Jorgo Bllaci: Po ne ku u fshehëm, ku humbëm…

Oh, ç’natë! Prej tokës së thelli,
Një hymn i mahnitshëm ushton
E çan madhështor nëpër qiellin,
Ku hëna me retë vallzon.

Dhe pishat me mall përqafojnë
Fenerët e rrugës kudo;
Të dehura hijet lodrojnë
E dridhen e puthen nën to.

Pas tyre dikur, si fëmijë,
Me miken ne rendnim me vrap
E ndalnim t’i kapnim, po hijet
Na shkisnin e putheshin prapë.

Nuk di për sa kohë vazhduam
Të rendnim ashtu plot hare,
As di si pastaj u bashkuam
Me lodrën e tyre dhe ne.

Mbaj mend vetëm fjalët, që shkanë
Aq ëmbël nga buzët e saj:
“I dashur, veç ty të kem pranë,
Pa jeta rrjedh vetë pastaj…”

Dhe nata, e bukura natë,
Ushtimën pushoi rreth nesh;
Kështu si tani, hënë e artë
U fsheh edhe humbi pas resh.

Po ne ku u fshehëm, ku humbëm
Aq keq, sa mos shiheshim dot?
Sa më njëri-tjetrin s’po mundim
Ta gjejmë gjëkund edhe sot?