Jo or jo, Palin nuk e vrava unë. Palin nuk e vrau as fqinji im

tsulmi ndaj top channel

Nga: Emirjon Senja

Jo or jo, Palin nuk e vrava unë. Palin nuk e vrau as fqinji im. Ai del njëkohësisht me mua, që në 07:00 të mëngjesit për të shkuar në punë, ndërkohë që unë vrapoj për të dërguar vajzën në shkollë, që më pas të filloj punën, e cila mbaron ose jo deri në orën e vona të mbrëmjes.

Palin nuk e vrau as kolegu im, i cili bashkë me mua punon ndershmërisht për të mbajtur familjen dhe rritur fëmijën e tij.

Palin nuk e vrau as ai punonjësi i ndershëm i sektorit publik që krahas lodhjes së punës duhet të përballet edhe tekat e drejtorit aktivist dhe rrogën mizerabël, me të cilën duhet të përballojë çmimet e frikshme.

Palin nuk e vrau asnjë prej jush që po i lexoni këto rreshta, pasi ata që vrasin kështu egërsisht, natën, duke harxhuar shuma të konsiderueshme me sa duket për çdo “aksion”, nuk lexojnë, madje as e vrasin mendjen fare se çfarë mendojmë ne.
Ata presin porosinë e radhës.

As Palin, as Mimozën dhe askënd tjetër, viktimë të çmendurisë shqiptare nuk kemi vrarë ne.

Ne nuk kemi si të vrasim teksa jemi duke u strapacuar dita-ditës për të mbijetuar në një shtet të shkalafitur dhe një qytet të pajetueshëm, të marrë peng nga elitat mafioze të vendit që borxhet i krijojnë gjetkë dhe hesapet i lajnë mbi gjakun e hallexhijve këtu.

A nuk e shihni se paraja e pistë ka pushtuar vendin? Llumi dhe droga janë kudo. E si mund të vrasim ne kur paratë, pushtetin dhe gishtin që tërheq këmbëzën e kanë ata?!
Përveç këtyre, ne të tjerët jemi të marrë peng.

Në sytë e tyre jemi thjesht taksapagues ose klientë të mjerë në të gjithë sektorët e ekonomisë që kanë gllabëruar, por edhe kurbanë kur lajnë hesapet.
Uroj të gjenden sa më parë porositësit dhe vrasësit e vërtetë të një qytetari të ndershëm si Pali! Ngushëllime familjes!

ObserverKult


Lexo edhe:

E DHIMBSHME: NË DYERT E TOP-CHANNEL U VRA NJË BABA, VËLLA, GJYSH QË PUNONTE PËR BUKËN E GOJËS…