Jeff Weddle: Tufa e rreshtuar

Të gjithë janë në radhë
për diçka të panjohur:
Sy të kaltër, sy të bojëkaftë, të gjelbër, ngjyrë lajthie.
Vrasja e të pafajshmëve dhe fajtorëve.
Të shtënat me armë po aq të zakonshme sa kërcitjet e gishtave
dhe njerëzit më nuk i ke.
Dikur të gjithë e dinin se çka ishte e drejtë
por e vërteta ka humbur nën flamuj,
nën kryqe dhe nën grumbuj parash.
Thuaje troç: Gënjeshtarët janë të këqij
dhe janë ekspertë në dallavere,
por kur gjaku i njeriut tubohet te këmbët tona
a do të godasë Epifania?
Ata në radhë për therje
nuk e dinë se janë të zgjedhur.
Ditët e tyre janë si dita juaj.
Ata janë të dhënë pas punës së tyre
njashtu si ju,
ose bash ashtu si fëmijët tuaj.
Kur është radha e tyre,
sall disa do të habiten,
edhe pse të gjithë do të bashkohen të tmerruar.
Askush nga ne nuk e di se në çfarë radhe jemi.
As unë, as ju, as fëmijët.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

ALLEN GINSBERG: PAQE NË BOSNJE DHE HERCEGOVINË