Promovohet novela “Jetesë n’mes egërsinave” e autorit shkodran Filip Guraziu
Nga: Blerim Valla
Në prani të shumë mysafirëve e dashamirëve të librit, në Gjakovë është promovuar një libër tejet interesant me temë të kujtesës historike i ndërthurur shumë bukur me elemente artistike. Ishte ky libri “Jetesë n”mes egërsinave” i autorit shkodran Filip Guraziu, ish-kryetar i bashkisë Shkodër dhe pjesë e shoqatës së ish-të përndjekurve politik shqiptar.
Ky libër sjell historinë reale të një të riu shqiptar i Kosovës i cili në vitin 1981 arratiset nga Kosova për t’i shpëtuar komunizmit serb dhe shkon në Shqipëri por edhe këtu gjen një tjetër terror të egër komunist.
Për librin kanë folur dy veta. Folësi i parë poeti dhe drejtor i bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha, tha se libri “Jetesë n’mes egërsinave” sjell një këndvështrim interesant duke përshkruar ngjarjet mes Kosovës dhe Shqipërisë në kohën e komunizmit. “Libri i Filip Guraziut jep mesazhin e mbijetesës dhe dashurisë për të mirën pavarësisht kalvarit të vuajtjeve të një të riut nga Gjakova i cili la Kosovën për Shqipërinë komuniste në vitin 1981!
Ky libër ndryshe nga librat e mëparshëm të Filip Guraziut që shërbejnë më shumë për kujtesë, këtë radhë vjen si një dëshmi në formë të novelës më një stil të larmishëm artistik në dialektin gegë. Kjo novel sjell historinë reale të një të riu shqiptar i Kosovës i cili në vitin 1981 arratiset nga Kosova për t’i shpëtuar komunizmit serb dhe vjen në Shqipëri por edhe këtu gjen një tjetër terror komunist” u shpreh Berisha .
Ndërkaq shkrimtari Muharrem Kurti, kryetar i klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi ” si folësi i dytë, vlerësoi se ky libër është një novelë që i dedikohet shqiptarit të Kosovës në Shqipërinë e diktaturës komuniste.
“ Novelën “Jetesë n’ mes të ergërsinave”; e kam lexuar dhe kam mbetur i impresionuar për disa vlera të saj, se personazhi i saj kryesor është një i ri gjakovar (edhe unë kam qenë një i ri kosovar si Kujtimi, që e kam jetuar dhe përjetuar regjimin komunist, gjatë viteve 19981-1987), i cili për shkak të një aktiviteti patriotik në Kosovë, bie në sy të UDB-së dhe duhet që ta lerë vendlindjen, për të gjetur strehim në shtetin amë. Ku përjeton tmerrin e hetimeve,izolimit, burgun. Kurse pasi lirohet dashurohet e martohet me një vajzë koçare nga e cila martesë iu lind një vajzë. Çuditërisht, pak kohë më pas Kujtimi arrestohet dhe burgoset prap me dënim prej 8 vitesh.
As familja e gruas as ajo nuk pranojmë të bashkëpunojnë me sigurimin e shtetit dhe për ta nis një tmerr i ri. Loreta e bindur, se Kujtimi ishte i pafajshëm nuk pranon që të divorcohet me kosovarin e burgosur. Dhe Loreta internohet. Këtu autori, me shumë vërtetësi, ndanë qëndrimin e qytetarit shqiptar ndaj vëllezërve shqiptar të Kosovës kundrejt regjimit të Enver Hoxhës që çdo kosovar i ikur ishte spiun i UDB- së!
Autori Filip Guraziu ka bërë një ndarje të vërtet ndërmjet regjimit diktatorial dhe qytetarit vendas, sepse ketë e din më së miri secili shqiptar i Kosovës që ka jetuar vitet e diktaturës komuniste, sa ngrohtësisht i kanë pritur secili qytetar dhe qytetare të Shqipërisë. Për ketë, autori, meriton një përgëzim të sinqertë.
Një element dallues i novelës është edhe gjuha e mbështetur mbi dialektin gegë. Për gjakovaret kjo ka muzikalitet, qoftë e folmja e Shkodrës, qoftë përdorimi i gegërishtes” vlerësoi në fund M. Kurti para publikut.
Kurse krejt në fund para publikut foli autori i i novelës Filip Guraziu, dukshëm i emocionuar për promovimin e librit të tij në Gjakovë, tha se ky libër duhet t’i shërbejë të rinjve për të mos harruar të kaluarën komuniste. Autori mes tjerash theksoi se “ Ky libër është një libër me të cilin unë dëshmoj, nëpërmjet fakteve të vërteta të ndërthurura me një fiksion letrar, për gjithë ato të këqija që kanë ndodhur me popullin tonë në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, e në veçanti me vëllezërit kosovar, konkretisht gjakovar, siç është edhe rasti i krye personazhit të novelës “Jete’mes egërsinave”. Ne duhet të dëshmojmë të vërtetën dhe të edukojmë të rinjtë me të vërtetën, e cila duhet t’i shërbejë të rinjve për të mos harruar të kaluarën e keqe komuniste” , tha Guraziu.
Ky promovim i novelës “Jetesë n’mes egërsinave” i autorit shkodran Filip Guraziu, u bë nën organizimin e Shoqatës DRINI Gjakovē-Shkodër dhe DRINI – Shkodēr -Gjakově, nē bashkēpunim me Klubin Letrar ‘”Gjon N. Kazazi” të Gjakovës dhe me pêrkrahjen e Drejtorisé pér Kulturës të Gjakovës. Kurse më pas në Galerinë e Arteve në Gjakovë u bë edhe hapja e ekspozitës personale të piktorit gjakovar Halil Ahmeti.Përndryshe Filip Guraziu, është ekonomist i njohur, ish politikan, ish-kryetar i Bashkise Shkodër, ish basketbollist i njohur, është nën/kryetar i shoqatës “DRINI’ Shkodër-Gjakovë, pastaj ishte Nën /Kryetar i Shoqatës antikomuniste të ish të përndjekurve politike e Shqiipërisë, etj.
Ai ka botuar deri tani këto vepra: Album turistik ‘ Tourism in Shkodër – Northern Albania, 2006; “Intellettuali Albanesi nel Rinascimento Italiano, M. Prendushi,2006; Bashkēpunëtor i librit ‘Koridori Adriatik – Alpe,- M.E.SH.B.U.SH. 2006, “Tonin Guraziu – Nië jetë ne piano’, 2007,; ‘Antoloqjia Gegnishtia poetike’ 2018; libri me poezi ‘Reflektim’, 2019; “Dromca Kujtimesh” 2021, “Për një demokraci të vertetë shqiptare” 2022, “‘Jetesë n’mes egersinave” 2023, si dhe shumë publikime ně gazeta shqiptare, kosovare, italiane, amerikane etj.
ObserverKult
Lexo edhe: