reklamë

Juan Rulfo, njeriu që tha gjithçka në heshtje

Nga Darwin Carballo Velásquez

Juan Rulfo nuk ishte një shkrimtar që prodhoi shumë. Ai nuk i mbushi raftet me romane, as nuk u josh nga shkëlqimi i suksesit letrar. Në vend të kësaj, ai zgjodhi heshtjen. Por ishte një heshtje që jehonte si bubullimë në historinë e letërsisë.
I lindur më 16 maj 1917, në Apulko, Jalisko, jeta e tij u shënua nga humbjet që në moshë shumë të re. Ai mbeti jetim në moshën gjashtë vjeç kur i vdiq i ati; në moshën dhjetë vjeç, e la edhe nëna. E rriti gjyshja, në një qytet të qetë, të plagosur nga pasojat e Revolucionit dhe luftës. Meksika e shkatërruar, e shkretë dhe fantazmë u bë peizazhi i përhershëm i veprës dhe i shpirtit të tij.
Për vite me radhë jetoi në varfëri. punoi si arkivist, agjent imigracioni dhe shitës gomash. Punë të qeta, rutinë. Por natën, kur askush nuk e shikonte, ai shkruante.

Në vitin 1953, Rulfo botoi «Rrafshina në flakë», një përmbledhje me tregime poetike të ashpra, ku dhuna, uria dhe vetmia e fshatarëve meksikanë u portretizuan me saktësi kirurgjikale dhe bukuri të dhimbshme. Atje, dëgjoheshin jehonat e një vendi që po përgjakej në mjediset e tij, që, i mbytur në pluhur, po ulërinte.

Dy vjet më vonë, në vitin 1955, botoi «Pedro Páramo», një roman që mezi arrinte 122 faqe. Por kjo krijimtari kaq e shkurtër pati aftësinë të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e letërsisë latino-amerikane. Në të, ai krijoi një botë të banuar nga të vdekurit që flasin, të gjallët me amnezi dhe heshtjet që bërtasin. I gjithë vendi dukej se ishte i përmbledhur aty, mes murmurimave, jehonave dhe fantazmave. Në fillim, pak veta e kuptuan. Por, vite më vonë, Gabriel García Márquez do të thoshte se, pa leximin e «Pedro Páramos», ai kurrë nuk do ta kishte shkruar «Njëqind Vjet Vetmi».

Dhe pastaj Rulfo… asgjë. Nuk botoi më letérsi. Për dekada të tëra, shtypi dhe lexuesit këmbëngulën: «Pse nuk shkruan?» Përgjigja e tij ishte e thjeshtë, e pakundërshtueshme: «Sepse i kam thënë të gjitha».

Pjesën tjetër të jetës e kaloi në Institutin Kombëtar Indigjen, duke bërë fotografi, duke refuzuar intervista dhe çmime.
Juan Rulfo vdiq më 7 janar 1986, në Qytetin Meksiko, në moshën 68 vjeç. Vdiq në të njëjtën heshtje, siç kishte jetuar.
Por trashëgimia e Rulfos nuk vdiq. Me vetëm me dy libra, ai ndryshoi gjuhën, transformoi rrëfimin dhe na detyroi të përballemi me vdekjen, kujtesën dhe harresën. Puna e tij është provë se, ndonjëherë, nuk ke nevojë të thuash shumë për të thënë gjithçka.

Në shqip: B. K.

ObserverKult


Lexo edhe:

I shëmtuar dhe i tallur/ Rrugëtimi jetësor i Chuck Norrisit