Nga Andi Bejtja
Nuk e mbaj në mend se në çfarë qyteti isha dhe për ku po shkoja. Di vetëm që po prisja të vinte treni me numër 23 dhe duhej të hapja sytë për të hipur vetëm në trenin me këtë numër, pasi çdo tren me numër tjetër nuk më çonte atje për ku isha nisur. Isha ulur në një nga stolat e stacionit të metrosë, duke lexuar një libër që gjithashtu nuk e mbaj mend se kush e kishte shkruar dhe për çfarë bënte fjalë. Kur dëgjova zhurmën e rrotave të trenit që po afrohej në peron, e mbylla librin, u çova në këmbë dhe u mundova të dalloj numrin.
Ishte numri 37. Duhej të prisja trenin tjetër. U ula sërish në stol dhe hapa librin. Treni ndaloi.
Në një pjesë të shikimit tim filluan të hynin siluetat e njerëzve që zbrisnin dhe njerëzvë që po prisnin të hipnin. Isha gjysmë i përqendruar te libri dhe instinktivisht gjysmë i përqendruar te kjo panoramë më se e rëndomtë e stacioneve të metrosë. Ndërkohë, pa dashje, thitha shikimet e njerëzve që ndodheshin në tren.
Për pak desh e ngrita kokën për të deshifruar fytyrat që rrëzonin këto shikime, por nuk e përcaktoj dot se cila shqisë e qenies sime mundi të thithë dhe të veçojë një shikim të vetëm, të thellë dhe tepër kuptimplotë. Ishte një shikim i ngrohtë, rrëqethës, miklues, që gati-gati më frikësoi me mirësinë dhe thellësinë e tij njëkohësisht. Unë po e ndieja të tërin, në gjithë trupin tim, në qelizat e mia. E ndieja se si po më mbështillte, duke më bërë të ndihesha i lumtur, por edhe i pafuqishëm për ta ngritur kokën nga libri.
M’u krijua përshtypja se mund ta deshifroja më mirë atë shikim me kokë ulur pa u përballur drejpërdrejtë, sy më sy. E gjitha po ndodhte në pak minuta dhe unë po përpiqesha të kapja mesazhin e këtij shikimi. Kjo nuk kishte të bënte me mendjen time, por vetëm me atë shqisë të papërcaktuar që përmenda pak më sipër. Ndërkohë, diçka më sëmboi në zemër.
Shikimi filloi të fliste. Ai tha: “unë të kuptoj shumë mirë ty. Kuptoj mendimet e tua, kuptoj gjithë ç’ke menduar që kur ke qenë në bark të nënës e deri tani.
Unë, madje, kuptoj dhe ç’po mendon se ç’po ndien ti në këto momente. “Arrita në konkluzionin se kisha të bëja me shikimin e dy syve që më kuptonin dhe një të qindën e sekondës më vonë, gjithnjë pa e ngritur kokën, kuptova se ishin sy femre, sy që më kuptonin, sytë e një femre që mund të fejohesha pa u menduar fare, të martohesha, të bëja fëmijë, të jetonim të lumtur, tmerrësisht të lumtur,deri në vdekje.
Pas dy të qindash të sekondës, po digjesha nga dëshira për të parë fytyrën që mbante ata sy që më kuptonin, të paktën të shikoja se ç’ngjyrë kishin. E ngrita kokën, por treni kishte kohë që ishte larguar.
Kishte ikur dhe treni me numër 23, kishin ikur vite, kishin vdekur njerëz, kishte vdekur ndoshta dhe njeriu me sytë që më kuptonin….Unë isha ndeshur me mijëra sy, me mijëra shikime, por kurrë nuk isha hasur me ata sy që më kuptonin deri në fund të shpirtit tim, të qelizave të mia, të neuroneve, hormoneve…
Kam një jetë të tërë që më kot kërkoj t’i gjej ata sy, aq sa shpeshherë, e sidomos kur ndodhem në stacionet e metrosë, dyshoj se ata nuk kanë ekzistuar kurrë dhe nuk ekzistojnë: ekziston vetëm ajo shqisa ime e papërcaktuar që ëndërron çdo sekondë të jetës sime të gjejë dy sy që më kuptojnë.
*Shkëputur nga libri i Andi Bejtjës: “AtdheDashuri”
Përgatiti: ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Sytë”
Lexo edhe: