Analisti dhe poeti, Preç Zogaj, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 tha se shkrimtari i madh Ismail Kadare i takon përjetësisë.
Zogaj theksoi se Kadarenë e ka takuar përpara se ai të ikte në Francë dhe se ishte i shqetësuar për fatin e Shqipërisë. Për Zogajn, Kadareja është prozatori më i madh i letërsisë shqipe.
Preç Zogaj: E kam takuar dhe jam njohur me të. Kam pirë kafe me Kadarenë përpara se ai të ikte në Francë. Ai më tregoi poezinë “Kohë e pamjaftueshme”, ku thuhej se do ikte nga Shqipëria e nuk do të kthehej. Pasi më tregoi poezinë, ra një heshtje e gjatë. Ne e përcollëm deri afër shtëpisë. Ne menduam se nuk do të kthehej më në Shqipëri. Kadare ishte i shqetësuar përpara se të ikte në Francë. Kadare ndërtoi me veprën e tij Shqipërinë arbërore. Na tregoi Shqipërinë, që kishte qenë e hapur më herët, kur ka pasur raporte të hapura me kombet e Europës.
Me këtë Kadareja solli një Shqipëri të hapur, solli atdheun tonë para-osman. Vepra e tij bëhet madhështore nga alegoria. Kadare është shkrimtar i gjithanshëm, është prozator, eseist, poet. Kadare ka një vepër që e lidh Shqipërinë me Perëndimin, edhe në kohën që vendi ynë ishte i izoluar. Ismail Kadare meriton të gjitha nderimet që i janë dhënë dhe i takon përjetetësisë. Kadare është prozatori më i madh i letërsisë shqipe./balkanweb
ObserverKult
Lexo edhe:
NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI MË I MADH SHQIPTAR, ISMAIL KADARE