Jo marketing të pajustifikueshëm me siglën “Për herë të parë në gjuhën shqipe”

adem gashi antologji atdhedashuri

Jo rrallë kemi parë që libra të autorëve të njohur botërorë, që Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës ka dekada e dekada që i ka sjellë në shqip për lexuesit, po përkthehen sërish dhe po paraqiten si “përkthime për herë të parë në gjuhën shqipe” , nga shtëpi të ndryshme botuese në Tiranë.

Ç’është ky fenomen kur për hak marketingu e shitjeje ‘hudhet poshtë’ ajo punë kolosale e bërë për vite të tëra nga një dyzinë profesionistësh?
Pse një libër që ka ekzistuar i përkthyer në gjuhën shqipe, në vitet 1970-1980, vjen i përkthyer në vitin 2022 dhe thuhet që po i bëhet dhuratë lexuesit për herë të parë në gjuhën shqipe.

Ja çfarë thotë shkrimtari Adem Gashi i pyetur nga ObserverKult për këtë çështje:

Embrioni i kësaj çoroditjeje vjen që nga përmbysja e madhe shoqërore, politike e kulturore e dekadës së fundit të shekullit XX. Në kthesa të tilla historike doemos që shembet dhe çekuilibrohet edhe sistemi i vlerave. Shqipëria e sapodalë nga kufizimet e tmerrshme ideologjike s’kishte sesi të mos shoqërohej edhe me hutimin e lirisë.
Në një anë nostalgjia për vlerat kontemporane të Evropës e botës dhe, në anën tjetër kompleksi i inferioritetit bënë që njerëzit e azdisur të letrave të hidhen pa takt e pa sens mase ndaj çdo gjëje të huaj në arte, kulturë, letërsi, filozofi e të tjera. Madje duke shkelur mbi çdo normë e parim, pa përfillur as kodin e të drejtave autoriale.
Kështu u shfaqen me ekzaltim (kur me dije e kur pa dije) madje me siglën “Për herë të parë në gjuhën shqipe” sa e sa autorë dhe vepra që kishin dekada të publikimit në shqipen këtej.
Për paradoks ngatërrime të këtilla shfaqeshin edhe brendapërbrenda Shqipërisë londineze. Më ndodhi në vitin 1996 kur bleva në Tiranë librin e Milan Kunderës “Dashuri qesharake”. Një vit më vonë, më 1997, në një librari po në Tiranë shoh librin “Dashuri gazmore” po të Milan Kunderës, veçse tashti me siglën “Për herë të parë në gjuhën shqipe”. Po ai autor, po ai libër veçse me tjetër shqipërues dhe tjetër shtëpi botuese. U mor vesh ky i vonshmi për një vit shfaqej si “i parë”.
E keqja më e madhe erdhi më vonë kur këto çoroditje jo që nuk u reduktuan e mënjanuan, por edhe u thelluan.
Se një libër mund të përkthehet edhe nga disa përkthyes dhe të botohet edhe nga disa shtëpi botuese këtu nuk shoh asnjë të keqe. Përkundrazi merr karakter gare, veçse jo marketing të pajustifikueshëm me siglën “për herë të parë në gjuhën shqipe”.

ObserverKult

Lexo edhe:

Daut Dauti: Kultura dhe përkthimi