Përveç se me poezi, përkthime dhe me emisionin e saj “Pena e Shkodrës”, Arjola Zadrima shpesh sjell për lexuesit edhe rrëfime të shkurtëra mbushun urti jetësore.
Ju ftojmë ta lexoni një prej tyre:
Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!
Nga Arjola Zadrima
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!
ObserverKult
Lexo edhe: