Janis Ricos: Do vijë një natë dhe ne s’do jemi…

Nata na përgjon mbas gjethnajës së yjeve.
Natë e bukur, e heshtur. Do vijë një natë
dhe ne s’do jemi. Por edhe atëherë
do këndojnë misërishtet këngët e tyre të moçme,
korrëset do bëjnë dashuri ndanë dengjeve
dhe mes vargjeve tanë të harruar,
ashtu si mes kallinjve të verdhë,
një fytyrë rinore, e ndriçuar nga hëna,
do soditë, sikundër edhe ne sonte,
atë renë e vogël në ngjyrë argjendi,
që priret dhe mbështet ballin te supi i kodrës.

Përktheu: Romeo Çollaku