“Ka me kalu”, film për traumat e patrajtuara të diktatuarës

Filmi “Ka me kalu” risjell në Tiranë Flonja Kodhelin jo vetëm në rolin e aktores por edhe si regjisore.

Traumat e patrajtuara të diktaturës dhe paranoja e mbetur prej tyre që na ndjek nga pas kudo që shkojmë si një pjesë e jona e dhimbshme dhe therëse vjen me një qasje tërësisht njerëzore.

Një grua që ka ikur nga Shqipëria por që e ka marrë atë me vete me Shqipërinë e frikës dhe terrorit e rrëfen të shkuarën përmes hijeve të saj.

Flonja Kodheli tregon se në fillim në qendër të filmit do të ishte një familje italiane e trembur nga brigadat e kuqe, ndërsa më pas, e kuqja u bë ajo e diktaturës shqiptare si një histori më afër saj, transmeton ‘BW’.

“Kishim dëshirë të flisnim për traumën e thellë, për traumën që nuk e trajtojmë dhe për traumat e padukshme që një ditë duken, janë evidente dhe na klithin. Nuk e kisha marrë si mision për të folur për diktaturën dhe pasojat e diktaturës në Shqipëri”, tha ajo.

Filmi u shfaq në Shqipëri në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Drejtori i festivalit, Kujtim Çashku, njëherësh regjisor, vlerësoi filmin dhe ndau me të pranishmit, emocionet e sallës së Akademisë Marubi ku u shfaq filmi.

“U impresionova shumë kur mësova që Flonja që kishte karrierë si aktore, tashmë ka një film si regjisor. Ky vendi që jemi në këtu është vend i shenjtë, dhe pjesë e kontributit për ta bërë të shenjtë, kanë edhe prindërit e Flonjës”, deklaroi ai.

Me Ilire Vincën e Flonja Kodhelin në dy rolet kryesore, në filmin “Ka me kalu”, nënë e bijë përballen me paranojat e nënës, që pasi ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në diktaturë, ndihet ende e përndjekur nga ish-Sigurimi, edhe pse ka emigruar.

Kodheli dhe bashkeskenaristja Leenda Mamosa ndërgjegjësojnë për traumat e patrajtuara të individit, duke na kujtuar edhe traumat e patrajtuara të kombit ndërsa politika e madhe tregohet përmes pasojave të saj.


Lexo edhe:

TINKA KURTI FLET PËR FILMAT SHQIPTARË: “NUK JAM E GËZUAR PËR GJITHÇKA QË KAM BËRË…”

ObserverKult