Kalldrëmit të Prishtinës i ruhen shenjat sa për kujtim

Foto ilustrim

Kalldrëmi dikur mbushte rrjetin e rrugëve dhe rrugicave që gjarpëronte në pjesën e moçme të Prishtinës. Ndonëse sot mund të numërohen me gishta rrugë të tilla, mbijetojat e kalldrëmit të dikurshëm janë vënë sërish në mënyrë të pjesshme në rrugën “Zejnel Salihu” përskaj shkollës fillore “Elena Gjika”.

Në fillim të muajit korrik, ekskavatorët teksa hiqnin asfaltin e vjetër kishin gjetur një shtresë kubëzash të kalldrëmit.

Pas punimeve, rruga që nis prej Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka marrë një pamje të re: ndonëse në tërë gjatësinë e saj janë shtruar kubëza të reja, me kalldrëmin e vjetër, megjithatë është arritur të shtrohet një shirit me gjerësi rreth 1 metër në skajin e përkundërt të po të njëjtës rrugë.

Këshilltari dhe asamblist i PSD-së në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se i gjithë kalldrëmi i gjetur është ruajtur.

Në një bisedë për ‘Kohën’, ai ka treguar se gjatë zhvillimit të punimeve ishte gjetur kalldrëm vetëm në të dyja anët e rrugës, por jo edhe në mes.

“Arsyeja pse nuk është intervenuar në krejt rrugën është se nuk kemi gjetur kalldrëm në pjesën më të madhe të saj”, ka thënë Berisha.

Këtë e kishin vërejtur edhe në Drejtorinë e Investimeve Kapitale kur disa vjet më parë ishin instaluar në po të njëjtën rrugë gypat e ujësjellësit dhe të kanalizimit, transmeton ‘koha.net’

Por, sipas Berishës, në të ardhmen rruga “Zejnel Salihu” do të shtrohet me kalldrëm.

“Ideja është që në të ardhmen të fusim në paramasë edhe kalldrëmin, kurse kubëzat e vendosura aty do të largohen”, ka thënë ai për rrugën në të cilën i kishte kryer punimet kompania “Papemburg”.

E rruga që vazhdon ngjitur nga aty drejt Sahat-Kullës dhe ish-objektit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku tani është Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, është nga të paktat që ruan kalldrëmin e moçëm. Gjatë punimeve të fundit, gurët e kalldrëmit janë hequr për t’u rivendosur në mënyrë më të rregullt.