Ju kujtohet “Epopeja e Ballit Kombëtar”, ua sjellim “bejten” e plotë!

epopeja e balli kombëtar
Diktatori Enver Hoxha dhe shkrimtari Shefqet Musaraj

“Epopeja e Ballit Kombëtar” e shkruar nga Shefqet Musaraj është publikuar për herë të parë në vitin 1944. Në të përmes sarkazmës denigrohet Balli Kombëtar dhe indivdët e saj të veçantë duke i sjellë si hajdutë pulash dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin.

Në vargjet e kësaj poeme midis të tjerash ironizohet edhe kreu i kësaj organizate Mit’hat Frashëri, i cili paraqitet si njeri mondan, aristokrat e mendjemadh, sikurse edhe Balli Kombëtar për “qëndrimet oportuniste ndaj kuislingëve”.

Nga kritika socrealiste kjo “bejte” është konsideruar si poemë e qëndresës antifashiste, revolucionare, poezi qytetare e patriotike etj.

ObserverKult ua sjell të plotë sa për ta rikujtim se çka shkruhej në atë kohë dhe për ta analizuar si tip poezie.

ballit kombëtar

Shefqet Musaraj: Epopeja e Ballit Kombëtar

U mbyt gjemia,
me federal!
O burra shpejto
kush mund të dal!

Paçet fashizmit
e vinçeremo-s
se iku koha
e baba Qemos.

Se me avazin
Glorias romane
vate dhe çorba
musoliniane.

Ç’e ndreq me popullin
që s’di ç’kërkon!
Do kthyer fleta
Sa s’është vonë!

Pa dy – tri pushkë
Dhe ne armiqve
Addio bello
Pronë e çifliqe!

Do na mbulojnë
Plehrat e tokës,
Do ngrihen këmbët
T’i bien kokës.

Do dalë djalli
Nga fundi i dheut
Do ngrihet bujku
T’i thotë beut:

– Ç’bëje zotrote
Bej efendi,
Kur unë luftoja
Për Shqipëri? –

Pa do na nxjerr
Kushedi ç’deftere
Zjarri i xhehenemit
Mbi ne do bjerë…!

Prandaj o burra!
Dhe ne në çetë.
Atdhenë e lirë
Ta bëjmë vetë.

T’i kthejmë krahët
mikut që patmë,
t’i marrëm xhanë,
se ndryshe vamë…!”

Pa kur t’i shohësh
Dervenë – dervenë
Në vend të pushkëve
Gota dhe enë.

Jaka të ngrira,
Bastun, ombrella,
Pantofla, guante,
Pizham, kapella.

Të gjithë të pushkës,
Të gjithë të malit…
Tani që i ranë
Patkonjtë kalit.

Na ngordhi kali
I ranë thonjtë
Ç’po vrapon balli
T’i heqë patkonjtë.

“Na zien në deje
Gjak shqiptari,
S’durojmë kurrë
Zgjedhë barbari!

Do bëjmë luftë
De more de.
Si lum ti popull
Mezi na ke!”

Pa nis dollia
Theren kurbanët
Varda rakia
“Poshtë italianët!”

“Do bëjmë luftë
Do tundim malet”
Dhe fshati qeshet
Dhe bota tallet

Dhe vendi pyet
“Ç’vapor i solli?
Ku ish gjer dje
Kjo farë sokoli?!

Ç’thua ti Daj Ceno?”
“ – S’di gja o vlla
Me bahen janë bullica
Në tevdil hava…”

“Do bëjmë luftë
Me armiq barbarë,
S’keni ku futeni,
Dridhuni tradhtarë!”

“Kush janë tradhtarët?”
“Shohim e bëjmë,
Të marrim frenat
Pastaj e gjejmë…”

“E bënë luftën
Me pula strena,
Tash dun dhe frena…”
– Gjëmon Daj Cena.

“-Dynjanë sulltanë
E ndërruan këta horra
Dhe një herë dajakun
S’e lëshuan nga dora.

Tash tek ne vrapin
Si qentë për petulla,
Me na heq sytë,
me na vu vetulla…

Po kush s’i njef se..!
Nji ku ua thot daja
Me kësi horrllëqesh
Është ngope dynjaja!”

Pëllëmbë e gjak
Andej matanë.
Luftojnë e s’tuten
Bijtë partizanë.

As bukë,as ujë,
As leckë veshur.
Këpucët shqyer.
Po armët ngjeshur.

Nga lufta kthehen
Shkëmbinjsh dëbojë
me gaz në buzë,
me këngë në gojë.

________________

Shefqet Musaraj i takon brezit të shkrimtarëve shqiptarë, të cilët veprimtarinë letrare e kanë filluar diku përpara Luftës së II  Botërore, kurse si krijues janë afirmuar në vitet pas saj.

Për ndryshim prej një numri letrarësh si, Sterjo SpassesDhimitër ShuteriqitVedat KokonësEsad MekulitFatmir GjatësLlazar Siliqit, e ndonjë tjetri – që janë bërë të njohur menjëherë në dhjetëvjetëshin e parë të pasçlirimit prej okupacionit fashist, Shefqet Musaraj është afirmuar aty rreth viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ka botuar tregimin Isha unë Çobo Rrapushi, e sidomos rreth vitit gjashtëdhjetë e pesë, kur ka botuar romanin e tij të gjatë Para agimit.

Përpara këtij romani voluminoz, me të cilin pothuaj ka sintetizuar punën e vet letrare, që shquhej me fragmentaritete, Shefqet Musaraj ka botuar edhe poemthin “Epopeja e Ballit Kombëtar” më 1944, poemthin tjetër “Do bëhen zgjedhjet” më 1948, përmbledhjen e pjesëve humoristike “Të shkruara – të paharruara” më 1957, prej të cilave një pjesë e dukshme janë publikuar gjatë okupacionit në revistën ilegale “Kushtrimi i lirisë, kurse më 1967 i është ribotuar tregimi “Isha unë Çobo Rrapushi” me të cilin, në të njëjtën përmbledhje, ka dalë edhe tregimi më i gjatë i tij Llaz Qesarati.

Përpos këtyre prozave dhe poezive Musaraj ka shkruar dhe botuar reportazhin nga lufta partizane “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit të I sulmues”, mandej reportazhe dhe skica nga vizitat që u ka bërë Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë si dhe një numër vjershash që i janë futur edhe në antologjitë e ndryshme, si në analogjinë “Simfoni për atdheun”, e në ndonjë tjetër.

Tituj të veprave

  • “Epopeja e Ballit Kombëtar”- poemth, 1944
  • “Do bëhen zgjedhjet” – poemth satirik, 1948
  • “Të shkruara – të paharruara”- humoreska, 1957
  • “Isha unë Çobo Rrapushi” – tregim, ribotim 1967
  • “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit të I sulmues” – reportazh
  • “Simfoni për atdheun” – antologji

Përgatiti: ObserverKult