Josif Papagjoni: Pse po vonohet ndërtimi i godinës së Teatrit…

josif papagjoni


Kritiku i artit, Josif Papagjoni, analizon shfaqjet e këtij viti në teatrot e kryeqytetit shqiptar. Ai veçon premierat më të suksesshme dhe shpreh nevojën për dhënien e tyre në skenat dhe festivalet jashtë vendit.

Papagjoni flet me tona të ashpra për vonesën dhe përdorimin politik të çështjes së godinës se re të Teatrit Kombëtar.

Në muajin gusht, kur në teatrot e kryeqytetit nuk është menduar për një alternativë skenike, publiku lihet në pritje. 2021-shi, në luftë me efektet e post izolimit të tej zgjatur teatral, për ‘Eksperimentalin’ e Teatrit Kombëtar, u mbyll me 216 shfaqje e 18 mijë e 427 vizitorë. Kritiku Papagjoni nuk harron t’i kujtojë meritat çiftit Xhunga e Çobani për shfaqjen emblematike “Edmond” të risjellë edhe këtë vit. Njëherazi shpreh entuziazmin edhe për vëniet e muajve të fundit.

“Teatri Kombëtar dhe stafet teatrore, i kanë dhënë publikut disa shfaqje të mira dhe këtu do të veçoja posaçërisht një shfaqje shumë të mirë të Shekspirit ‘Coriolanus’ me regji të Altin Bashës, që sipas meje sjell një dimension të konsiderueshëm të Teatrit Kombëtar.

Kishte një numër të madh figurantësh për të ndërtuar skenat e luftrave etj. Kjo i dha hapësirë dhe një dramacitet të madh veprës, thotë kritiku i artit Josif Papagjoni.

Krahas premierave si “E vërteta e Zeller” me regji të Dunit e sprovës së Bitrakut me “Përvjetorin e ditëlindjes”, kritiku vlerëson shfaqjet në skenën e teatrit Metropol. “Për fuqinë e fjalës e të mesazhit do të veçoja ‘Oh, ato ditë të lumtura’ të Samuel Becket me regji të Arben Kumbaros, me interpretimin brilant të Yllka Mujos. Dhe, padyshim që një nga prurjet më interesante të këtij sezoni ishte ‘Tre dimrat’e Tena Stiviçiç me regji të Rozi Kostanit e cila solli një atmosferë mallëngjyese”, thotë më tej Papagjoni.

Në mungesë të një nisme konkrete, Papagjoni kërkon që institucionet e kulturës të bëjnë përpjekje për prezantimin e shfaqjeve vendase në skena e festivale teatrale jashtë vendit. “Është e domosdoshme që ne të cekim skenat evropiane, apo pjesëmarrja në festivalet ndërkombëtare teatrale. Ky është gjaku dhe limfa e teatrit shqiptar, nëse mbetet mbyllur kështu, ka mbaruar. Është një teatër provincial”, shprehet ai.

Ndërkaq kritikon vonesën për fillimin e punës së ndërtimit të godinës së re të teatrit kombëtar…

“Unë kam qenë si gjithë të tjerët i shqetësuar, përse ky teatër, kjo godinë nuk po ndërtohet. Përse është kapur ‘peng’ nga politika dhe premtimet e dhëna nuk po duken në dritë. Unë pres me padurim ndërtimin e godinës së re të teatrit, sepse do të jetë një shans i madh për artistët, ashtu si e kanë premtuar me 4 salla e mundësi të shumta”, rrëfen kritiku./shqiptarja.com

ObserverKult

Lexo edhe:

JOSIF PAPAGJONI: NË 30 VJET S’ËSHTË MENDUAR NDONJËHERË PËR TEATRIN