Shpirti, që i formon njerëzit e ndershëm, ka fuqinë magjike të ndezë dashurinë te të tjerët. Nuk janë vetë virtytet në vetvete, por shpirti ynë, i paisur me virtyte që i bën për vete njerëzit e tjerë, ndjekës të së njejtës rrugë. Kur një njeriu nuk i njihen virtytet e brendshme, të cilat vlejnë si shembull edhe për të tjerët, atë njeri nuk mund ta dashurojë askush shumë. Po të ishte se bukuria, e shkëputur nga shpirti, do të ndizte një afeksion të tillë, atëhere ne kishim për të pëlqyer dhe dashuruar edhe një lule, një qiell të bukur, një poemë të bukur. Kështu, edhe një pjesë e lumturisë sonë do të varej prej këtyre, ashtu siç ndodh me dashurinë në mes të njerëzve.
Pra, nuk mund të thuhet se dashuria lind vetëm nga bukuria e pamjes së njeriut. Kjo te njeriu i gjallë nuk mund të shkëputet nga mendimi dhe dëshirat e brendshme të tij. Edhe pse ndoshta bukuria njerëzore kur nuk mund të gjendet më tepër se sa në pikturat dhe statujat e me figura vashash ose djemsh, ne këto vepra artistike vërtet i sodisim të mahnitur, por nuk biem në dashuri me to dhe as na shkon mendja për një gjë të tillë.
Dashuria është diçka si një rrymë e shenjtë e shpirtit të gjallë, që në vetminë e botës fizike na bën për vete me forcën e saj tërheqëse dhe, së bashku me bukurinë, që është e një burimi me të, na premton lumturi në krahët e saj, larg andrallave të botës.
Në lashtësi adhurohej një dashuri qiellore dhe një dashuri tokësore.
Për dashurinë tokësore, është thënë me të drejtë se kjo mund të përcaktohet si një lëvizje e njeriut për të arritur kënaqësi dhe zakonisht qetësohet kur e arrin këtë kënaqësi. Kjo lëvizje drejt kënaqësisë, kur mbetet e paplotësuar, vazhdon gjersa bukuria që e shkakton lëvizjen, të mos ketë shterrur krejt. Gjatë realizimit të saj, dashuria vjen duke u shuar së bashku me afshin e shpirtit apo, ndoshta ngaqë zotërimi fizik nuk i jep atë kënaqësi të brendshme, që së jashtmi dukej aq tërheqëse.
Por, kur dashurohemi (duhemi)*, ne nuk ndjejmë vetëm dëshirë (maall), por jemi të pushtuar plotësisht nga një afeksion i lumtur qiellor.
Ata që dashurohen vetvetiu i shfaqen njeri-tjetrit me atë bukuri që më shumë i vete dashurisë së tyre. Ata kuptojnë, gjithashtu, se çka mendon njëri për tjetrin dhe kjo gjë shfaqet përmes fjalëve, fytyrës, zërit e kështu me radhë. Nderimi për njëri-tjetrin, pra, dhe simpatia në mes e tyre janë burimet e kësaj dashurie. Kundër këtij pohimi nuk mund të vlejë as fakti se ka raste kur njeri mund të dashurohet fort edhe me një grua të egër e të ashpër, megjithëse kjo nuk është dashuria për të cilën e kemi fjalën…
Prapa egërsisë apo ashpërsisë së kësaj gruaje fshihet ose shfaqet butësia e njeriut, që ndjen t’i rrahë zemra me dashuri për të dhe që kështu i pëlqeu, apo sepse kështu ka ndjerë një herë ai për te dhe tani shpirti i tij shkrihet, duke kujtuar me vuajtje çastet e para të asaj njohjeje.
Kur vemë re me vëmendje se ajo që e mbështjell natyrën tonë, është e fshehur me dashurinë dhe prandaj mund të nxjerrim këtë përfundim të rëndësishëm rreth karakterit të nderimit që na bëhet prej të tjerëve: “Ambicia e njerëzve, për të cilën përpiqen fort, është –të nderohen. Kjo dëshmon se njerëzit janë të vetëdijshëm për ndonjë të metë të tyren, të cilën mund ta shërojë dhe ta ndreqë opinioni i mirë i njerëzve përreth. Kështu, në themelin e shqetësimeve tona gjithë jeta është dëshirë këmbëngulëse për të qenë të nderuar nga bashkëkohësit tanë. Andaj, jeta, që duket në sipërfaqe si një varg ambicjesh të kota, në të vërtetë është e mbushur plot e përplot me një trishtim të thellë.”
Gjithashtu, duket se njeriu i ndërgjegjshëm për natyrën e tij të brishtë, e gjen dhe qetësinë e tij më të madhe te dashuria e një shpirti të paisur me virtyte, te një krijesë tjetër mbi tokë ku jetojmë ose, po ta shikojmë nga ana tjetër, na duket se në përpjekjet e tij për të ruajtur dhe për të ndjekur shembullin e njerëzve të ndershëm në mes vuajtjesh dhe të këqijash, për njeriun dashuria është e vetmja portë e hapur, nëpër të cilën vjen kënaqësia shpirtërore.
Trimi-Moj ti, pulza këmbaleshe, çë kërkon ndër ata sheshe?
Vasha- U kërkoj nj’degëz moll, mirrem mua se jam e holl.
-Moj ti, pulëza këmbaleshë çë kërkon ndër ata sheshe?
-U kërkoj nj’ degëz dardh, mirrem mua se jam e bardh…
-Moj ti, pulza këmbaleshe, çë kërkon ndër ata sheshe?
-U kërkoj nj’degëz sheg,
mirrem mua se jam si nj’breg.
-Moj ti, pulza këmbaleshe,
çë kërkon ndër ata sheshe?
-U kërkoj nj’dehëz ftua,
mirrem mua se t’dua.
Andaj një vashë me bukurinë, nderimin e lartë e dashurinë ndaj nesh na bën për vete më shumë sesa vetë bota. Dhe gjoksi ynë na duket si një falëtore e vetë idesë me natyrë parajse. Në atë rast, bukuria e vashës na shtyn ta adhurojmë, ta imitojmë dhe ta arrijmë. Dashnori është shembull i gjallë me fuqi të madhe përsosjeje, sepse duket sikur flaka e dashurisë së përbashkët i zhduk të metat.
Ndoshta dashuria është ajo që i zbulon gjenisë njerëzore idealin e bukurisë. Shpirti i ndezur prej saj nuk i largohet virtytit më intim, që e bën të vetëtijë në çaste afeksioni për njëri-tjetrin. Kjo veti është gjithmonë aq e lartë dhe e përsosur, saqë njeriu i dashuruar nuk shikon asgjë veç vashës së tij dhe çdo gjë ia drejton asaj.
Flaka e dashurisë duket sikur shuan edhe dallimet individuale dhe kështu dy qëniet bashkohen edhe në mendime. Është vënë re se afeksionet e trupave të dy dashnorëve vihen në lëvizje gati njësoj dhe në simpatitë e tyre, ashtu siç vihen në lëvizje edhe ujërat e deteve të ndryshme nën ndikimin e trupave qiellorë. Në mendjet e dashnorëve, të kthejellta si qielli i gjërë, zotërojnë mendimet që i pëlqejnë njëri-tjetrit. Nga gjendja e shkëlqyer që ndjejnë në vetvete, për hir të së cilës çdo gjë tjetër duket e vogël, ata, krahas dashurisë, gjejnë te njohja e njeri-tjetrit edhe paqen hyjnore dhe e ndjejnë thellë se gjërat e dheut, që duken si “pasuri” nuk janë asgjë dhe prandaj me gëzim i falen njeri-tjetrit. Bota qëndron nën këmbët e tyre, e krijuar për të qenë e përbashkët dhe e bijve të saj, të lindur këtu vërtet si vëllëzër e motra.
Dhe në shpirtërat e tyre të ndezur flakë nuk ka vënd për asnjëfarë frike. Së jashtmi erërat që sulmojnë qelqet e dritareve tona, erërat e akullta nga borërat e veriut që presin si brisk, erërat e forta që u shkulin gjethet drurëve duke i marrë me vete , të gjitha këto duket sikur na thonë se edhe ne do të ikim, sikur na kanosin me shkatërrimin tonë, sikur kërkojnë të na largojnë me forcë nga kjo tokë, së cilës i përulemi duke qenë harrimtarë. Edhe valët monotone të detit, që duket sikur na masin kohën, që ngrihen nga gjiri i oqeanit si humnerë, përleshen me njëra tjetrën dhe humbin, na sjellin ndër mend vdekjen tonë. Kështu, të gjitha zërat e kësaj toke, sikur të buronin nga qielli, na flasin gjithmohë për amshimin dhe vdekjen. Dhe, në mes të zërave që buçasin, humbin cicërimat e zogjve dhe zëra të tjerë, gati të mbytura pranë nesh dhe tok me ne, të përfshirë në një fat jetëshkurtër.
Por shpirtrat që ndodhen në zonën mbitokësore të dashurisë, asgjë nuk i trondit. Andaj këta, duke i dëgjuar e duke kuptuar të gjitha këto, kanë të drejtë të thonë: “Ne këtu do të rrimë, në mes të rrjedhës së sendeve e ngjarjeve që ikin e nuk kthehen; kjo kohë është jona!.” “Kjo është dita e krijuar nga Zoti që të gëzohemi e të kënaqemi me të !’’. Edhe sikur herë pas here në këtë gjendje plot lumturi të ndërhyjë melankolia, kjo ndodh vetëm kur jemi të lodhur e prehemi; dhe vetëm në çaste të tilla na pushton mendimi se edhe dashuria, mbi të cilën ne mbështetemi, është e hajthshme dhe e vdekshme.
Oh! Po përse dashuria nuk është e përjetshme?
Pikërisht lumturia që lind prej saj ndër gjithë imazhet e jetës të lartësuara me fjalë, tinguj e të tjera si këto, është ajo që të jep kënaqësinë më të thellë, më të pakalueshme dhe më të gjallë. Dëshminë për këtë të vërtetë na e jep teatri, ku njerëzit gjithmonë shkojnë për të shikuar ngjarje të ndryshme me temë dashurinë. Për këtë unë anoj nga mendimi se kjo gjendje kalon në jetën e tij. Pra, duke marrë pjesë në shfaqje të tilla, secili përfytyron, pak më qartë apo pak më turbullt, agimin e lumturisë, që e pret çdo njeri në botë, edhe pse, pas mbarimit të shfaqjes, shikuesit largohen me dëshira të paplotësuara.
*Shkëputur nga libri i Jeronim De Radës: “Parime të estetikës”
Përgatiti: ObserverKult