj, të dua përsëri, kur flemë bashkë dhe ndiej se je bërë për mua, se këtë ma thonë gjunjët dhe barku yt dhe duart e mia më bindin për këtë, se nuk kam vend tjetër ku të prehem, ku të shkoj, më mirë se tek trupi yt.

Ti vjen e tëra në krahët e mi dhe të dy zhdukemi për një çast, futemi në gojën e Zotit, deri sa unë të them se kam uri ose më vjen gjumë.

Çdo ditë të dua dhe të urrej në mënyrë të pandreqshme.
Gjithashtu, ka ditë, ka orë, kur nuk të njoh, kur më je e huaj si grua e tjetërkujt. Më shqetësojnë burrat, shqetësohem unë, më shpërmendin pikëllimet.
Ka mundësi që të mos mendoj për ty për shumë kohë.
Siç e shikon, kush mund të të dojë më pak se unë, o shpirti im?-

Në shqip: Bajram Karabolli


Lexo edhe:

NGA REXHEP QOSJA, PËLLUMB XHUFI, FATOS TARIFA…, INTELEKTUALËT SHQIPTARË ME PETICION: LARGONI SHARLATANËT NGA EKRANET, SHKELIN EDHE GJUHËN SHQIPE