Jorge Luis Borges: Muri dhe librat

dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

Lexova, para pak ditësh, se njeriu që, në kufijtë e Kinës, urdhëroi ndërtimin e një muri pothuajse të pambarimtë ishte i njëjti perandor, Shi Huang Ti, që urdhëroi të digjeshin të gjitha librat që ekzistonin përpara tij. Për faktin që këto dy operacione të mëdha – pesë deri gjashtëqind lega prej guri ngritur kundër barbarëve dhe rrënimi i rreptë i historisë, domethënë i së shkuarës – i detyrohen të njëjtit person, që ato qenë, në njëfarë mënyre, atributet e tij, provoja njëherazi, në mënyrë të pashjegueshme, kënaqësi dhe shqetësim. Kërkimi i arsyeve të këtij emocioni është pikërisht objekti i këtij shënimi.
Nga ana historike, nuk ka asnjë mister në këto dy masa të ndërmarra. Bashkëkohës i luftrave të Hanibalit, Shi Huang Tija, mbret i Çinit, i përfshiu nën pushtetin e vet Gjashtë Mbretëritë dhe e zhduku sistemin feudal; ai ndërtoi murin e madh, sepse muret ishin mbrojtje: ai dogji librat, sepse kundërshtarët u referoheshin për të lëvduar perandorët e lashtë. Të djegësh libra dhe të ndërtosh fortesa është detyra e përbashkët e princave; nuk pati asgjë të veçantë te Shi Huang Tija, përveç shkallës mbi të cilën ai veproi. Këtë të lënë të kuptosh disa kinologë, por unë e ndiej se faktet që tregova janë diçka më shumë se tepria, qoftë hiperbolike, e masave të rëndomta. Të rrethosh një pemishte apo një kopsht është diçka e zakontë, por të rrethosh një perandori, nuk është aspak e tillë. Nuk është e rëndomtë gjithashtu të pretendosh se më tradicionalja e të gjitha racave heq dorë nga kujtesa e së shkuarës së saj, mitike qoftë apo e vërtetë. Kinezët kishin tre mijë vjet kronologji (e që përmbanin Perandorin e Verdhë, Çuang Cenë, Konfucin, Lao Cenë), kur Shi Huang Tija urdhëroi që historia të niste me të.
Shi Huang Ti e kish syrgjynosur të ëmën si një grua të shthurur; në drejtësinë e tij të rreptë, besimtarët fanatikë nuk panë gjë tjetër veçse një sakrilegj; Shi Huang Tija deshi ndoshta të shuante nga faqja e dheut librat zakonorë sepse ata e akuzonin; Shi Huang Tija deshi ndoshta ta zhdukte krejt të shkuarën për të zhdukur një kujtim të vetëm: poshtërsinë e nënës së tij (s’bëri ndryshe as ai mbreti, në Judé, që vrau gjithë foshnjat për të vrarë një të vetme). Ky hamendësim meriton vëmendje, por ai nuk na thotë asgjë për murin, për fytyrën e dytë të mitit. Shi Huang Tija, simbas historianëve, ndaloi të përmendej vdekja; ai kërkoi eliksirin e pavdekësisë dhe u mbyll në një pallat figurativ, të përbërë nga aq dhoma sa ka viti ditë: këto fakte sugjerojnë se muri në hapësirë dhe zjarri në kohë qenë pengesa magjike të destinuara për të ndalur vdekjen. Gjithë gjërat duan të këmbëngulin në qenien e tyre, ka shkruar Baruch Spinoza; ndoshta perandori dhe magët e tij besuan se pavdekësia na është qenësore dhe se kalbëzimi nuk mund të hyjë brenda një bote të mbyllur. Ndoshta perandori deshi të rikrijonte fillimin e kohës dhe i dha vetes emrin Huang Ti, për të qenë në njëfarë mënyre Huang Ti, perandori legjendar që shpiku shkrimin dhe busullën. Ishte ai, simbas Librit të Riteve, që i kish dhënë gjërave emrin e vërtetë; po njëlloj, Shi Huang Tija u mburr, në përshkrimet që ekzistojnë ende, se të gjitha gjërat, nën perandorinë e tij, kishin emrin që u takonte. Ai ëndërroi të themelonte një dinasti të pavdekshme; urdhëroi që trashëgimtarët e tij të quheshin Perandori i Dytë, Perandori i Tretë, Perandori i Katërt, e kështu deri në pafundësi… Fola për një synim magjik; por mund të mendojmë gjithashtu se ndërtimi i murit dhe djegia e librave nuk qenë veprime të njëkohshme. Do kishim kështu (duke ndjekur rendin që do zgjidhnim vetë) imazhin e një mbreti që filloi me shkatërrim, pastaj mblodhi mendjen dhe vendosi të mbrojë, apo atë të një mbreti të zhgënjyer që rrënoi atë çka kish mbrojtur më parë. Të dyja hamendjet janë dramatike, por, me ç’di unë, ato nuk kanë bazë historike. Herbert Allen Giles rrëfen se ata që fshehnin libra damkoseshin me hekur të skuqur dhe dënoheshin të ndërtonin, deri sa të vdisnin, murin e stërmadh. I njëjti fakt favorizon apo lejon një tjetër interpretim. Ndoshta muri ishte një metaforë; ndoshta Shi Huang Tija dënoi ata që adhuronin të shkuarën me një vepër po aq të madhe sa e shkuara, po aq të rëndë e po aq të kotë. Ndoshta muri ishte një sfidë, ndoshta Shi Huang Tija mendoi: “Njerëzit e duan të shkuarën dhe kundër kësaj dashurie unë s’mund të bëj asgjë, as unë as xhelatët e mi, por një ditë do vijë dikush që mendon si unë dhe ky njeri do ta rrënojë murin tim, siç unë rrënova librat, dhe do ta shuajë kujtesën time, dhe do jetë hija e pasqyra ime dhe këtë s’ka për ta ditur.” Shi Huang Ti, ndoshta, e rrethoi perandorinë me një mur sepse ai e dinte që ajo ishte e shkatërrueshme dhe i rrënoi librat me mendimin se ishin libra të shenjtë, domethënë libra që të mësojnë atë që të mëson mbarë gjithësia apo vetëdija e çdo njeriu. Zjarri ndaj bibliotekave dhe ndërtimi i murit ndoshta janë veprime secili nga të cilët, në mënyrë sekrete, zhduk vetveten.
Muri i fortë e i patundur që në këtë çast, dhe në të gjitha çastet, lëshon mbi tokat që s’kam për t’i parë sistemin e tij të hijeve, është hija e një Çezari që urdhëroi që një komb i denjë mes të gjithëve të digjte të shkuarën e vet: më e mundshmja është se ideja na prek nëpërmjet vetvetes, pavarësisht hamendësimeve që lindin prej saj. (Virtyti i saj mund të qëndrojë në kundërshtinë midis ndërtimit dhe shkatërrimit, mbi një shkallë lëvizëse të pamatë.) Duke përgjithësuar një rast të tillë, do mund të nxirrnim përfundimin se të gjitha format kanë virtytin e tyre te vetvetja dhe jo në një “brendi hamendësore”. Ky përfundim do përputhej me tezën e Benedetto Croce-s; ndërkaq Pater-i, në 1877-n, pohoi se të gjithë artet aspirojnë te muzika, që është veçse formë. Muzika, gjendjet e lumturisë, mitologjia, fytyrat e punuara nga koha, ca muzgje e ca vise duan të na thonë diçka, ose na e kanë thënë e ne s’duhet ta kishim lënë të humbte, ose janë në çastin e të thënit; ky zbulim i afërt, që nuk ndodh, është ndoshta fakti estetik.

Përktheu: Alket Çani