Mirush Kabashi mund të konsiderohet pa dyshim si një ndër aktorët e mëdhenj të plejadës së kinematografisë dhe skenave teatrale shqiptare… Rrugëtimi i tij artistik, nga korridoret e Institutit të Lartë të Arteve deri në daljen e parë përpara kamerës, është i mbushur me ulje-ngritje të mëdha, madje edhe një përndjekje 2-vjeçare nga ana e regjimit komunist në Shqipëri që e vuajti.
“Unë pata fatin të emërohem në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, që në hapat e parë pas përfundimit të Akademisë. Te teatri i Durrësit, një teatër i cili kishte një eksperiencë shumë të mirë, disiplina artistike dhe përkushtimi qenë ndër elementet e para që unë mësova në profesionin tonë dhe këto janë themelet mbi të cilat duhet ndërtuar puna e një artisti në teatër dhe më pas dhe në film, sedra artistike. Impakti i parë me kamerën ka qenë i vonuar, ka qenë i vështirë.. Edhe pse pata një start goxha të mirë, roli im i parë në teatër ka qenë “Klestakovi”, komedia e famshme e regjisorit Gogoli qe pati suksese.
Kjo përballje e parë ishte me dy presa, po të dështoja, gati do të më mbysnin, por në të kundërt do të më hapeshin portat dhe kështu ndodhi. Qe e suksesshme dhe m’u hapën rrugët, por në Plenumin e ‘74-ës, meqë unë kisha disa probleme, siç ju thashë me dajën dhe babai im që kishte mbaruar shkollën amerikane, një dajë tjetër më përpara e shuan, kështu jo vetëm që s’u lejova të xhiroja, por m’u pezullua dhe e drejta për të luajtur në teatër. Kam punuar vetëm për arsye biografike dy vjet në hekurudhë.
Gati-gati i hoqa të gjitha shpresat, rashë pre e asaj që ëndrra e teatrit m’u mbyll dhe atëherë duhet të luftoja për mbijetesë. U regjistrova në një shkollë teknike, ndërroja papuçet në hekurudhën e Durrësit të lokomotivave. E fillova me bukën e mëngjesit, çohesha çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë”, tha Kabashi- transmeton ‘revista ai’.
SI SHPËTOI
“Qe një fat i jashtëzakonshëm që dikush nga këta që kishte peshë tha një fjalë të mirë: Po ç’ka bërë ai vetë? – Jo ai vetë s’ka bërë asgjë, por në biografi nuk ka shënuar një gjë. Unë e pata maskuar atë sikur nuk e dija për një dajë të pushkatuar. Në fakt unë e dija, por nuk e kisha shënuar vetë, pasi ata e kishin zhdukur pa lindur unë. Dhe ai tha një fjalë të mirë:
“Nëse ky vetë nuk ka bërë ndonjë gjë, atëherë ne e rikthejmë. Ai kishte parë një komedi, ‘Kartela e Verdhë’, e cila pat bërë namin. Dy herë i pati rënë rrotull Shqipërisë me një numër rekord, ndoshta ajo është shfaqja teatrore me numrin më të madh të shfaqjeve, madje mund t’ia ketë kaluar dhe ‘Pallatit 176’. Dhe ai për fat e kishte parë këtë shfaqje dhe unë u riktheva duke bërë një jetë më normale”.
KONCERT NË VITIN 1936
“Ka qenë pothuajse gati paralelisht mundësia e dytë që m’u dha mua. Saimir Kumbaro, kur m’u afrua, më tha se ishte dhe një rol që nuk ia kishin preferuar aktorët e tjerë, rolin e Toger Shazivarit. Megjithatë, bëri një kinoprovë, duket se i pëlqeu dhe ndaj insistoi pranë Komitetit të Partisë së Durrësit dhe m’u dha mundësia që të impenjohesha në kastën e aktorëve. Ishin mundësitë e para dhe impenjimi im ishte maksimal, ndaj edhe gjykova që ta bëjë gagaç. Pata shumë rezistencë nga Saimiri dhe unë e mirëkuptova pasi kishte frikë se mos merrte tendenca të një interpretimi të jashtëm dhe pak vulgar.
Unë u përpoqa ta bindja se shiko e kam të mbështetur dhe arrita t’ia dal. Unë e quaj veten me fat që kam marrë pjesë në një film që i ka rezistuar kohës dhe ka treguar që për Saimirin është më i miri dhe për kinematografinë shqiptare është një ndër më të mirët. Direkt pasi u xhirua filmi “Koncert në vitin 1936”, qenë disa instanca shtetërore që folën. Një moment që është kardinal në karrierën time, është një Plenum i zakonshëm, ku në atë Plenum u diskutua edhe për kinematografinë.
Krejt çuditërisht, Enver Hoxha ka ndaluar në një moment dhe paska thënë se vërtet që ne kemi aktorë që krijojnë plejadën e korifenjve të aktorëve të kinematografisë dhe teatrit, por kemi dhe të rinj të talentuar që premtojnë se do ta marrin këtë stafetë.
Dhe ka folur për Robert Ndrenikën, i cili për hir të së vërtetës ishte në një pozicion të vështirë biografik në atë kohë. Në mbledhje, Enver Hoxha paska bërë dhe pyetjen: Po ai gagaç është që i merret goja në filmin “Koncert në vitin 1936” I thanë: Jo! Jo! ‘Po se e kam parë dhe tek ‘Emblema e Dikurshme’. Në atë kohë, të gjithë filmat do të kalonin në censurën e të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike. Kështu që përmendja e emrave tanë, ne na krijoi atë lehtësi për të qenë në aktivitete të tjera artistike dhe nëpër filma të tjerë”.
Lexo edhe:
RRËFIMI EMOCIONAL I MIRUSH KABASHIT: BABAIN E ARRESTUAN, DAJËN E ELEMINUAN
ObserverKult