
Duke biseduar me mamin, më tregon se njëherë hyri në një dhomë ku disa miq po flisnin për të, po bënin thashetheme në fakt, por nuk e kishin vënë re që dhe ajo ishte aty. Ajo s’tha asnjë fjalë, tundi kokën lehtas, buzëqeshi dhe u largua.
Mami më tregoi se kish ndodhur që dhe një mike që ajo e konsideronte mjaft të ngushtë, kishte folur keq tek disa të tjerë për të. Mami nuk ia tha kurrë këtë gjë mikes së saj dhe ajo nuk e mori vesh kurrë që mami e dinte. Por pak nga pak, me shumë elegancë e pa hapur asnjëherë këtë temë, mami u largua nga kjo miqësi.
Ime më më tregoi edhe se kishte disa të afërm që kujtoheshin për të shumë rrallë, aq rrallë sa duket se kishin vendosur ta përjashtonin nga jeta e tyre vetëm sepse, për një herë të vetme, për diçka krejt rastësore që kish ndodhur, ime më pati guximin të mbrohej. Me kohën ndaloi së kapërcyeri oqeane për ta, kur ata nuk pranonin as të kalonin një urë për të. Mami kish buzëqeshur, kish tundur kokën lehtas dhe ish larguar.
U bëra kurioze dhe e pyeta si arrinte të largohej kaq lehtë nga njerëzit që e kishin tradhëtuar besimin e saj pavarësisht se shtireshin si miq ose familjarë.
Ajo m’u përgjigj se, sa herë që gjendej në një udhëkryq të tillë, ajo duhet të merrte një vendim se kush duhet të vazhdonte përpara me të në rrugën e saj. Kush ishin miqtë e vërtetë, njerëzit të cilët e kuptonin reciprocitetin, dashurinë, mirësinë. Më shpjegoi se nuk duhet të zemërohem kurrë me ata që na tradhëtojnë, që thyejnë besimin tonë, qoftë edhe nëse paraqiten si miq ose familjarë. Duhet thjesht të dish të tërhiqesh me elegancë, të bësh një hap prapa dhe të vazhdosh rrugën tënde, duke i pritur me zemër të hapur njerëzit e rinj që jeta të sjell e duke mos harruar mësimet e mësuara. Jeta është tepër e shkurtër për t’i falur të gjithë.
Autori i panjohur- (Përktheu: Ervina Toptani)
ObserverKult
Lexo edhe:
ERVINA TOPTANI: MË DHEMB NË SHPIRT ENDE DHIMBJA E TYRE E PATRETUR