Java e Albanologjisë në Prishtinë/ Gjinushi: Albanologjia të na bashkojë në nisma të mëdha

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ka marrë pjesë në hapjen e “Javës së Albanologjisë”, organizuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë.

Në fjalën e tij, Gjinushi u shpreh se globalizmi është një prirje sunduese në rrjedhat e qytetërimit të sotëm botëror dhe shqiptarët kanë dëshmuar se janë të përgatitur për të jetuar e mbijetuar në identitetin e tyre historik edhe në kushte të kësaj prirjeje.

“Gjuha shqipe, qytetërimi shqiptar e ai parashqiptar, i kanë përballuar ndër shekuj sfidat e mbijetesës: edhe në kushtet e eklipsit të ndriçimit antik helen e romak; ballas me pushtetin e gjuhëve perandorake në Perëndim e në Lindje. Pikërisht kjo përvojë është dëshmia e vitalitetit të trashëgimisë shqiptare dhe themeli i optimizmit tonë për të ardhmen. Ndërkomunikimi midis gjuhëve dhe kulturave në kushtet e sotme, kur bota është kthyer në një “little village”, asnjëherë nuk ka parakuptuar që të sheshohen identitetet etnike, gjuhësore, fetare dhe kulturore. Janë këto arsye dhe është ky kontekst pse janë me shumë vlerë aktivitete e studime të tilla dhe pse ne jemi duke u kushtuar një vëmendje parësore tri veprave madhore në albanologji: “Historisë së shqiptarëve”, “Fjalorit të madh të shqipes” dhe “Enciklopedisë shqiptare”. Ne duam t’i promovojmë vlerat tona kombëtare për veten dhe për të huajt. Sot çështja shqiptare ka marrë një rëndësi rajonale, numri i institucioneve që merren me të është shumë i madh, e ardhmja e përbashkët në Europë do të rrisë edhe më shumë peshën e saj. Prandaj duhet të jemi gati dhe të kemi pasaportat tona shpirtërore identitare që do të shprehen edhe përmes këtyre veprave. Në kohën e sotme kush ka identitet ka pavarësi. Pavarësi në kuptimin klasik të fjalës ndoshta nuk ka më, por identitet në kuptimin e kryehershëm të fjalës ka pasur e do të ketë gjithnjë. Gjej rastin të falënderoj Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj dhe mikun tim Mehmet Kraja për konvergjencën tonë të vendosur qysh në fazën e ideimit të këtyre iniciativave; si dhe profesor Hysen Matoshin për gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e tyre. Marrëveshjet e nënshkruara për këtë janë besimdhënëse për t’ia dalë me sukses bashkërisht”, tha ai.

Në vijim, Gjinushi shtoi se “Java e Albanologjisë që po nis sot këtu mund të konsiderohet një prolog i bukur i kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike që do të zhvillojmë së bashku në Tiranë këtë vit më 25-28 nëntor, me pjesëmarrjen e studiuesve shqiptarë dhe të përfaqësuesve më të shquar të dijeve albanologjike në të katër anët e Botës. Ky do të jetë një rast i shkëlqyer jo vetëm për të paraqitur gjendjen e kërkimeve dhe të studimeve sot në albanologji; arritjet dhe problemet; tezat dhe hipotezat; debatet dhe pajtimet; por edhe për të rrjetëzuar qendrat e albanologjisë, aktorët dhe faktorët e saj, duke mundësuar ndërkomunikimin e vijueshëm në lartësinë e sotme të shoqërisë së informacionit dhe të “e-sciences”.

“Përfitoj nga ky rast i bukur që, në emër të komitetit të përbashkët organizues, të përsëris ftesën për çdo studiues të interesuar për të marrë pjesë si kontribuues në kuvendin e studimeve shqiptare. Kufijtë shtetërorë dhe juridiksioni i qeverisjeve nuk janë në dorën tonë, por gjuhën, kulturën, letërsinë, identitetin, i kemi një e të përbashkëta, prandaj albanologjia le të na bashkojë në nisma të mëdha. Ju sot keni vendosur gjithashtu të nderoni një nga anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademikun tonë Jani Thomai, duke i akorduar atij titullin e “anëtarit të nderit” të Institutit Albanologjik, për çka ju falënderojmë paraprakisht”, tha Gjinushi./ATSH

LEXO EDHE: U mbajt konferencë shkencore për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë