Nga Xhahid Bushati
Ana Gjini (Shala) kishte më shumë se një dekadë që kishte ardhur aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, kur u takuam për herë të parë. Të shoqin Simonin (Monçin) e kisha njohur më parë.
E kisha mik të mirë. Nuk e harroj atë takim, me atë dritë mirësie në sytë e saj, me një përzemërsi, që, siç duket ishte bërë shumë shpejt “shkodrane”.
Ana lindi, më 03.04.1942, në Tiranë. Siç na thotë gazetari Mario Gjini: “Jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë, madje as edhe e prindërve të saj ku duhet thënë se babai i Anës, Zef Shala që në moshën 9-vjeçare, pasi mbetet jetim së bashku me vëllanë e tij (xhaxhai i Anës), dërgohen në kolegj në Gjermani ku kalojnë edhe vitet e fëmijërisë.
Vëllai më i vogël birësohet nga një familje gjermane. Zefi, i vetëm, do të zhvendosej më vonë në vende të tjera të Europës si në: Itali, ish-Jugosllavi etj.
Rrugëtimi i tij ishte për më shumë se njëzet vite, një rrugëtim i trishtuar, me ëndrra të venitura, derisa një ditë, në moshën 30-vjeçare vendosi të kthehej në atdhe.
Shumë shpejt do të niste punën si shofer. Fillimisht në Vlorë, e, pastaj, falë edhe zotërimit të gjuhëve të huaja, do të punësohej në një nga ministritë në Tiranës ku së bashku me bashkëshorten italo-kroate Maria Zorovic (martuar në vitin 1935), do të jetonte i lumtur deri në vitin 1945.
Në një mëngjes të atij viti niset për në punë, por… nuk kthehet në shtëpi. Vetëm pas 40 ditësh do hapej fjala se Zefi kishte pësuar infarkt dhe gjendej në spital.
Kur e shoqja e shqetësuar nga ky lajm i beftë dhe jo i qartë, shkon ta takojë, i thonë se është zhvendosur në spitalin e Vlorës. Maria, në këtë mënyrë, nuk do të kishte mundësi ta takonte më të shoqin…
Pas 2 vite heshtjeje, pikërisht, në 1947 i çojnë fjalë se Zefi kishte vdekur. Maria mbetet e vetme, pa punë, pa miq e familjarë, pa ditur një fjalë shqip por shpërvjel mëngët e nis të kërkojë punë për të rritur pesë fëmijët e saj.
Në fillim Marien, 40-vjeçare e çojnë të punojë në hekurudhën Tiranë-Durrës si vullnetare dhe tre nga fëmijët e saj i çojnë përkohësisht në Shtëpinë e Fëmijës, pastaj si kuzhiniere në çerdhen e parë “8 Nëntori” që do të hapej në Tiranë.”
Në rrugën e trishtueshme, plot lotë, mall e dhimbje; Ana së bashku me vëllain e madh do të dërgoheshin në Shkodër, ndërsa vëllain do ta priste Elbasani. Mësimet e para fillore i mori në Shkodër, por shpejt do të kthehej në Tiranë për të vazhduar pjesën e mbetur të arsimit 7-vjeçar të asaj kohe. Që e vogël shfaqi prirjet e saj artistike. Kështu në Pallatin e Pionierëve do të angazhohej me aktivitete të ndryshme si: gjimnastikë, balet, recitime etj.
Pasioni i saj për artin do ta shtynte të ndiqte Liceun Artistik të Tiranës, dhe në vitin 1961 Ana do të konkuronte për në Institutin e Lartë të Arteve, që ishte hapur në vitin 1959, në degën e dramës.
Ajo do të fitonte, dhe do të bëhej pjesë e një plejade aktorësh të shquar si: Reshat Arbana, Vaçe Zela, Jani Riza, Mark Topallaj, Zhani Ziçishti, Sotiraq Çili, shkodranët Tonin Ujka, Rikard Ljarja, Elez Kadria apo shoqes së saj të ngushtë Donika Franja.
Ana, në ato vite, do të shquhej si një nga primadonat e kursit të saj, ku do të interpretonte role të shumta që do të vlerësoheshin nga profesorët dhe publiku artdashës.
Do të zgjidhej të luante rolin e Zhuljetës, në tragjedinë e famshme “Romeo e Zhuljeta” të W. Shekspir, me të cilën do të mbronte diplomën. Do të spikaste interpretimi i saj i fuqishëm, duke ndikuar në suksesin e shfaqjes që do të jepej në Tiranë.
Shkrimtari i njohur Bedri Alimehmeti, në librin e tij “Broduej i Tiranës”, të botuar në vitin 2019 do të shkruante për aktoren simpatike Ana Gjini (Shala), kështu: “Ana Shala, shkodranja simpatike e lindur e rritur në Tiranë, pati spikatur në ato vite ende student në degën e dramës dhe na kishte bërë për vetë me rolin e Zhuljetës në tragjedinë e Shekspirit “Romeo e Zhuljeta”, vënë në skenë me aq shumë sukses nga studentët e shkollës për aktorë “Aleksandër Moisiu”.
Gjatë viteve të Liceut dhe më pas universitetit, Ana do të shquhej edhe për prirjet e saj sportive, ku vlen të theksohet se ajo do të ishte njëra ndër basketbollistet e dalluara të skuadrës së 17- Nëntorit (Tirana), e cila në ato vite ishte kampione e Shqipërisë.
Duke qenë se e kishte të pamundur të ndiqte paralelisht nga njëra anë stërvitjen e trasfertat me ekipin e basketbollit, si dhe nga ana tjetër mësimet për Mjeshtërinë e Aktorit; pikërisht, kur Ana ishte në vitin e fundit të shkollës së lartë, do të detyrohej te hiqte dorë nga basketbolli dhe do të zgjidhte përfundimisht rrugën e artit.
Pas përfundimit të shkollës në vitin 1965, Anës i bëhen dy oferta nga teatrot e Shkodrës dhe Elbasanit. Teatri “Migjeni” i Shkodrës njihej për emrin e tij zëmadh, ndërsa në Elbasan e kërkonte regjisori i njohur shkodran Lec Shllaku, i cili ishte emëruar regjisor i teatrit të ri të atij qyteti. Ajo pa hezitim zgjodhi Shkodrën dhe natyrisht teatrin “Migjeni”.
Sapo arriti në Shkodër, Ana angazhohet menjëherë në shfaqjet e teatrit “Migjeni” ku regjisori i talentuar Esat Oktrova i beson rolin e Files tek drama “Cuca që koriti malet” (viti 1966), ndërsa regjisori Serafin Fanko e zgjedh në rolin e Rinës tek “Këshilli i Ndrikullave” (viti 1969).
Pastaj Anën do ta shohim në dramën e shkruar nga Fadil Kraja, “Sinjalet e natës” (viti 1970), ku do të interpretojë në rolin e Verës.
Aktorja, tashmë, paraqitet me mbiemrin e ri: Gjini. Talenti dhe realizimet e saj artistike shfaqen dinjitetshëm tek “Toka jonë” (viti 1970) në rolin e Marës; tek ”Lulet e shegës” (viti 1977) në rolin e Budes, tek “Luani i shtëpisë” (viti 1978); tek “Fundi i një komedie” (viti 1979) në rolin e Agetinës; tek “Shtëpia e Bernarda Albës” (viti 1986) në rolin e Angustias etj., etj.
Ana, në vitin 1979, do të luante edhe në filmin “Çeta e vogël” kushtuar 5 Heronjve të Vigut, me regjisor shokun e saj të kursit Mark Topallaj, por që nuk do të transmetohej asnjëherë për publikun shqiptar.
Sipas të dhënave të arkivit të teatrit “Migjeni”, Ana Gjini (Shala) numëron rreth 47 role të dokumentuara por mendohet që mund të jenë edhe më shumë.
Gjatë kohës në Shkodër, Ana do të mësojë rastësisht, të vërtetën e zhdukjes së të atit, Zefit. Ai kishte qenë shofer i Abaz Kupit, kryetar i Lëvizjes së Legalitetit (gjë të cilën e shoqja, Maria si e huaj, nuk e kishte ditur kurrë).
Siç ndodh rëndom në këto raste tragjike, diktatura e kishte zhdukur pa lënë gjurmë. Me ardhjen e Demokracisë, familja kishte shkuar në Vlorë për të gjetur ndonjë gjurmë apo dëshmi. Por, mjerisht, nuk i gjetën as varrin dhe asnjë dokument me emrin Zef Shala.
Ana Gjini (Shala) dha një kontribut me vlerë, sidomos në gdhendjen e personazheve me moshë rinore e personazheve – Nëna.
Luajti në role kryesore dhe dytësore, që nga viti 1965 deri më 1993. Përgjatë këtyre viteve Ana do të spikaste për mjeshtërinë e roleve të interpretuara dhe profesionalizmin e saj në skenë, për pozitivitetin që transmetonte tek publiku i gjerë dhe për paraqitjen e saj skenike.
Ajo kërkonte gjithmonë që me personazhet e saj të krijonte figura që do të mbeteshin në memorien e publikut. Dhe me talentin e saj Ana ia arriti për 28 vite të rrugëtimit të saj artistik.
Ndryshimet e sistemit dhe ardhja e demokracisë, bëri që edhe Ana si shumica e shqiptarëve të largohej familjarisht nga Shqipëria.
Duhet thënë se Italia në vitin 1991 do të nxirrte një ligj për riatdhesimin e të gjithë familjeve me origjinë italiane në Shqipëri, e, kjo do të bënte që Ana nga viti 1993 të zgjidhte Italinë si rrugëtimin e saj të jetës deri më 4 mars 2019 kur ajo ndërroi jetë në qytetin e Parmës, në moshën 77-vjeçare.
Skeda e aktores Ana Gjini me rolet e interpretuara…
“Familja e Peshkatarit” 12.03.1966 (Mira); 2. “Si u kalit çeliku” 30.06.1966 (Tonia); 3. “Cuca që koriti malet” 11.09.1966 (Filja); 4. “Para Agimit” 19.04.1967 (Zonja Rukije); 5.
“S’ndalet lumi me gardh” 27.05.1967 (Nusja); 6. “Fisheku në pajë” 29.07.1967 (Lukja); 7. “Shqiponjat” 30.12.1967 (Dana); 8. “Ngjarje në fabrikë” 13.07.1968 (Shpresa); 9. “Dhëndëri” 18.06.1969 (Lirija);
10. “Galeria” 11.09.1969 (Fania); 11. “Këshilli i ndrikullave” (Rina) 19.10.1969; 12. “Sinjalet e natës” 30.04.1970 (Vera) (Këtu Ana paraqitet me mbiemrin e ri Gjini);
13. “Toka jonë” 11.11.1970 (Mara); 14. “Viti ’61” 25.11.1971 (Dafina); 15. “Tovi dhe shokët e tij” 29.01.1972 (Udhëheqësja); 16. “Ëndërra e tokës” 20.12.1972 (Shpresa);
17. “Cuca e maleve” 19.05.1973 (2 role: Cucën dhe Filen) dublante me Tinka Kurtin; 18. “Fytyra e dytë” 14.11.1973 (Ariana); 19. “Shpartallimi” 18.07.1974 (Diella); 20. “Çifti i lumtur” 14.12.1974 (Kryetare e Komitetit Profesional); 21. “Nora” 28.04.1975 (Dila);
22. “Zani Partizani” 13.11.1975; 23. “Vajza nga kantjeri” 15.12.1975 (Xhiri); 24. “Lindje në shtërngatë” 10.07.1976 (Laja); 25. “Rrënjë të hekurta” 28.09.1976 (Vajza);
26. “Lulet e shegës” 07.05.1977 (Budja); 27. “Jehona e një dite shkurti” 27.11.1977 (Liza); 28. “Nora” 27.05.1978 (Plaka e parë); 29. “Baca i Gjetajve” 11.04.1979; 30. “Fundi i një komedie” 1979 (Agetina); 31. “Shoku Niqifor” 1980;
32. “Kanga e dhimbës krenare” 1980; 33. “Gjaku i Arbrit” 25.05.1981 (Vajza e shtëpisë); 34. “Hetimi” korrik 1983 (roli i dëshmitares);
35. “Portreti” 06.12.1983 (Infermierja); 36. “Çështja e Blertës” 1984 (Gruaja e Manit; 37. “Të gjithë të qeshur” qershor 1984 (Bedrija); 38. “Kaçakët” 19.01.1985 (Nënë Sofia);
39. “Shtëpia e Bernarda Albës” 21.01.1986 ( Angustia); 40. “Rozafa” 15.11.1986 (Vestale); 41. “Gjykimi” dhjetor 1986 (Zina); 42. “Shtegtim nëpër ankth” 17.01.1989; 43. “Flamur në dasëm” 08.11.1990; 44. “Ndëshkimi” (Neni 55) 1991.
ObserverKult
Lexo edhe:
GENC LEKA: LETËR MËSONJËSIT
Mësonjës të kujtohet ! Ti erdhe një ditë
Nga larg, i kapitur tek ne në katund,
Sa bukur të pritën të gjithë fëmijtë,
Më bukur shkëlqente dhe qielli pa fund.
Mësonjës, të kujtohet!…Ç’të themi më parë.
Sa shumë na doje, ashtu si dhe ne,
Sa herë na thoshe: Fëmijë të mbarë
Në zemër më ngjallnin gëzim dhe hare.
Mësonjës t’na shohësh sa fort jemi rritur,
Tani nxënësit e tu ti s’i njëh.
Sa herë të mbledhur të gjithë t’kemi pritur,
Ta dish sa të duam, sa mall kemi ne…
Mësonjës, jemi mbledhur në klasën e dashur
Ku ti na mësove me mall e kujdes,
Nga punë të ndryshme secili ka ardhur,
Si vinim çdo ditë herët në mëngjes,
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult