Kryesia e Akademisë së Shkencave reagon ndaj cilësimeve të kryetarit të Shoqatës së botuesve Petrit Ymeri.
Pronari i shtëpisë botuese “Dituria”, njëherësh dhe kryetar i shoqatës së botuesve, në një bisedë televizive e quajti të atrofizuar, (ka humbur aftësitë krijuese) Akademinë e Shkencave. Akademia e Shkencava shprehet se gjuha e Ymerit nuk i përgjigjet aspak shkallës së marrëdhënieve dhe të vlerësimit që kanë Akademia e Shkencave dhe shtëpitë botuese, ndaj njëri-tjetrit.
Reagimi i plotë
Kryesia e Akademisë së Shkencave reagon ndaj cilësimeve të pakontrolluara e dashakeqëse të kryetarit të shoqatës së botuesve
Kryetari i shoqatës së botuese dhe pronari i shtëpisë botuese “Dituria”, në një bisedë televizive, i dha vetes të drejtë ta quajë Akademinë e Shkencave “të atrofizuar”.
Konstatimi dhe gjuha e kryetarit nuk i përgjigjen aspak shkallës së marrëdhënieve dhe të vlerësimit që kanë Akademia e Shkencave dhe shtëpitë botuese ndërsjelltas, ndaj njëri-tjetrit, si partnerë të dorës së parë.
Nuk është për t’u çuditur nga ky fjalor vullnetarësh të fjalës së shkruar. Këtë e kanë bërë shumë të tjerë dhe vazhdon ta bëjë edhe ndonjë i diplomuar i universitetit të “Google-it”, që nuk çlirohet dot nga opinione të atrofizuara.
Urojmë që ky pohim i kryetarit më së paku të jetë i ngutur dhe të mos ketë lidhje me kushtet e karantinës e të mungesës së informimit.
Duam të shpresojmë kështu, sepse zotëria nuk është koherent e besnik as ndaj vetvetes, pasi po ai deklaron se “Akademia e Shkencave nuk ka punë me librin në tërësi” dhe aq shumë “me problemet e shoqatës së botuesve dhe marrëdhëniet e tyre me drejtorinë e librit”. Atëherë, ku e sheh “atrofizimin” e Akademisë së Shkencave kryetari i shoqatës?! Po përgjegjësinë e saj për punët e shoqatës ku e sheh?!
Problemet dhe shqetësimet e kryetarit të shoqatës së botuesve apo raportet e saj me drejtorinë e librit nuk kushtëzohen nga marrëdhëniet e institucioneve administrative të ngarkuara për librin me Akademinë e Shkencave. Këto marrëdhënie, vetëm prej premisash dashakeqese (ose kushteve të pandemisë), do të gjykoheshin për keq.
Njëherësh shprehim zhgënjim që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit (jo të botuesit), cilësime e zëra të tillë gjejnë hapësirë të transmetohen në mënyrë të njëanshme.
Akademia e Shkencave, me Ligjin nr. 53/2019, është një nga shtëpitë botuese të vendit, madje është enti botues më i madh i librit shkencor në vend. Kryetari i shoqatës së botuesve nuk mund të bëjë sikur s’e di këtë. Që do të thotë se ka edhe një raport bashkëpunimi e bashkëndarjeje mes tyre.
Duke mos qenë e interesuar për qëllimet vetjake të zotërisë kryetar, Akademia e Shkencave u qendron larg pohimeve jobindëse dhe të pavërteta të tij, në ditën kur duhet nderuar kushdo që kontribuon për të mirën e librit dhe leximit.
Ne mbështesim në solidarësi të plotë e të sinqertë të gjithë ata aktorë e faktorë që punojnë për librin, nga autori deri tek lexuesi.
Tiranë më, 23 prill 2020
Këtu ndiqni deklaratën e ASH në ” Ditën Botërore të Librit dhe së Drejtës së Autorit”:
https://www.facebook.com/665550180146828/posts/2817892191579272/
Këtu ndiqni intervistën e kryetarit të shoqatës së botuesve:
https://youtu.be/9Pf1AaUGS0w