Ka rëndësi se kush e tregon historinë… Ka rëndësi se për kë flet historia…

me shume dhembin plagët e miqve sesa plagët e armiqve silvana kola loka

Ka rëndësi se kush e tregon historinë…
Ka rëndësi se për kë flet historia…

Nga Silvana Kola-Loka

Na ishte një herë një vajzë shumë e dashur dhe gazmore. Ajo mbante gjithmonë një pelerinë me një kësulë të kuqe ndaj të gjithë e thërrisnin Kësulëkuqe. Kjo histori tregon për një ditë në të cilën Kësulëkuqja u nis për të takuar gjyshen dhe ujku, duke përfituar nga naiviteti i saj prej fëmije, e hëngri atë bashkë me gjyshen. Por historia ka një fund të lumtur. Ja! Dëgjoje…!

Na ishte një herë një ujk dhe si të gjithë ujqërit, atij i duhej të dilte çdo ditë për gjah që të mund të jetonte. Askush nuk i kishte mësuar se çfarë ishte mirë ose keq për të gjuajtur, çfarë ishte e drejtë ose e gabuar. Gjithçka dinte ishte se duhet të ruhej nga njerëzit, sidomos nga ata me armë. Kjo histori tregon për ditën më të lumtur dhe më tragjike të jetës së tij; ditën kur ai hëngri Kësulëkuqen dhe gjyshen e saj dhe u vra nga një rojtar pylli. A dëshiroi ujku në minutat e tij të fundit të mos kishte qenë ujk? Ja! Dëgjoje…!

Na ishte një herë një gjyshe që jetonte vetëm. Prej pak kohësh kishte rënë sëmurë në krevat. Ditët i kalonte duke menduar për jetën e saj dhe duke dëshiruar që dikush të shkonte ta vizitonte. Kjo histori tregon për ditën kur gjyshen e gëlltiti një ujk i uritur dhe aty, në barkun e ujkut ajo mendoi për mënyrat e papritura se si mbaron jeta e njeriut. Ja! Dëgjoje…!

Na ishte një herë një rojtar pylli. Atij i pëlqente shumë natyra dhe, që kur kishte qenë fëmijë, i kishte dashur shumë të gjitha kafshët, pa përjashtim, edhe ato kafshë që për shumë të tjerë ishin të frikshme ose dukeshin të neveritshme. Kjo histori tregon për ditën kur ai vrau një ujk për të shpëtuar një vajzë dhe gjyshen e saj, të cilat ujku, nga uria, i kishte gëlltitur pa i përtypur fare. Çfarë mendoi rojtari kur qëlloi ujkun edhe pse nuk e dinte nëse vajza e vogël dhe gjyshja ishin ende gjallë apo jo në barkun e tij? Ja! Dëgjoje…!

Na ishte një herë një nënë që jetonte me vajzën e saj, Kësulëkuqen. Ajo ishte një nënë e dashur dhe e kujdesshme, e cila dëshironte që vajza e saj të mësonte të rritej e pavarur. Kjo histori tregon për ditën në të cilën nëna vendosi se kishte ardhur momenti ta lejonte Kësulëkuqen të provonte të kapërcente vetë pyllin për të shkuar tek gjyshja e saj. Shumë gjëra ndodhën atë ditë dhe nëna pyeti veten “Kur është momenti i duhur për ta lënë fëmijën ta provojë të panjohurën?”. Ja! Dëgjoje…!

***

Thonë se medalja ka dy anë.
Mendoni pak sa anë ka një histori!
Sa anë ka jeta!

ObserverKult


Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: DISA FJALË PËR BIG BROTHER DHE ATA QË E SHIKOJNË