“Kamza lexon”, fjalia më e gjetur me të cilën mund të vazhdojë përplotësimin një vepër e mirë

Liridon Mulaj - Kamza Lexon

Nga Liridon Mulaj

Në nisje të një vepre, ajo çka e mundon një shkrimtar është fjalia e parë. Nëse gjen fjalët e duhura për ta shprehur atë çka do të jetë “Përplasja” e parë e shkrimtarit me lexuesin, atëherë shkrimi rrjedh vetë dhe vepra fillon e merr formë dhe përmbajtje.

Ndryshe, kjo njihet dhe si teoria e terrorit te fletës së bardhë. Kjo parantezë metaforike është ajo që shpreh më së miri atë çka unë konstatoj sonte, në këtë ditë kur është përmbyllur një veprimtari madhështore si panairi i parë i librit “Kamza Lexon”.

E ndjej të natyrshme të gjej veten në këtë “analogji” ndërmjet shkrimit krijues dhe ndërtimit të një strategjie për një aktivitet i cili mbahej për herë të parë. Druajtjet dhe frikërat ishin të ngjashme. Përgjegjësitë po ashtu. Por sërish ti je i bindur t’ia nisësh se në mos sot, nësër të pret i njëjti “kryq”. Fundja dikush duhet ta bëjë. Dhe shpesh dëshira prevalon mbi mundësinë, e për rrjedhojë gjërat marrin për mbrapsht.

Po çfarë ndodh atëherë kur dëshira dhe vullneti puqen me mundësinë? Lindin dhe zhvillohen punë të mira, jo domosdoshmërisht të mëdha për nga jehona sesa për nga shtrirja në kohë e efektit të saj.

Gjithsesi, për të mos u zgjatur, sot kur gjithçka është përmbyllur me sukses , kam disa falenderime të sinqerta dhe të domosdoshme për të gjithë ata që mundësuan panairin e librit “Kamza Lexon”.

Së pari atë pa miratimin dhe dëshirën e të cilit ky panair nuk do të zhvillohej, kryetarin e Bashkisë Kamëz, Z. Rakip Suli. Një njeri që ka zgjedhur të kapërcejë konturet e përkatësisë politike dhe ta udhëheqë Bashkinë ku unë tashmë bëj pjesë si këshilltar, me pasion e vërtetësi.


– Bordin drejtues të përbërë nga drejtorët e drejtorive përkatëse të Bashkia Kamëz, të cilët në çdo kohë dhe orë i përgjigjeshin pyetjeve dhe kërkesava të mija shpesh bezdisëse dhe pa takt.

– Të gjitha shtëpitë botuese (mbi 22), autorët, shkrimtarët, studiuesit dhe përkthyesit (mbi 30) që janë dhe thelbi i panairit , faleminderit për gjithçka.

– Stafin e pallatit të kulturës “Artan Cuku” Kamëz: Iglin, Altinin, Fatjonin, Shpetimen, Sidorelen, Dardanin, Oltën, Liljanën, Dashin me në krye drejtoren Rigelca Albajrami Gupe.

– Drejtoreshën e zva Kamëz, Albana Imeraj për kordinimin perfekt dhe orientimin e nxënësve drejt librit.

– Qytetarët e Kamzës, të rinjtë e të rejat që ndoqën pa reshtur maratonën e gjatë të shkrimtarëve panelistë.

– Bizneset e zonës që na shërbyen dhe ndihmuan në mbarëvajtjen dhe mikpritjen e mysafirëve në panair.

Ky panair u realizua falë jush!

Në fund dua të uroj jurinë Erenestina Gjergji Halili, Ylljet Alicka, Alda Bardhyli dhe fituesit e panairit : Arba Baxhakun, Stefan Çapalikun, Arben Çejkun dhe Rudina Çupin.

“Kamza lexon” ishte “fjalia” hapëse më e gjetur me të cilën mund të vazhdojë përplotësimin një vepër e mirë.


Shihemi në panairin e dytë ” Kamza lexon”!

ObserverKult

Lexo:

U MBAJT PANAIRI “KAMZA LEXON”