Mos më lëndo pareshtur me sytë e tu mitarë ,
Më ngrys, moj vogëlushe, vështrimi yt gazmor!
Sikur ta dish që unë jam fishkur e jam tharë,
Do të të therte ndoshta diku në kraharor.
Kështu si ti dhe unë dikur kam dashuruar,
I njoha ëndërrimet e brengat plot mundim,
Po erdh një ditë e mbeta fatkeq e i vetmuar;
Sa lotë pikëllimi kam derdhur në lëngim!
Dhe kur, në kulm të dhëmbjes, ndonjë shkëndi e tretur
Thëngjijtë më të shuar m’i ndezte prap’ në gji,
I frikësonte vashat vështrimi im i etur
Dhe puthja ime e egër u shtinte lemeri.
Tani jam katandisur si lisi mbetur shkretë,
Që trungun gjithë zgavra me degë e fletë e fsheh;
Si zor ta përtëritë sërishmi stinë e nxehtë
Të ngratin trung, që dritën dhe diellin më s’e sheh.
Mos m’i kujto të shtrenjtat pranvera që më ikën
Dhe mos kërko tek unë gëzim e dashuri,
Se gjoksin ma ronitën, ma dogjën, ma zhuritën
Pasionet e stuhishme, që s’m’i kuptoi njeri!
ObserverKult
———————————————————-
LEXO EDHE:
JORGO BLLACI: BRENGËN E MBYTA NË NJI GOTË!
Brengën e madhe mbyta në nji gotë;
Si qenkam dehur sonte se kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
sa më pëlqen të rri e t’ëndërroj.
Sa më pëlqen gazmor t’i bie lirës ,
po ku të lë mendimi të dëfresh ?
Demon, demon i madh i hapsirës,
akoma ti kërkon të më gënjesh ?
Ti po ma nxin me brenga djalërinë,
ti po m’i shqyen brinjët, po më çmend,
ose më kthe sërishmi qetësinë,
ose me sill këtu tërbimin tënd!
Se do t’i qepem qiellit kësaj nate,
për flokësh ta kap hënën e me të
të sillem hapsirës së pamatë
e të mos zbres mbi tokë kurrë më!
——————————————————————
LEXO EDHE:
JORGO BLLACI: KUJT T’I FLAS? KUSH PËR MUA KUJTOHET?
Në tetor, kur prarohen korijet,
Nëpër trup një rrëqethje më shkon;
Shkrifem krejt e i ngjaj një fëmije,
Që m’i vogli ngacmim e trishton.
POEZINË E PLOTË MUND TA GJENI KËTU