“Kadillak dhe manaferra”, film i bazuar në një histori të vërtetë të viteve ‘70

Filmi “Kadillak dhe manaferra” mbështetet në një histori të vërtetë, që ka ndodhur në vitet ’70 në Shqipëri. Me skenar nga Bujar Alimani dhe regji nga Suela Bako filmi u xhirua në Patos, ku në role janë aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare.
Regjisorja Suela Bako është e njohur dhe e vlerësuar me punën e saj në fushën e kinematografisë, ku këtë herë bazuar në skenarin e shkruar nga Bujar Alimani i cili gjithashtu ka vlerësime në punën e tij me filmat, ajo ka xhiruar “Kadillak dhe manaferra”.
Në rolet e filmit janë Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, si dhe Daren Karameto. Prodhim i shtëpisë filmike “90 Production” me producente Tefta Bejko, projekti i filmit “Kadillak dhe manaferra” është me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Në një reagim të saj, të bërë kohë më parë, regjisorja Suela Bako bën me dije se këto ditë vere përfunduan xhirimet e këtij projekti të filmit me metrazh të shkurtër dhe shprehet se ishte një punë rrethuar me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar.
“Mbaruan xhirimet e “Kadillak dhe manaferra”. Film i shkurtër me skenar nga Bujar Alimani dhe regji nga unë. Një udhëtim në të cilin mësova më shumë dhe përjetova kënaqësi shumë të madhe. Adrenalinë dhe emocion. Rrethuar me njerëz të talentuar e të përkushtuar mund të bësh gjëra të mëdha. Mirënjohje e falenderime për çdo njeri që kontribuoi në këtë film”, shprehet në një status të saj regjisorja Bako në Facebook.

Për regjisoren Suela Bako puna për këtë projekt filmi bëri që qyteti i Patosit të kthej në një shesh xhirimi, ndërsa shprehet se ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me drejtorin e fotografisë dhe me të tjerët pjesë e këtij projekti kinematografik.
“Shpëtim Baça bashkëpunëtori im më i mirë. Vij në filmin tim të tretë me të si drejtor fotografie, njësoj mirënjohëse dhe falenderuese, një artist i vërtetë dhe dashnor i flaktë i punës dhe i njohjes. Laura Buna, krahu im i djathtë, një dallëndyshe me sy shqiponje, një tjetër dashnore e punës. Arjan Seranaj, për herë të parë punoja me të, skenografia e këtij filmi, pa sqimën dhe përkushtimin e tij dhe Stivi Rrapo, nuk do kishin kuptim. Po aq, Lomi. Audio nga skrupulozi Adrian Guri. Beka Alla grim dhe kostume, script superviser Enxhi Arapi. Asistenti im i dytë i ëmbli Krist Dushi. Myzafer Rrapa e Pro video. Faleminderit Romir Zalla për gjithë suportin. Qytetit të Patosit për gjithë dashamirësinë duke u kthyer në një shesh të madh xhirimi”, shprehet Bako.

Ngjarjet në film

Një skenar i shkruar nga Bujar Alimani me regji të Suela Bakos, me kastën e aktorëve Lulzim Zeqja, Myzafer Zilfa dhe Daren Karameta ka në thelb rezistencën personale të njeriut kundër sistemit të kohës. Regjisorja Suela Bako tregon se filmin është mbështetur në një histori të vërtetë dhe ngjarjet nisin dekada më parë.
“Në vitet ‘70 në qytetin e Patosit vjen një Kadillak i shkëlqyer, në emër të një intelektuali, qytetar i Patosit dhuratë prej të atit emigrant në USA. Atij ia paraqesin dhuratën së bashku me kushtin, që nëse e pranon duhet t’ia lërë në pronësi Partisë, udhëheqjes, nëse jo duhet ta kthejë mbrapsht.

Qytetari e kthen mbrapsht, dhe në këtë mënyrë shpreh revoltën dhe mos dakordësinë e tij me sistemin, pushtetin popullor të asaj kohe. Prej këndej si skenarist Bujar Alimani inspirohet të shkruajë “Kadillak dhe manaferra””, pohon regjisorja.
Në reagimin e saj Suela Bako vlerëson aktorët e filmit dhe skenaristin e producenten Bejko, që i besuan skenarin. “Aktorë në role, Myzafer Zifla, kënaqësi e madhe të punoje me të, Lulzim Zeqja dhe muza ime, i vogli Daren Karameto.

Falenderimet më të përzemërta për “90 Production”, Bujar Alimani e producenten Tefta Bejko që ma besuan mua, “Kadillak dhe manaferra”” shprehet Bako. Me disa filma të realizuar si regjisore deri më tani, Suela Bako shprehet se sikur ta dinin të gjithë sa mundohen ata që rrinë pas kamerave bota e artit do ishte shumë më e bukur dhe e vlerësuar./Julia Vrapi


Lexo edhe:

RRËFIMI RRËQETHËS I NJË TË BURGOSURI NË KOMUNIZËM: PYESNIM VETEN: “A DO DILNIM TË GJALLË“…

ObserverKult