Nga: Jorge Luis Borges
Buzët e mia kanë shqiptuar dhe do të shqiptojnë me mijëra herë dhe në të dy gjuhët e mia intime, Atin Tonë, por unë e kuptoj vetëm pjesërisht. Këtë mëngjes, të një korrikut të 1969-s, dua të provoj një lutje personale dhe jo të trashëguar.
E di se bëhet fjalë për një sipërmarrje që kërkon një sinqeritet më tepër se njerëzor. Në radhë të parë, është e qartë se nuk më lejohet të kërkoj. Të kërkoj që të mos erren sytë e mi, do të ishte një marrëzi; e di se mijëra njerëz që shohin nuk janë domosdoshmërisht të lumtur, të drejtë a të ditur.
Procesi i kohës është një zinxhir pasojash dhe shkaqesh, kështu që të kërkosh çdo favor, sado i çastshëm të jetë, do të thotë të kërkosh që të thyhet një hallkë e këtij zinxhiri të hekurt, do të thotë të kërkosh që tashmë të jetë thyer.
Askush nuk e meriton një mrekulli të tillë. Nuk mund të lutem që të më falen gabimet; falja është një akt i huaj dhe në këtë rast vetëm unë do të shpëtoja. Falja dëlir të fyerin, jo fyesin, të cilit pothuaj nuk i përket. Liria e vullnetit tim ndoshta është trillim, por mund të jap apo të ëndërroj se jap diçka.
Mund të jap kurajën, që s’e kam; mund të jap shpresën, që s’është tek unë; mund të tregoj vullnetin për të mësuar atë që thuajse nuk e di apo që e shoh vagëllimthi. Dua të kujtohem më shumë si mik se sa si poet; që dikush të përsërisë një kadencë të Dunbar-it a të Frost-it apo të njeriut që pa në mesnatë pemën që rrjedh gjak, Kryqin, dhe të mendojë se, për herë të parë, e dëgjoi nga buzët e mia.
Të tjerat nuk më interesojnë; shpresoj që harresa të mos vonohet. Nuk i dimë qëllimet e universit, por dimë se të gjykosh me kthjelltësi dhe të veprosh me drejtësi do të thotë t’i mbështesësh këto qëllime, që nuk do të na shfaqen kurrë. Dua të vdes krejtësisht, dua të vdes bashkë me këtë shok, këtë bashkudhëtar, trupin tim.
Përktheu: Erion Karabolli
*Titulli i origjinalit: “Një lutje…”
——————-
Lexo edhe: