Libri “Juvenilia” i Ndre Mjedës i botuar në Vjenë në 1917, i gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës, nga Mentor Quku.
“Juvenilia” është një përmbledhje me poezitë, poemat dhe përkthimet e Dom Ndre Mjedës, botuar për herë të parë në Vienë më 1917.
Vëllimi “Juvenilia” është një përmbledhje e poezive të Mjedës, nisur që me poezinë “Vaji i bylbylit” shkruar më 1886 në Porto-Ré, kur ishte 20 vjeç.
Libri kishte 79 faqe me këto poezi në përmbajtje: “Vaji i bylbylit”, “I tretuni”, “Andrra e jetës”, “I mbetuni”, “Shtegtari”, “Vorri i Skanderbegut”, “Mahmud Pasha në Mal të Zi”, “Mustaf Pasha në Babune”, “Malli për atdhe”, “Giuha shqype”, “Préndvéra”, “Vera”, “Vjeshta”, “Vaji i dallëndyshes”, “Vllavrasi”, “Të vorruemit Sir John Moore”, “Mbreti Tules”, “Dimni”.
Sipas Elsie ndoshta nuk është rastësi që titulli i kësaj vepre të Mjedës është po ai i vëllimit poetik të Karduçit “Iuvenilia”. “Juvenilia” e Mjedës përfshin jo vetëm poezi origjinale, por edhe përshtatje nga poezia e huaj: Vaji i dallëndyshes nga Grosi, Vllavrasi nga Kaparoco, Të vorruemit Sir John Moore nga Vulf dhe Mbreti Tules nga Gëte.
Më 1964 poezitë e Mjedës u ribotuan në vëllimin “Juvenilia dhe vepra të tjera”, të mbledhura dhe të redaktuara nga Mark Gurakuqi.
Më 1988 u ribotua vepra “Ndre Mjeda – vepra letrare” në dy vëllime, të mbledhura, me parathënie, komente e shënime nga Rinush Idrizi.
U ribotua më 1999 nga shtëpia botuese “Dituria” një klon i përmbledhjes së Gurakuqit me titullin “Juvelinia dhe vjersha të tjera”, në të cilin përgatitësi Petrit Ymeri ndryshe nga përkujdesësi Gurakuqi, quan që në titull vjersha poemthat Lissus, Lirija e Scodra. /DiasporaShqiptare