Xhuli Keko, ka kujtuar sërish bashkëshorin e saj, Teodor Kekon, kësaj here nëpërmjet një letre në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta. Xhuli Keko shkruan se e sheh shpesh nëpër ëndrra dhe se i mungon shumë. Ajo tregon më tej se jeta pa të ka qenë shumë e vështirë.
“Është e vështirë Tirana pa ty, madje edhe më e vështirë se Haga. Atje ngushëllohesha me idenë që je këtu, por tani jam para faktit të kryer: Nuk e ndaj dot një bisedë me ty, as një gotë verë, as sot e as nesër, as në ditëlindjen tënde e as në timen (pesë ditë pas teje). Tirana ka ndryshuar shumë, njerzit edhe më shumë, por është fat që kam shumë miq të mirë, shumica prej tyre miqtë tanë të përbashkët. Megjithatë është e dhimshme sa shumë kanë ndryshuar disa, ndonjëherë do të të tregoj, megjithëse jam e sigurtë që nuk do çuditesh, ti i njihje aq mirë njerzit…..Por unë jam e fortë, ti e di, kam motiv për çfarë të jetoj!”, shkruan ndër të tjera në letër.
Letra e plotë:
18 vjet pa ty (Letra nr 6). Sot mbushen plot 18 vjet që të shoh vetëm nëpër foto, ëndrra, kujtime, të mëshiruar herë te Martini e herë te Elio, sipas ngjasive me ty në formë e përmbajtje.
Të kam shkruar shpesh dhe jam përpjekur të të tregoj çfarë ndodh me ne te tre, që në fakt tashmë jemi gjashtë. Unë jam ateiste, besoj në univers, ama dua shumë të besoj që ti më ke lexuar, ashtu siç besoj dhe të jam shumë mirënjohëse që na ke qëndruar pranë gjatë gjithë këtyre viteve e nuk na ke lënë kurrë të rrëzohemi, si mua dhe djemtë.
Më mungon Dori, më mungon pafundësisht! Tashmë jetoj në pjesën më të madhe të vitit në shtëpinë tonë në Tiranë, megjithëse mundohem të udhëtoj sa më shpesh te djemtë në Hollandë (Janë pesë dashuri të mëdha që më presin aty, dashuri që më ndihmojnë të vazhdoj të eci përpara e i japin vlerë jetën sime). Në çdo cep të shtëpisë, në çdo pllakë, në çdo milimetër ka kujtime të tuat megjithëse shtëpia ka ndryshuar disi. Pjesa më e bukur e saj është biblioteka jonë, librat që lexonim dhe ato që ti ke shkruar. I kam sistemuar me kujdes dhe sa herë i shoh mendoj se sa shumë do “grindeshim” sepse ti do i shpërndaje nëpër shtëpi (apo edhe në banjë) siç e kishe zakon. Eh, ti vetëm të ishe pa unë e rregulloja prapë bibliotekën, edhe shtëpinë, veç të ishim edhe një herë të gjithë bashkë e le të bënit rrëmujë sa të donit. Mundohem shpesh të ta dëgjoj zërin nëpër shtëpi, të qeshurën, nuk jam çmendur jo, por ndodh vërtet që pa ose nën zë të të tregoj, të të shaj që ike aq shpejt, të buzëqesh me kujtimet e bukura dhe të pres ndonjë përgjigje….
Është e vështirë Tirana pa ty, madje edhe më e vështirë se Haga. Atje ngushëllohesha me idenë që je këtu, por tani jam para faktit të kryer: Nuk e ndaj dot një bisedë me ty, as një gotë verë, as sot e as nesër, as në ditëlindjen tënde e as në timen (pesë ditë pas teje). Tirana ka ndryshuar shumë, njerzit edhe më shumë, por është fat që kam shumë miq të mirë, shumica prej tyre miqtë tanë të përbashkët. Megjithatë është e dhimshme sa shumë kanë ndryshuar disa, ndonjëherë do të të tregoj, megjithëse jam e sigurtë që nuk do çuditesh, ti i njihje aq mirë njerzit…..Por unë jam e fortë, ti e di, kam motiv për çfarë të jetoj!
Sigurisht sot më mbetet vetëm të të sjell një tufë me lule, atë tufën që do kisha aq dëshirë të ma dërgoje ti, sigurisht të shoqëruar me një poezi, si poezia “ Xhulit”, e cila tashmë është kthyer në një këngë të dashur për shumë njerëz. E nuk rri dot pa të thënë që ndihem krenare që unë jam ajo, Xhuli!
Po e mbyll letrën me një lajm të bukur, megjithëse sot nuk është dita e tyre, datat 20-22 gusht janë ditët më të trishta të vitit për mua. E kisha ruajtur këtë lajm për ditëlindjen tënde por padurimi është më i fortë se unë : Libri yt “Prostituta”, përkthyer në anglisht, botuar në Neë York, është rrugës për në Tiranë dhe shpresoj të mbërrijë pikërisht në ditën e lindjes tënde, kështu që mbetet diçka edhe për atë ditë, vetë libri, mënyra që kam gjetur për t’u çmallur me ty./ObserverKult