
(Burgu i mos pranishëm i krijuesit Ismail Syla në librin “Manifest në brinjë”, ShB “Artini”, Prishtinë, 2025)
Nga Januz Januzaj
Përmes librit me lirika burgu, “Manifest në brinjë” Ismail Syla u kthehet motiveve të burgut pas dyzet e pesë viteve dhe i familjarizon me ndriçim të ri për lexuesin e sotëm. Rikrijimi i asaj përballjeje të kahershme që ka shkuar shndrit në dy anë: rishfaqja e jetës mes mureve si një vetëflijim dhe kundërshtimi ndaj ngujimit, si jetë tjetër paralele deri te vetë liria. Ismail Syla, aty, në ato vargje, është ideal që nuk lidhet, që nuk shtypet, që nuk shuhet dhe që nuk kapërcehet, kurrë:
“Çdo mëngjes,
sytë e mi shikojnë murin.
Por në brendësi, është një horizont
që nuk plaket’’.
Mosha djaloshare e kaluar në burg, të cilin e ngrenë rang metafore si “Libër i mbyllur me kapakë prej guri” autorin nuk ka arritur ta mbajë në të kaluarën. Ismaili është këtu dhe tash, pavarësisht kthimit në të kaluarën. Ai nuk ka qenë dhe nuk ka mbetur i burgosur i hiçit. Ngjyrat e ndjenjave të idealit ndriçojnë nëpër të gjitha vargjet e këtij cikli poetik deri te fryma, po thuajse e metamorfizuar.
“Nuk jam më njeri.
Jam hekur që rritem
në brinjët e mia.’’
Ismail Syla, iu ka kthyer së kaluarës me gjallëri të papritur, me një nostalgji optimiste, në njërën anë, dhe me një etje shkrumb për jetën djaloshare, në anën tjetër. Kthimi i tij në atë mynxyrë, është kthim kundër të paprekshmes, kundër një superstrukture robëruese. Është kthim në një kryengritje kundëregoiste, një zemërim deri në mallëngjim për lirinë individuale. Ëndrra e autorit për të (pa)arritshmen, e cila vetëm si fjalë, si nisje është ëndërr, është rruga për arritjen e idealit, synimi për tërësinë. Tërësia njerëzore nuk i përket rënies, vdekjes e as fundit, ajo e synon idealin – lartësinë.
Ismail Syla, përmes vargjeve për jetën e burgut, të rrëmben me goditje të lehta, të thella e të sakta. Me çiltëri njerëzore, me madhështi shpirtërore, me mprehtësi thjeshtëzuese intelektuale vrazhdësinë e burgut e bën humane, por nuk e amniston, e bën shpirtërore, për ta nxjerrë në dritë më mirë natyrën antinjerëzore të burgut. Përballë tij, sikur përballë lirisë, tërë aparati shtypës e robërues jo vetëm që ligen por, shpeshherë, mbeten pa peshë specifike. Ky është autori, një krijues magjistar i ëndrrave liridashëse në besim të së nesërmes dhe, i cili besim, në të ardhmen, do ta marrë fuqinë, pikërisht, prej mospajtimit me të tashmen. Një kryengritje e papërmbajtshme, një transformim maestral.
Ismaili krijues, është tërësia e njeriut; me butësi për atë që nuk ka qenë, me mospajtim për çdo çast të përjetuar, me një gjenialitet djaloshar arrin t’i afrojë, bile edhe t’i bashkojë urtësinë me mospajtimin. Afrues i ajrit e dritës, sikur nuk do t’i vërejë skajet e ndarjeve. “Verbëria” e tij ndaj tiranisë vertikale, e vërteta në një vend pa ajër, aftësia që të shoh përtej mureve e hekurave, për autorin, janë pjesë përbërëse të një tërësie dhe ideali i tij është që ta zgjojë, ta shkundullojë thelbin e njeriut, çlirimin nga robëria. Ky krijues përnjëherë, sikur i ka kaluar idealizmin, realizmin e surealizmin.
Ismail Syla nuk e shikon burgun, ai e parashikon atë. Aftësia e tij metaforike nuk është arritje për të shikuar, ashtu siç ngritja e tij nuk është kapërcim i burgut, edhe pse sikur, ai, në atë burg ,,nuk është’’. Ajo, që për të ekziston, ende nuk është, ose është vetëm ekzistencë potenciale. Ajo që ka burgu është dhunë, humbje, uri, pamje kaluese. Njeriu, Ismaili, është fryma e lirisë, besimi, fituesi. Ismail Syla, për çdo dhunë burgu, ka reagimin, kundërshtimin, mospajtimin, kryengritjen metaforike. Ai, primitivizmit nuk i përgjigjet me primitivizëm; përherë qëndron mbi atë barbari. Ai është metaforik sa edhe kryengritës. Parimi i metaforës së tij është parim i reagimit, i lirisë së tij të brendshme, i atij idealit për të cilin i gëlltitë të gjitha shijet:
“Në tokën e mungesës
padukshëm e ngul një shtizë
Askush nuk e rrëzon flamurin
e valëvitur nga fryma ime.’’
Këtu, ndërgjegjja çlirohet me fjalët metaforike përmes identitetit, përmes kundërshtimit të të gjitha normave të sistemit, edhe përmes refuzimit e përballjes me ftohtësinë e fuqisë së pakuptimtë…
“Muret nuk më flasin më.
I kam mësuar përmendësh.
Tani dëgjoj çfarë heshtin.’’
Imagjinata e tij gjuhësore, edhe fonetike edhe gramatikore, është afruese, edhe pse, në lexim të shpejtë, duket vetjake, është kundër individuale, një miqësi humane, si burim përcaktues i kësaj fryme dhe i këtij shpirti fjalësh:
“Fli shqip,” më tha nëna në ëndërr,
“që të mos ta vrasin zërin.’’
Ky shpërthim, këto fjalë prej burimit të ekzistencës, nuk janë fjalë të takuara a të ndrequra, rastësisht. Ismaili ka krijuar sistem të tyre. Identiteti i kësaj poezie është identitet i lirisë së domosdoshme. Fjala është produkt i zhvillimit shoqëror, por komponenti i saj human sublimohet ku ajo bëhet vetëdije çlirimtare. Aty ku ajo kundërshton, qoftë edhe në heshtje, lartësohet edhe me tingëllim edhe me mendim. Mu për këtë, liria e fjalës është liri e njerëzimit. Edhe pse fjalët kryengritëse për liri, në shumë poezi, sikur të lënë përshtypjen se janë të shpirtit, ato, apriori, rrjedhin prej mendjes dhe idealeve. Ismail e di se ku dhe kur ndodhet (hapësira, koha) mirëpo ndërgjegjja e tij nuk mbetet në rrathët e sipërfaqes ditore, të mbikëqyrur në të gjitha dimensionet, në të cilën rrjedhin vrazhdësitë e qenies së quajtur njeri. Ai ndeshet me atë realitet potencial, të cilin duhet ta ndryshojë, ta mund , apo edhe prej të cilit duhet ,,të lirohet’’. Poezia e Ismailit është ndryshimi i atij realiteti potencial në ,,realitet të vërtetë’’:
“Çdo natë dëgjoj hapa larg.
Nuk janë rojet.
Janë hapat e lirisë
që ende nuk kanë mbërritur.’’
Është i vetëdijshëm për nivelin e normës statistikë, sikur edhe për rrugëtimin me identitetin e tij nëpër tehun e ferrit. Vargjet e ciklit të burgut të vijnë si një liri e pashfrytëzuar, apo liri që e ha veten, të vijnë si vargje të një shprese premtuese në rënie. Poezitë janë vertikale, e mbrojnë, e mbajnë njëra tjetrën deri në piramidë. Janë poezi qenie:
“Në gjumë fola shqip.
Fjalët më dolën pa frikë.
Ndoshta ëndrra
është liria më e lashtë.’’
Ato sikur mbijnë si pemë, rriten me trung dhe atë ,,natyrë’’ e pushtojnë me aromën e kurorës. Arritje, me të cilën shfaqet liria, si kusht i domosdoshëm i qenies, jo liri e dëshirës. Natyrë e lirisë ekzistenciale. Natyrë si vetë liria, apo liri e kësaj natyre. Me fuqinë e saj reale, ajo poezi është mohim i pushimit (dorëzimit) dhe mohim i zbrazëtisë për një gjakim autentik të identitetit. Reagimi njerëzor tek Ismail Syla është rrjedhë e fuqishme, edhe patetike, e idealeve ndaj një vorbulle të një sistemi hekur. Aty vijnë dhembja e dëshira, ëndrra e jeta, besimi e pritja. Spiralja shpirtërore e Ismail Sylës, lirinë e prekë si një mohim i interesave vetjake për ta afruar e lartësuar njeriun me botën e lirë. Madhështia e lehtësisë fluturuese, në kohë e në hapësirë, e Ismail Sylës, buron prej trurit e trungut të idealeve të tij të Vendlindjes. Atë, një sistem shekullor i dhunës e ka lidhur në burg, por Ismail Syla, kurrë, nuk ka qenë i burgosur; ai as që ka menduar dhe as që mendon ta ketë atë identitetin e quajtur Ekzistencë diku Tjetër përveç se në Truallin e tij – në Liri. Ai është poet i Lirisë!
Lubozhdë, 29 maj, 2025
ObserverKult
Lexo edhe:






