“Kamza lexon”, thyerja e mitit të pagjasshmërisë

albert vataj kamza lexon

Nga Albert Vataj

“Kamza lexon”, panairi treditorë i librit, 13-14-15 maj 2022, në Sheshin “Nënë Tereza”, Kamëz, me pjesëmarrjen e mbi 22 shtëpive botuese dhe një larmi titujsh, përfshirjen e mbi 30 autorëve, shkrimtarëve, studiuesve dhe përkthyesve, nuk ishte vetëm një projekt rutinor i qasur prej një burokracie zyrtare e një përkatësie administrative, në qytetin që zakonisht nuk ndodh asgjë, shënjoi një ngjarje, kontakti me librin, starti i ndryshimi, nisja e një epoke.

E paimagjinueshmja zakonisht nuk ka gjasë që të ndodh, por kur ka vullnetmirë që besojnë me zemër, realja e një kontakti dritues të shpirtit, vë cakun, shtyt tej kufijtë e zotërimeve, duke ngritur një altar besimi, aty ku breza mëkatarësh politik anatemuan një popull, linçuan shpirtin e atyre që me plagën e ikjes në zemër, i bënë fole ardhmërisë brigjeve shkëmbore të mundësive.

Përtej asaj që u bë në këto tre ditë mesmaji, ajo që më impresionon është ajo që do të mbetet prej gjithëkësaj që u bë shkas dhe shkëndi, e asaj që vjen me librin dhe largohet me mëdyshjet, i asaj që sjell leximi dhe dëbon përjetimi.


Nuk jam nga ata naivë që beson se kështjellat janë marrë që më sulmin e parë, por mbetem besimplotë se kryengritja e çdo force sovrane, do të mund të shkallmojë çdo paranojë e paragjykim, çdo anatemë dhe përbuzje, ku politika, por më shumë se ajo, humbja e besimit, mbajnë të skllavëruar vullnetet titane të guximit, për gjithçka dhe ambicies përkundër çdo çmimi të këtyre banorëve që zgjodhën Kamzën si qytetin e tyre.


Futja e Kamzës në hartën e interesit të librit, është një goditje në befasi e tashmërisë së gjasshmërive të pagjasa që popullojnë këtë vend, jo vetëm Kamzën. Duke besuar se libri është në gjendje të bëjë mrekulli, se përmes tij; siç ka udhëtuar dija dhe shpirti, drita dhe progresi, imagjinata dhe krijimi, do të vijë pranverimi i një stine të begatë shansesh dhe shprese.

Në këtë betejë fillimore nuk do të më interesonin linjat e komunikimit mesinstitucionale për injektimin e leximit në një qendër, e cila ka qenë fushëbetejë e përplasjeve politike, tendencës qëllimligë për ta mbajtur nën hyqëm eksesesh dhe konfliktualiteti, mënjanuar nga kredoja e nevojave civilizuese, sulmuar me baltë e nënçmuar me cinizëm, mbetet me vlerë indicia që kjo të ndodhë, që libri të vijë ashtu i hyjshëm, dritëplotë e paqtues.

Libri me “Kamza lexon”, mund të mos ua tregojë të gjithëve rrugën e duhur në jetë, gjithëpoaq, ai, e sigurt, nuk do të lejojë askënd të gabojë, gjithashtu, do të mësojë gjithkënd, pa dallim përkatësish politike dhe krahinore, religjioze dhe botëkuptimore, të jenë më të mirë. Kaq nuk është pak, për një botë që më së shumti për këtë ka nevojë.

“Kamza lexon”guxon të trokasë në dyert e rënda të një pamundësie për të kushtruar, për të ardhur gjëmimtare të një trandje mohi, për të behur si një prehje dhe epje pulsesh vërshuese në një reale që e përpëlitur mes nevojës ngjethëse për rrokshmëri bazike interesash dhe mundësishë për të sfiduar.

Pikërisht aty, në Kamëz, më e ngutshme ndoshta se krejtkund tjetër, aty ku nahija dhe njerëzia u trajtuan “mish për top” për ambicieve politike dhe synimeve trazimtare për ekspansion ngjyrimesh dhe përfitimesh.
Natyrshëm ky hap i bashkëngjitet një serë ndryshimesh që po bëjnë të mundur shkuljen së andejmi të çdo paragjykimi dhe akti denigrues, të çdo dritëhijeje të kjoftlargut dhe bartjeve arkaike që duhmon ende atykëtu, si një thirrje e mistershme e së shkuarës, që ende mban me thonj e me dhëmbë mendësie të gjallët e një pulsi, që kërkon ritëm dhe potencial për dëshmim dhe shpërblim të merituar.

Libri, nuk është ajo prekja magjike që i shndërron dëshirat në realitet. Por te ata që besojnë dhe kanë ëndrra, ai mund të ofrohet kësisoj, por jo me një të prekur, as për një ditë, as për shumë, por ama, ai i pëshpërit në vesh një gjenerate, e cila merr në dorë fatin e vet dhe i tregon të sotmes, se edhe unë jam si gjithë të tjerët, edhe unë meritoj më shumë, sepse mundem dhe luftoj me mish e me shpirt.

Saora, vlen për t’i qenë falënderues, të gjithë atyre, që u bënë pjesë e këtij eventi me rëndësi, në veçanti autorëve, të cilët patën mirësinë që me pjesëmarrjen e tyre në “Kamza lexon”, të shprehin bujarinë që ka libri, thjeshtësinë me të cilin ai komunikon me njerëzit, por edhe sfidat që i duhen atij për të ngritur një urë që bashkon, në kohë ndarjesh.

Ndoshta nuk e ekzagjeroj të dedikoj meritat e gjithë këtij kulmimi, njërit prej atyre që e bënë ëndrrën në realitet, të pagjasshmen në mundësi, Liridon Mulaj, një vullnetmiri me shpirt të bukur, një penë të mprehtë dhe talenti premtues, i cili duke shfrytëzuar eksesin që i mundësoi pozita e këshilltarit të kryetarit të Bashkisë Kamëz, z. Rakip Suli, guxoi më shumë se mundi, bëri shumë më shumë se sa besoi.

Kam bindjen se ai nuk e ka bërë këtë me obligimin e një rrogëtar që kërkon ta justifikojë çfarë merr, por si një zelltar pasionesh të panënshtrueshme, për të bërë realitet diçka të paimagjinueshme, në një pamundësim rrethanash.

Sot që gjithçka e kësaj sipërmarrje konsiderohet e përmbyllur me sukses, ai që dyshon më shumë se kjo mrekulli ndodhi, është pikërisht ai që besoi se mund t’ia dilte, Liridon Mulaj.

Aty te “Nënë Tereza”, në sheshin ku për tre ditë botues të ndryshëm prezantuan librat e tyre, autorë biseduan me lexues, u ndanë edhe çmime, admirues të librit e pasuruan me begati dijeje dhe shpirtjeje folëzën e tyre, në atë shesh është kthyer çdoditshmëria me gjithçkanë e rutinores së vet, por libri, gjithë ai shpirt i pranishëm dhe merak i zellshëm, për të treguar se çfarë mundet të bëjmë dhe se çfarë meritojmë, është larguar, duke besuar se fara e hedhur në këtë taban do të mbijë dhe bima e shpirtjes së dritës do të harliset kësaj ane. Le ta vadisim me lutje dhe shpresë këtë vullnesë të mirë njerëzish të përkushtuar.

ObserverKult

Lexo edhe:

U MBAJT PANAIRI “KAMZA LEXON”