Julian Lala ka një pasion të jashtëzakonshëm për udhëtimin. Ai ka shëtitur në Shqipëri dhe nëpër botë me shpenzime fare të vogla.
Juliani është eksploruesi shqiptar i botës, një nga personazhet që e kalon jetën vetëm në udhëtime.
Ai ka një kanal në Youtube i cili titullohet, ‘Aventurat e Julit’, që flet për udhëtimet e tij. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon pasionin për të udhëtuar. Po ashtu tregon se si mund të udhëtosh me autostop dhe shpenzime të vogla.
Kur ju lindi pasioni për të udhëtuar?
Udhëtimin mund ta kenë pasion të gjithë, por duhet ta bësh. Nëse nuk e ke pasion, nuk e bën dot. Unë udhëtimin po e pranoj tani për herë të parë, ngaqë e kam traumë fëmijërore. Deri në moshën 12 vjeç nuk kam shkuar asnjëherë as në Sarandë. Unë jam nga Borshi dhe nuk më merrnin në asnjë vend, kështu që nuk udhëtoja. Gjithmonë udhëtimi im ka qenë një udhëtim mental, pra lexoja libra të ndryshëm si Robison Krusoe, Aventurat e Tom Sojerit, që më bënin “të arratisesha”. Momentin që unë mundesha “të arratisesha” dhe në mënyrë fizike, ajo ishte ndoshta ndjesia më e bukur në botë. Pra, aty ku mendon ti, aty mund të shkosh dhe mund të jesh.
Keni udhëtuar në vende të veçanta dhe me shpenzime të vogla
Unë mund të kem gjetur dhe vende të varfëra që nuk kanë asgjë për të ofruar, por duke kërkuar pak më brenda e gjen ti vetë dhe e bën të veçantë atë vend. Kështu që çdo vend është i veçantë nëse ti kërkon shumë dhe rri atje duke e shikuar me një mënyrë ndryshe dhe një sy ndryshe.
Cilat kanë qenë gjërat që ju kanë bërë më shumë përshtypje në vendet që keni vizituar?
Unë nuk kam shkuar në shumë vende se çdo vend ka shumë vende brenda për brenda. Ti mund të thuash që ke qenë në çdo shtet të botës, por mund të kesh qenë vetëm në një qytet dhe vërtetë nuk ke qenë në shumë vende. Mendoj se nëse i kategorizon nga gjërat që ofrojnë, mund të them që ushqim të mirë ka Spanja me Turqinë. Plazhe të bukura ka Greqia me Portugalinë dhe male të bukura ka Norvegjia me Zvicrën. Këto janë vendet e para që do të shkosh. Por edhe në një vend tjetër mund të gjesh gjëra dytësore që nuk janë dhe aq të njohura, por janë mbase më të bukura. Një vend mund të jetë shumë i bukur si Norvegjia, por nuk ka diell dhe nuk të pëlqen se nuk ka diell.
Nga të gjitha udhëtimet që keni bërë a keni krijuar kontakte me vendasit në këto vende?
Kam krijuar shumë kontakte, por për t’i mbajtur është pak e vështirë që të flasësh me të gjithë. Sidoqoftë këto janë kontakte që nuk ke nevojë t’i mbash. Nëse dikë kur kam qenë në shkollë të lartë e kam mbajtur në shtëpi dy-tre ditë, mund ti kërkojë të njëjtën gjë. Pra, unë për 10 vjet i shkruaj atij ku ai është në Berlin dhe mund të më mbajë në shtëpi dy-tre ditë.
Besoj se dhe ai do më mbajë ose anasjelltas se pavarësisht që nuk kemi folur 10 vjet, por kemi krijuar një lidhje të fortë.
Kur udhëton i krijon lidhjet e forta sepse kur dikush të mban në shtëpi sapo të ka njohur dhe rri me të në shtëpi 24 orë ajo është lidhja më e fortë.
Të udhëtosh në vende më të largëta me një kosto shumë të ulët dhe udhëtim me autostop nuk është aq e lehtë. Si mund të udhëtosh me autostop dhe me shpenzime të vogla?
Është e gjithë tek ideja, sepse pjesa teknike nuk është e vështirë. Unë e kam spjeguar dhe tek “Aventurat e Julit” në emisionin tim që realizoj në kanalin YouTube. Është relativisht e thjeshtë që ta gjesh sesi mund ta bësh. Por që ta gjesh brenda teje si ta bësh, si të nisesh dhe kur të nisesh është shumë e vështirë.
Gjëja më e vështirë është që të nisesh ditën e parë sepse nëse ti do që të ikësh nga Tirana me autostop deri në Portugali apo në Armeni. Gjëja më e vështirë është dita e parë që të nisesh nga qendra e Tiranës të shkosh te Universiteti Bujqësor dhe t’i ngresh dorën një makine për të bërë autostop.
Duhet që t’i kesh harruar të gjitha problemet e tjera dhe të fillosh një jetë nga fillimi për të qenë rrugës.
Egzistojnë gjëra të ndryshme sesi të ushqehesh me pak lekë apo si të bësh autostop me pak lekë. Ka shumë mënyra sesi të udhëtosh me autostop dhe me shpenzime të vogla.
Kur udhëtoni me autostop i merrni parasysh vështirësitë gjatë rrugës dhe destinacionin?
Natyrisht që ka vështirësi por duhet të dish sesi t’i kalosh këto vështirësi.
Ndërsa për pjesën e destinacionit zakonisht unë kam një drejtim. Nëse do iki drejt Portugalisë apo drejt Kinës por që nuk dihet se çfarë mund të ndodhë dhe se ku do të bie rruga sepse udhëtimi është me autostop. Pra, duhet të gjesh vendet më të afërta me destinacionin final dhe çdo gjë varet nga momenti i udhëtimit.
Përveç udhëtimeve ju keni pasion dhe radion, keni drejtuar emisone në disa radio.
Unë kam shumë pasion storytelling, pra të thuash histori. Kur kam qenë 10 vjeç kam botuar vjershën time të parë në një revistë që ka qenë atëhere me vjersha shkollore. Ndërsa më vonë duke treguar histori me mënyra të ndryshme qoftë me blog, me shkrime të vogla apo dhe ditar. Pastaj fillova në radio sepse kisha dëshirë të thoja më shumë histori dhe më të bukura.
Pas radios me rritje shumë personale hyra dhe në televizion, dhe pas asaj shkova edhe në YouTube që e kam çdo gjë në kontroll. Në këtë të fundit mund të them çfarë të dua dhe kur dua unë dhe si e dua. Nëse diçka merr tre minuta për ta thënë, atëhere merr tre minuta, pra nuk ka limitin e televizionit. Për mua radio është e gjitha dashuri dhe unë me gjithë qejf do i kthehesha dhe njëherë.
Keni udhëtuar dy herë në një vend?
Kam udhëtuar disa herë sepse unë nuk jam nga ata njerëz që udhëtojnë për numra, pra që unë kam qenë në 99 shtete, por dua edhe një që të shkojë në numrin 100. Unë do shkoj sërish në Spanjë për herë të 10-të, kam qenë në Itali mbi 20 herë. Kam qenë në disa benzinata kur bëja autostop dhe e shikoja për herë të dytë të njëjtën benzinatë. Atje mund të kem qëndruar tre orë para dy vitesh dhe shkoj sërish tek i njëjti vend. Dhe them sa çudi që jam në të njëjtin vend dhe do rri tre orë të tjera për një makinë.
Keni bërë foto apo video gjatë këtyre udhëtimeve?
Unë kur fillova të udhëtoja para 10 vitesh bëja shumë foto sepse e kisha qejf fotografinë dhe pikturën. E vërteta është se nuk i shikoj asnjëherë fotografitë, kështu që ndalova së bëri fotografi.
Si mund të udhëtosh në Afrikë me autostop?
Egzistojnë disa njerëz në botë të cilët kanë bërë udhëtime nga Afrika e Jugut deri në Turqi apo Gjermnai.
Është shumë e vështirë dhe për shqiptarët besoj se është akoma më e vështirë si për vizat, por edhe e rrezikshme. Afrika është diçka tjetër dhe të shkosh atje duhet të mendohesh mirë para se të shkosh.
Faleminderit për intervistën dhe uroj të bëni sa më shumë udhëtime.
Faleminderit shumë për ftesën dhe shihemi për një vit në Kinë.
Intevistoi: Gazmend Agaj
ObserverKult
Lexo edhe:
7 UDHËTIMET E EDIT DURHAMIT NË VENDET E BALLKANIT: “SHQIPTARËT JANË NË ‘BORXH’ ME ALBANOLOGEN”
Muzeu Historik Kombëtar për 75-vjetorin e ndarjes nga jeta të Edit Durham organizoi konferencën shkencore mbi mbresat e udhëtimeve të saj në trojet shqiptare.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Dorian Koçit, kontributi që Durhami ka dhënë për Shqipërinë nuk është vlerësuar sa duhet
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult