“Kangët e Babës”, një libër poetik që flet për dashurinë, humbjen, por edhe shpresën

kangët e babës bislim ahmetaj

Recension për vëllimin poetik “Kangët e Babës” të autorit Bislim AHMETAJ, botuar nga Littera, Prishtinë, 2024

Nga Bit Gecaj

Bislim Ahmetaj, është një ndër poetët e shquar të brezit të tij. Lirika e tij ka një formësim të veçantë identitarë. Metaforat dhe mitemat që krijon, shpesh të kujtojnë autoret e antikitetit! Kjo e bën Ahmetajn dhe krijimtarinë e tij letrare një zë të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe. Pa dyshim, i këtij stili është edhe libri i tij i fundit “Kangët e Babës“, i cili nuk na vjen vetëm si befasi e këndëshme e ligjërimit poetik, por dhe si dëshmi e një identiteti të formësuar letrarë e kulturor.

Substrati i librit “Kangët e Babës” është malli dhe merzia të cilat shtrihen brenda një qytetërimi të caktuar, shpeshëhere konkret! Tema apo tematikat, jane po ato, nostalgjia për baben, i cili tashmë ka ndërruar forme jete, por me të cilin poeti, i gjendur përballe një mungese të pamatë shpirtërore, ka ndërtuar një rrafsh tjetër komunikimi, e që është i tëri letrarë e metaforik, skajshmërishtë shpirtërorë.

Sikur e potencuam, Ahmetaj është një emër me identitet të formësuar letrar. Ai deri me tani ka shkruar tetë vepra letrare, zhanresh të ndryshme, – nga të cilat pesë janë me poezi. Brenda gjithë kësaj kolone veprash, Ahmetaj ka arritur të ruaj dhe ndërtoi ura të fortë midis të kaluarës dhe të tashmes. E ardhmja në ligjërimin e tij poetik, mbetet një enigme që poeti e kundro me kurreshtje, përbrenda dyshimesh që ofron e panjohura, jo krejt e abstrkte në formën e vetë!

Në këtë vëllim, poeti shfleton kujtime dhe refleksione nga jeta, aso që rrjedhin nga thellësitë e zemrës, ku prania e babait shfaqet jo vetëm si një kujtim i mbushur malle e dhembje, por edhe si një forcë frymëzuese që vazhdon të ushqejë krijimtarinë e tij. Poezitë janë të një stili imazhist, të cilat shpesh ringjallin gjithçka, përcjellur bashkë me një gjuhe të fuqishme e të pasur stilemash!

Ne vargun poetik të librit “Kangët e Babës” çdo rrëfim flet për dashurinë, humbjen por edhe shpresën, për ringjalljen shpirtërore të përsonalitetit, dhe për guximin njerëzor brenda një mungese të madhe shpirtërore.

Libri është një udhëtim emocional brenda kozmosit poetik që sfidon lexuesin për një reflektim mbi rëndësinë e lidhjeve familjare dhe ndikimin e tyre të pashlyeshëm në formimin e identitetit, jo vetëm përsonal. Ahmetaj, me një stil thellësisht prekës, na kujton se rrëfimet e marra nga prindërit, tingëllojnë si një shkollë e veçantë jetësore, dhe si të tilla janë e mbesin thesari më i çmuara që mbajmë e bartim përtej vetës. 

ObserverKult

lexo edhe:

Rekomandime leximi nga Bislim Ahmetaj