“Kam shikimin tand në shpirt”, poezinë e Martin Camajt e lexon Engëllushe Alla

Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në të.

Kam shikimin tand në shpirt.

Filli i zanit tand
depërton gjymtyrët e mija
dhe trajtat tua rrijnë
të pashlyeme
në bebzat e syve të mij,
që lahen për të parën herë
në jetë
në këtë mëngjes me diell.

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇFARË SHKRUANTE MARTIN CAMAJ PËR POEZINË E ISMAIL KADARESË MË 1957- IRONI APO VLERËSIM?

Cilido që ka jetue larg Shqipnis gjatë këtyne vjetve të fundit dhe befas ballafaqohet me botimet e reja letrare, mbetet i shtanguem para sasis së madhe të tyne: revista mujore të vllimshme, romane, përmbledhje vjerrshash, drame dhe përkthime me shumicë.

Por, me të parin shikim të përjashtëm dhe mandej tue i shfletue, vetëm nga veshja tipografike, kujtohemi se pushteti i ep nji randsi të madhe sasis së prodhimit edhe se nuk kujdesohet – apo i mungojnë mjetet? – t’u vejë në dorë lexuesëve botime të pregatituna si u kanë hije veprave letrare, ashtu si shofim se bahet gjithkund nëpër botë.

Utilitarisht prodhimin e shumtë nuk e dënon kurrkush, madje nji veprimtari këso dore ndoshta ka me ba që libri të depërtojë “deri në katundet ma të lanuna të vendit tonë”, por asgjamangut – mbasi këtu flitet kryesisht në nji seli estetike – ky fakt asht nji shkak lehtsues i ligësht për të mbulue të metat e cilsis artistike…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU