Nga Ismail Kadare
Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie.
Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë.
Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima. Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet.
Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)?
E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, tritshtimet, dhe gjithçka tjetër të saj, që duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojshme.
Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më..
Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve.
Pjesë nga libri ”Ftesë në studio”
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇKA THOSHTE ISMAIL KADARE PËR FUSHATËN QË BËHEJ QË AI MOS TA FITONTE NOBELIN?