Josif Papagjoni: “QUO VADIS” filmi shqiptar

Josif Papagjoni

Nga Josif Papagjoni

Mora shkas nga një shënim i kinoregjisorit të njohur Mevlan Shanaj për gjendjen e sotme të filmit shqiptar, dhe si përgjigje shkrova ca radhë, të cilat them se vlejnë për më tej se një bisedë në Facebook.

Si çdo gjë që, në këtë Shqipërinë tonë të gjorë, e ka gëlltitur mediokriteti, idiotësia, sharlatanizmi, puna me nxit, kich arti, zhvat ca pare këtu-aty dhe hidh e prit ca broçkulla që quhen art; më tutje vërshimi i një banaliteti poshtërues, një skatologji seksuale dhe fjalori i rrugës, sharjet, shprishja e gjuhës, gënjeshtrat e subjekteve që masakrojnë dhe ndotin skajshmërisht njeriun, kohën, të vërtetat e shpirtit dhe dinjitetit, kudo e kudo – po njësoj është dhe arti i kinemasë.

Duhet kohë të ndërtohet një rend i ri vlerash. Shoqëria krejt është në një kaos dhe zdërhallje kulturore thuajse barbare, shpresëhumbur, me një zhgënjim vrasës dhe pabarazi të krijuar nga hajdutëria, krimi, korruptimi i shtetit dhe i vetë elitave prej ku do duhej të buronte drita e mendjekthjelltësisë etj, etj.

Shijet janë përtokë. Po rritet një brez injorantësh, shatrapatrash, njerëz të sipërfaqshëm, dhe doemos këta imponojnë shije e pëlqime.

Edhe filmi nerv e fibër e kësaj shoqërie është, pjesë, indeks, pasqyrë, sa dhe zhbërje dhe vuajtje e kësaj kulture komunikimi e sjellje është, e vetë kohës ku jetojmë, e artistëve të tij më së pari, të vjetër e të rinj, dhe pastaj e këtij populli dhe e këtij vendi, e vetë periudhës historike.

Klithma e pakënaqësisë, e mërzisë, e dëshpërimit gjer dhe e depresionit se pse kinemaja shqiptare gjendet në këtë derexhe, ka kohë që mbush qiellin.

Edhe ata pak pëllumba që kanë mbetur janë të rrethuar nga krrokamat e korbave të gjithfarë snobistëve, burracakëve, të paaftëve si dhe gjithë shtinjakëve, që hiqen por nuk janë artistë.

Ky enturazh është njëjtë si myku në muret e shtëpisë. Pse mos ta themi se qysh pas vitit 1991, kur taborret gjoja “demokratike”, të keqkuptuara në thelb, i anatemuan filmat dhe artin e bërë asaj kohe, ishte një nga spektaklet më të ndyra politike, pa shquar aty asgjë të mirë veçse gjithçka  keqe, e ndotur, një WC e madhe ku duhej të binte vareja dhe kazma.

Kjo idiotësi e orkestruar nga njerëzit që vetëm dinë të urrejnë dhe që kishin në damarët e gjakut revanshin e tyre të egër, donin ta kthenin në shkretim atë mund e talent, atë pak lëndinë të lulëzuar prej artistëve tanë në radhë të parë, e pastaj të krejt një kohe, me mohimin e tyre “in extremis” që i bënë letërsisë, artit, kulturës, arsimit dhe çdo gjëje të mirë e të bukur që, brenda kufizimeve të asaj kohe e brenda “shtratit të Prokrustit”, ky popull e këta krijues ngritën me aq mundim e pasion.

Qenë nga njerëzit më të përkushtuar e me talent. Gjejini sot! Eh, ka ca tempuj që nuk rrëzohen kollaj, ju liliputët pretenciozë që shtireni se bëni art të madh, por në fakt ca kasolle, mos të themi kotece, keni sajuar. 

A rrëzohet dot “Përrallë nga e kaluara” dhe “Lulëkuqe mbi mure”? Kush budalla mund t’i rrënojë strukturat lapidare të filmit shqiptar si “Nëntori i dytë”, “Udha e shkronjave”, “Flutura në kabinën time”, “Koncert në vitin 36”, “Zonja nga qyteti”, “Dimri i fundit”, “Balada e Kurbinit” etj, etj.

Është e sata herë që ca fragmente të politizuara, me vetëdijen e tyre ekstreme, i janë turrur vlerave të filmit shqiptar të para vitit 1991, duke ngatërruar keq veskun ideologjik e politik të kohës (ku mund të hasësh, padyshim, mbivendosje idesh, zgjidhjesh skematike gjer dhe rafinime karakteresh të paradhënë), nga njëra anë, me fuqinë e artit dhe pavarësinë që ai gëzon në raport me limitet e kohës.

Dhe duke e kapërcyer kufizimin ideor e formal të kohës së tyre, këta filma fare bukur komunikojnë edhe me gjeneratat e reja, sepse vlera e tyre shpirtërore është sublimuar estetikisht, është universalizuar.

Unë nuk po fut këtu edhe informacionin e jashtëzakonshëm e kureshtjen që ata sjellin te spektatori i ri me imazhet, mjedisin social, atë antropologjik, mendësinë e kohës, etnologjnë, historinë, kostumet, skenografinë, muzikën, aktrimin, regjinë etj, etj.

Pse pëlqehen edhe sot këta filma, madje shumë më shumë se ata të pas vitit 1991? Sepse, para së gjithash, janë Filma. Janë vepra arti në përkryerjen e tyre.

Çfarë s’u tha për ta, u shanë e u mallkuan, u shqyen dhe u ndukën, u pështynë dhe u copëtuan, por ama ata mbetën. Nuk i shtrinë dot në dhe, nuk i groposën.

Përkundrazi, filmat u lartësuan. Pse? Sepse arti është art, ka ligjësitë e tij. Arti nuk është politikë, paçka se “politikën” e ka brenda vetes.

Por e tret aty, nuk e bërtet. Dhe kur e panë se kishin mbetur veç një falangë rrobegrisur e shkretanë, liliputët e estetikës së mohimit bënë zbrapsjen e radhës për të sulmuar rishtazi nesër, pasnesër, sa të gjejnë diku një të çarë. Por kot e kanë, tempujt nuk rrëzohen kollaj…

S’mund të akuzohen sot artistët seriozë, që e kanë thënë me kohë fjalën e tyre për këtë krizë dhe këtë çaprashitje të sotme ideopolitike që merr përsipër rolin e prokurorit.

Filmi është art i kushtueshëm, dhe të gjithë e dinë, duhen para, shpërblime të merituara për artistët, mjete, ndërkomunikime me burime financiare brenda dhe jashtë vendit, televizionet, tregu, ekipet e përzgjedhura etj.

Këto sot nuk janë, dje ishin; rrjedhimisht edhe një film serioz dhe me pretendime, nuk ke ku e gjen, as ku e prodhon sot. E ç’ti themi?!

Më së pari u zhvatën studiot e Kinostudios, u vodhën e u plaçkitën, vetë kinostudio u pushkatua ca nga politika, ca nga rishtarët e saj brenda komunitetit të artistëve. Një hajdutëri e pashoq plasi dhe një shkatërrim i madh. Sot gjithçka është e rroposur.

Shiheni si dergjet ish Kinostudjua, ka një breshëri plumbash nga të tjerët dhe të vetët. Kineastët u lanë pa strehë, pa para. Kineastët e rinj, paksa çapraz ndaj të vjetërve, mësuesve të tyre, u ngarendën drejt një horizonti që ju dukej i bukur e plot farfuri.

Por mua më duket thjesht një mashtrim i ri. Pastaj kjo moda e keqkuptuar e “modernizmit” të tyre, e gjuhës kinse moderne të filmit etj, e ka shkatërruar jo pak vetë filmin. E keni vënë re se sa epigonë të mjerë, për të mos thënë të neveritshëm, ka sot që imitojnë e rreken të bëjnë filma gjasme modernë. Humbasin jetën, humbasin të vërtetën, humbasin sjelljen e natyrshme njerëzore.

Këta 30 vjet, përveç disa filmave të realizuar e seriozë, ka një mori filmash të mbytur nga rëndomtësia, filma spekulativë, që grumbullojnë në ekran pusllëkun e rrugës dhe rrugaçët, por jo kabinetet e njerëzve me shije, dije, hijeshi e të kulturuar.

Ka shumë personazhe të çartur, idiotë, të mangët nga trutë, njerëz jashtë realitetit, sajesa, që ngjasojnë me ndoca qenie çudane, thjesht për të të bërë ty të qeshësh me zor.

Nduken, shtrembërohen e shqyhen aktorët e gjorë për t’u bërë interesant. Por më kot. Disa filma të fundmë që kam parë në televizor nuk i kam çuar dot as 5, 6 minuta. Mjerim. S’mundem dot. Sikur më idiotizojnë dhe mua.

Janë sillazh për bagëtinë, jo njeriun që ka dy gramë mend, njohje, pak shije e pak eksperiencë. Them se dhe koha e kulturave kozmopolite e globale, që janë përplasur fort ndër ne, sidomos imitimi dhe deformimi i tyre, nuk e favorizojnë kinemanë shqiptare.

Edhe në jetoi me ca injeksione, ajo nuk e shtyn dot e as e çon dot veten deri në epërinë dhe strukturën kompakte të krijimit të një Filmi të vërtetë Artistik. Tregu global po e gëlltit dhe do ta gëlltit atë.

Ndonjëhetë them se brezi i mëparshëm i kineastëve shqiptarë ishte fatlum që ndërtuan një emër dhe bënë disa filma të cilët, pavarësisht veskut ideologjik të pashmangshëm të kohës kur u prodhuan, ende shikohen me endje.

Dhe kanë për t’u parë vite e vite më pas. Sepse ata janë Filma, kanë strukturën e veprave të plota artistike, janë serioze e të mirëfillta.

Të gjithë flasim për krizën e filmit, edhe aktorët, edhe regjisorët, edhe shumë e shumë të tjerë. Është një dëshpërim, fatkeqësisht dhe fatalisht, pa zgjidhje e një fund të dëshiruar.

Filmi më ngjan se po jep grahmat e fundit drejt një kalbëzimi thuajse total e një kohe që po ia fut shkelmin në grykë. E tmerrshme, por e vërtetë. Dëshpërimisht.

Afërmendsh paçavure ekranizimesh po, do të ketë edhe paskëtaj. Fol e fol sa të duash, por kush të dëgjon?!!!…

ObserverKult


leonard cohen retë

Lexo edhe:

LEONARD COHEN: EDHE DASHURITË E MËDHA IKIN…

Nga Leonard Cohen

Retë kalojnë
Kalojnë pa u prekur, pa u shikuar
Secila shijon gëzimin e vet
Secila zjarrin e vet
Nuk kërkojnë asgjë nga njëra tjetra,
Nuk kanë dëshira
Janë vetë dashuria!

Pamjet më të bukura kalojnë
Vallëzim në një qiell të shumëfishtë
Me të qeshura të pafundme
Kalojnë
Si yje të stinëve të ndryshme
Kalojnë
Si meteor të shekujve të ndryshëm,
Që nuk e shuajtën zjarrin,
edhe kur kaluan pranë zjarrit
Por kalojnë
Të qeshura të shkara
Krejt nga rehatia
Kalojnë nga njëra – tjeta
Pa u prekur pa u shikuar
Kalojnë

Duhet veçse ta dish
Ashtu si retë
Edhe dashuritë e mëdha ikin…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


leonard cohen retë

LEONARD COHEN: MIRUPAFSHIM MARIANË (TEKSTI DHE KËNGA)

Mirupafshim Marianë

E dashura ime e vogël, hajde këtu ndanë dritares,
dua të provoj fatin mbi pëllëmbë të ta lexoj,
atë botë pandehja se isha ndonjë djalë rom,
përpara se lejova në shtëpi të më merrje ti.

Tash, mirupafshim Marianë,
është koha kur ne ia fillojmë të qeshim dhe të qajmë
dhe të qajmë dhe të qeshim nga fillimi prapë.

Po, ti e di se unë dua të jetoj me ty,
por ti më bën kaq harraq,
unë harroj të lutem për engjëjt,
e pastaj engjëjt harrojnë të luten për ne.

Tash, mirupafshim Marianë,
është koha kur ne ia fillojmë të qeshim dhe të qajmë
dhe të qajmë dhe të qeshim nga fillimi prapë.

Ne u takuam kur ishim thuajse të rinj,
thellë brenda kopshtit të gjelbëruar me jargavanë
Ti re mbi mua sikur unë të isha kryqëzim
përderisa nëpër errësirë ecnim gjunjazi.

ObserverKult