Je i ri dhe dëshironi të shkruani… ja këshilla e Borgesit për ju

Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges për shkrimin, librin dhe poezinë

“Një të riu që do të dëshironte të fillonte të shkruante, do t’i thoja çfarë dikur më pati thënë babai im: që gjithnjë të shkruante veç kur të ndiente nevojën thelbësore për të shkruar, pa asnjë nxitim për t’u botuar; e gjithashtu që të lexonte sa më tepër, por vetëm të lexonte çfarë mirëfilli e grish vërtet. Një libër nuk duhet doemos ta lexojmë meqë qenka i vjetër, ngaqë mund të jetë fort modern, sepse është i famshëm ndoshta, thjesht nevojitet të lexojmë librat që na tërheqin. Babai më pati ofruar bibliotekën e vet, ishte një bibliotekë mjaft e madhe, me plot libra në anglisht. Pata lexuar pafundësisht, sikurse vijoj të lexoj akoma, për shembull, Kiplingun, Një Mijë e Një Net, Kishotin, Fakundon, shumë libra, paçka se nuk janë të tepërt. Ende lexoj të njëjtët libra. Italisht nuk di, por Komedinë Hyjnore e kam lexuar dhjetë a dymbëdhjetë herë.
Gjithçka që shkruaj është biografike. Meqenëse jam njeri i ndrojtur, kështu arrij t’i them të gjitha tërthorazi. Fare nuk kam sajuar sidoqoftë, as personazhe, as situata përkatëse. Gjithçka që haset në librat e mia, më ka ndodhur vërtet, ndonëse jo në mënyrë aq mbresëlënëse, jo aq dramatikisht, por janë ndodhi të miat gjithsesi. Rrjedhimisht, çfarë shkruaj është pak a shumë një rrëfim.
Letërsia është një art i rangut më të epërm. Shkencat vazhdimisht ndryshojnë e përditësohen, kurse Odiseja, pasi ishte shkruar, e tillë ka për të mbetur përgjithmonë. Kur diçka shkruhet mahnitshëm, përherë e tillë mbetet, qoftë nëse është shkruar në lashtësinë e largët, në shekullin XVII apo në ditët e sotme, njëlloj është.
Ndërsa poezia është nevojë e përhershme e jona. Kam bindjen se gjithçka ndryshon. Përbërja e planeteve dhe shteteve ka për të ndryshuar një ditë me siguri; por poezia do të mbetet nevojë e përhershme.
Nëse tërë librat do të digjeshin, gjithçka që gjer më sot është shkruar, njeriu sërish do t’i shkruante veprat më të arrira, mbase në mënyrë të ndryshme, pa dyshim, por thelbësisht do të ishin prapë identike me veprat e dikurshme”.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult

Jorge Luis Borges

Lexo edhe:

KURTI: NË VEND TË ARTISTËVE, SERBIA DJE IA DHA FJALËN GRUPEVE TË HULIGANËVE