Nga Jorge Luis Borges
Unë paskam vetëm një armik. Nuk e mora vesh kurrë sesi ai mundi të hyjë në shtëpinë time natën e 14 prillit 1977. I hapi të dy dyert: portën e jashtme, të madhe e të rëndë, dhe derën e vogël të shtëpisë. Ndezi dritën dhe më zgjoi nga një ëndërr-makth që nuk e mbaj mend, por që ndodhesha në një kopsht.
Pa e ngritur zërin, më urdhëroi të ngrihesha dhe të vishesha, menjëherë. Kishte vendosur vdekjen time dhe vendin e ekzekutimit. I shtangur, iu binda. Ai ishte më i shkurtër se unë, por më i fortë, sepse urrejtja i kishte dhënë forcë.
Nuk kishte ndryshuar fare, me kalimin e viteve; vetëm se në flokë të errët kishte disa fije argjendi. Vura re se e gjallëronte një lloj lumturie e zezë. Ai më kishte urryer gjithmonë dhe tani do të më vriste.
Maçoku Beppo na shikonte nga përjetësia e vet, por nuk bëri asgjë për të më shpëtuar, madje, as tigri blu prej qeramike, në dhomën time të gjumit, as magjistarët dhe xhindet e vëllimeve “Një mijë e një net”. Desha diçka që të më shoqëronte dhe i kërkova të më linte të merrja një libër.
Më e mira do të kishte qenë të zgjidhja Biblën, por, nga dymbëdhjetë vëllimet e Emersonit dora ime, rastësisht, mori njërin. Pa bërë zhurmë, zbritëm shkallët, ndërkohë që unë numëroja ato, një nga një. Vura re se ai ishte i kujdesshëm të mos më prekte, thua se kontakti me mua mund ta infektonte.
Në kryqëzimin e rrugës Çarkas me rrugën Maipú, përballë hotelit familjar, priste një karrocë dyvendëshe. Me një gjest ceremonial, por që nënkuptonte një urdhër, më bëri të ngjitem i pari. Karrocieri që e dinte vendmbërritjen tonë, e goditi me kamxhik kalin dhe u nisëm. Udhëtimi ishte shumë i ngadaltë dhe, siç dihej, i heshtur. U tremba (ose shpresova) se, gjithashtu, do të ishte i pafund. Nata ishte me një hënë të heshtur dhe nuk pipëtinte gjë. Në rrugë nuk ndihej frymë e gjallë. Nga të dy anët e karrocës ravijëzoheshin ca shtëpi të ulëta, të gjitha njësoj.
Mendova: Tani jemi në Jug. Lartë, në hije, pashë një orë kullë; në diskun e madh ndriçues nuk dukeshin as numrat, as akrepat. Me sa kuptova, nuk përshkuam asnjë rrugë. Nuk u tremba, as nuk pata frikë se mos trembesha, por kur u hap dera dhe më duhej të dilja, për pak rashë.
Ngjitëm disa shkallë guri, të lëmuara, me shumë pemë anash. Në krye të shkallëve më urdhëroi të shtrihesha në shpinë, mbi bar, me krahët e hapur. Nga ai pozicion pashë skulpturën e një ujkonje romake dhe kuptova se ku ndodheshim. Pema e vdekjes sime ishte një selvi. Në mënyrë të vetvetishme, përsërita rreshtin e famshëm: Quantum lenta solent inter viburna cupressi.
M’u kujtua që “lenta”, në këtë thënie, do të thotë fleksible (e epshme), por gjethet e pemës sime nuk kishin aspak fleksible. Ato ishin të njëjta, të ngurta, të shndritshme dhe bërë nga materie e vdekur. Në secilën kishte një monogram. Ndjeva neveri dhe lehtësim. E dija se një përpjekje e madhe mund të më shpëtonte. Të shpëtoja dhe ndoshta ta humbisja, pasi, i pushtuar nga urrejtja, nuk kisha vënë re as orën as degët monstruoze. Hoqa hajmalinë nga qafa dhe me të shtypa barin, fort, me të dyja duart.
Për herë të parë dhe të fundit pashë shkëlqimin e çelikut. U zgjova; dora ime e majtë preku murin e dhomës sime.
Çfarë makthi i çuditshëm, mendova, dhe menjëherë rashë për të fjetur.
Të nesërmen vura re se në raft kishte një vend bosh; mungonte libri i Emersonit, i cili më kishte dalë në ëndërr.
Dhjetë ditë më vonë më thanë se armiku im ishte larguar nga shtëpia, një natë, dhe nuk ishte kthyer më. Nuk do të kthehej më kurrë. I mbyllur në makthin tim, nën hënën që nuk e pashë, do të vazhdoj të zbuloj me tmerr qytetin e orëve të zbrazëta, me pemë të rreme, që nuk mund të rriten, dhe dreqi e di se çfarë tjetër.
*Titulli i origjinalit: Selvia, pema e vdekjes time
Përktheu: Bajram Karabolli
ObserverKult
————–
Lexo edhe:
BORGES: TË VETMIN NGUSHËLLIM QË KAM ËSHTË: TË DI SE NUK DO TË VAZHDOJ…