Është një nga misteret më të mëdha të historisë. Çfarë ndodhi me Jezu Krishtin, në kohën kur ai nuk përmendet nga shkrimet e shenjta pas moshës 12-vjeçare, vetëm për t’u rishfaqur rreth moshës 30-vjeçare, kur edhe filloi misioin e tij?
Sigurisht, versioni gjerësisht i pranuar nga të krishterët, është se ai i kaloi ato vite duke ndihmuar të atin në punishten e tij si marangoz në Galile. Por për këtë pretendim, ka shumë pak referenca në Bibël. Në fakt, midis moshës 12-29 vjeç nuk ka asnjë regjistrim biblik të vendndodhjes së Jezusit në Palestinë.
Por një dokumentar i BBC në vitin 2017, pretendoi se Jezusi ishte në të vërtetë, një murg budist dhe se ai nuk u kryqëzua nga romakët. Aristokrati rus Nikolas Notoviç botoi një libër për udhëtimin e tij në vitin 1894 në manastirin e Himisit në Tibet, ku ai pretendon se pa një dorëshkrim të shekullit III Pas Krishtit të titulluar “Jeta e Shën Isait, më i miri nga bijtë e njeriut”, që flet në detaje për “vitet e humbura” të Jezusit.
Ai pretendon se Jezusi, i quajtur Isa nga murgjit buditë, jepte leksione në Indi, Nepal dhe Tibet. Ndërkohë të tjerë kanë pohuar se e kanë parë me sytë e tyre atë dorëshkrim, për të cilin thuhet se mbahet ende sot i fshehur nga budistët në një manastir në Himalaja.
Teoria vazhdon duke pretenduar se Jezusi i mbijetoi kryqëzimit dhe u rikthye në Indi, dhe në fakt është varrosur atje. Një Lama i shpjegoi Notoviçit se Krishti arriti nivelin e ndriçimit, të cilin arriti të ruajë gjatë gjithë kohës që qëndroi në tempull. Lama tha që Jezusi ishte një profet i shkëlqyer, dhe ishte i pari pas 22 Buda-ve.
Ai i tha se Jezusi ishte më i madh se të gjithë Dalai Lamat, pasi përfaqësonte shpirtin e Zotit.
Gjetja dhe përkthimi i dokumenteve në tempull, është në përputhje me ato që njihen si “vitet
e humbura të Jezusit”. Pas vdekjes së një Njeriu të Shenjtë apo një Budisti të madh, njerëzit e mençur pas këshillimit me yjet, niseshin për një udhëtim të gjatë me shpresën e gjetjes së foshnjës, të cilën ata besonin se ishte rimishërimi i Lamës.
Kur një fëmijë arrin një moshë të caktuar madhore, kur mund të shkëputet nga prindërit e tij, do të merrej dhe edukohej në besimin budist. Shumë ekspertë janë dakord se kjo ishte baza e origjinës së tregimit për 3 burrat e mençur që vizituan stallën e vogël në Betlehem natën kur lindi Jezusi.
Një nga anëtarët e vjetër të manastirit Lama, tha se Jezusi e vizitoi Indinë për të studiuar Budizmin, pasi u frymëzua nga zgjuarësia dhe ligjet e Budës. Vargjet janë dokumentuar nga shumë njerëz, përfshirë Nikolas Rorih, që në vitin 1952 regjistroi rrëfimet mbi kohën që Jezusi kaloi në manastirin budist.
Gjithashtu ka dëshmi të shkruara se Jezusi kaloi ca kohë duke dhënë mësim në shumë qytete të shenjta, si Jaganath, Rajagriha dhe Benares. Kjo i nxiti Brahminët (priftërinjtë) xhelozë ta dëbonin, ndaj Jezusi shkoi në Himalaje për të vazhduar studimin e Budizmit.
Studiuesi gjerman, Holger Kersten, që ka shkruar për vitet e hershme të Jezusit, tha se ai i vendos në Sind midis popujve Arianë, pasi dëshironte të përsosej si njeri. Dokumentari i BBC, tregon se Jezusi i shpëtoi kryqëzimit dhe vdekjes, dhe shkoi të jetojë në Afganistan me kolonët hebrenj.
Thuhet se shumë banorë locale, e konfirmuan faktin që Jezusi kaloi shumë vite në Luginën e Kashmirit, dhe jetoi aty derisa vdiq në moshën 80-vjeçare. Nëse Jezusi ka kaluar 17 vjet në rajon kur ishte i ri, së bashku me 45 vitet e fundit të jetës së tij, i bie që në total të ketë kaluar rreth 61 vjet jetës së tij në Indi, Tibet dhe rajonet aty pranë.
Sipas disa dëshmive Jezusi gjendet i varosur në faltoren Roza Bal në Srinagar në Kashmir. Veç kësaj teorie, “vitet e humbura të Jezusit”, kanë nxitur kohë pas kohe teori të tjera. Kështu teoria se Jezusi e vizitoi Britaninë e Madhe, fitoi popullaritet me poezinë “Jeruzalem” të shkrimtarit Uilliam Bleik.
Sipas legjendës, Jezusi udhëtoi rreth 2.000 vjet më parë drejt ishullit britanik me Jozefin e Arimateas, një tregtar i kallajit, për të cilën disa thonë se ishte xhaxhai i Jezusit. Besohet se në Britani, Krishti i ri studoi bashkë me sektin e Druidëve në Glastonbëri, me idenë se Druidizmi kishte disa ngjashmëri me besimin e krishterë.
Madje ka një teori që Jezusi ndërtoi atje edhe një kishëz. Por Ted Harrison produdent i një dokumentari investigativ mbi këtë çështje, tha për “The Independent”, se nuk ka asnjë gjetje arkeologjike që ta mbështesë këtë teori.
Një tjetër teori e guximshme, pretendon se Jezusi vizitoi Japoninë kur ishte 21 vjeç, se nuk u kryqëzua kurrë, dhe pas misionit të tij u rikthye në Japoni, ku u varros në fshatin Shingo. Sipas legjendës, Jezusi u bë dishepull i një mjeshtri budist pranë malit Fuxhi, duke përvetësuar kulturën dhe gjuhën japoneze.
Po sipas kësaj teorie, ishte vëllai i tij i vogël Isukiri, ai që zuri vendin e tij në kryq. Më pas Jezusi u rikthye në Japoni me veshin e copëtuar të vëllait të tij, dhe me një tufë flokësh të Marisë së virgjër, duke u vendosur në fshatin malor Shingo.
Ai u martuar me vajzën e një fermeri, Mijukon, më te vilën pati 3 vajza. Ai jetoi duke u marrë me kultivimin e hudhrave, dhe vdiq në moshën 106-vjeçare. Çdo vit, rreth 20.000 njerëz vizitojnë fshatin Shingo, i njohur gjithashtu si ‘Kirisuto no Sato’ (fshati i lindjes së Krishtit).
Ndërkohë, një teori e fundit është se Jezusi viziton fiset indiane në Amerikë. Arkeologu L.Tejlor Hansen, ka studiuar dhe eksploruar legjendat e indianëve të Amerikës, që flasin për një “Profet të Bardhë” që vizitoi të gjithë fiset në Peru, Amerikën Jugore dhe Qendrore, Meksikë dhe Amerikën e Veriut, pikërisht gjatë “viteve të tij të humbura”.
Po sipas legjendave, ky “Profet i Bardhë”, kishte aftësinë të fliste në 1 mijë gjuhë të ndryshme, të ngjallte të vdekurit, dhe të shëronte të sëmurët. Pra ngjashëm me përshkrimet biblike. / SBS.com – Bota.al