Jorge Luis Borges: I dënuari

Nga Jorge Luis Borges

Një nga dy rrugët që kryqëzohen mund të jetë rruga Andet me rrugën San Juan ose Bermejo; nuk ka rëndësi.

Në muzgun e qetë Esekiel Tabares pret. Nga këndi ku pret, mund të vigjilojë pa e vënë re askush portën e hapur të hotelit familjar, e cila është gjysmë blloku larg.

Nuk e humbet durimin, por ndonjëherë ndërron trotuar dhe futet në dyqanin e vetmuar, ku i njëjti punonjës i shërben të njëjtin xhin, që nuk i djeg fytin dhe për të cilin lë ca monedha. Pastaj kthehet te vendi i tij. E di që nuk do të kalojë shumë kohë dhe Çengu do të dalë; Çengu që i mori Matildën.

Me dorën e djathtë fërkon dorezën e vogël të kamës që e ka futur te mënga e xhaketës. Ka kohë nuk e kujton gruan. Mendon vetëm për atë tjetrin.

Ndjen praninë e ndërtesave modeste dhe të ulëta: dritaret me skara hekuri, tarracat e shtëpive, oborret me pllaka ose prej dheu. Burri vazhdon t’i shohë ato gjëra.

Pa e ditur ai, Buenos Aires është rritur rreth tij, si një bimë që bën zhurmë. Nuk i shikon – e ka të ndaluar të shohë – shtëpitë e reja dhe autobusët e mëdhenj e të ngathët.

Njerëzit kalojnë përpara tij dhe ai nuk e di. Ai nuk e di as dënimin që po vuan. Është i mbushur me urrejtje.

Sot, më 13 qershor 1977, gishtat e dorës së djathtë të lumëmadhit, Ezequiel Tabares, i dënuar që, për disa minuta të caktuara të vitit 1890, të vdesë në një muzg të përjetshëm, prekin një kamë absurde.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

JORGE LUIS BORGES: QYSH KUR JAM VERBUAR, E VETMJA GJË QË MË KA MBETUR ËSHTË…

“Për vetveten” nga Jorge Luis Borges

Qysh kur jam verbuar, e vetmja gjë që më ka mbetur është gëzimi për të ëndërruar, për të imagjinuar se mund të shikoj.

Nganjëherë dëshirat e mia shtrihen edhe përtej kësaj ëndrre, pra dalin andej dhe hyjnë edhe në botën të zgjimit.

Ka raste, para se të fle apo para se të zgjohem, gjendem duke ëndërruar, duke belbëzuar fraza të paqarta, të pakuptueshme.

Këtë përvojë e vërteton thjesht bindja ime se mendja krijuese përherë është aktive, pak a shumë, përherë është duke ëndërruar në mënyrë delikate.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult